Zhvillim historik për Real Madridin. Pas thuajse 20 vjetësh, Audi nuk do të jetë më një prej sponsorëve kryesorë të klubit madrilen.
Kontrata mes Blancos dhe kompanisë përfundon më 30 qershor të vitit të ardhshëm. Të dyja palët kanë vendosur të mos e rinovojnë më, pasi nuk është arritur një marrëveshje ekonomike.
Marrëveshja mes Real Madrid dhe markës gjermane u nënshkrua në vitin 2003. Audi parashikon të reduktojë praninë te skuadrat e futbollit për t’u përqendruar kryesisht te Bayern Munich.
Por mbyllja e marrëveshjes me Audi, nuk do të thotë që klubi i kryeqytetit spanjoll do të ketë një sponsor më pak. “Marca” shkruan se klubi, i cili drejtohet nga Florentino Perez, ka gjetur një sponsor zëvendësues.
Real Madrid ka nënshkruar marrëveshje me BMW, i cili do të bëhet një nga sponsorët kryesorë të klubit dhe do të kujdeset për sigurimin e makinave të lojtarëve të ekipit të parë. Realit do ta shpallë sponsorin e ri javën e ardhshme.
BMW zotëron edhe Mini dhe Rolls-Royce dhe është shitësi kryesor europian për automjete me çmim të shtrenjtë, përpara Audi, Lexus e Merdedes.
BMW është sponsori premium i Milan dhe furnizon me makina futbollistët e kombëtares italiane që nga viti i kaluar, kur marka gjermane vendosi të hyjë në botën e futbollit, siç bëri Audi në fillim të këtij shekulli.
Tashmë, me marrëveshjen me Real Madrid, BMW bën një hap para, pasi do të ketë hapësirë të planit të parë të klubit 14 herë fitues të Champions League dhe në Stadiumin e ri Santiago Bernabéu.
Marrëveshja mes Real Madrid e BMW shkon përtej një sponsorizimi të thjeshtë, pasi fokusohet në lëvizshmërinë e së ardhmes, të artikuluar rreth një qendre për punën e përbashkët mbi qëndrueshmërinë.
Në këtë mënyrë, Real Madrid vijon të rrisë të ardhurat që do të shumëfishohen me stadiumin e ri, që do të jetë gati pas një viti, në qershor 2023.
Parashikimi i klubit është që qarkullimi do të rritet me rreth 300 milionë euro, kryesisht për shkak të shfrytëzimit të stadiumit në 365 ditë të vitit.