Real Madrid ka bërë një hap vendimtar, drejt rikonstruktimit të stadiumit “Santiago Bernabeu”. Bordi drejtues i klubit miratoi dje formulën përfundimtare për rikonstruktimin e stadiumit, i vlerësuar në 575 milionë euro, që parashikohet të nisë në javët e ardhshme.
“Palco 23” shkruan se projekti i Bank of America Merril Lynch dhe JP Morgan parashikon që dy bankat të japin hua shumën e mësipërme (të cilit do t’i bashkohen edhe Banco Santander e CaixaBank me më pak rrezik). Marrësi i parave nuk do të jetë klubi, por një shoqëri e krijuar posaçërisht për këtë projekt.
Real Madrid nuk duhet ta hipotekojë stadiumin, por ka bindur investitorët të pranojnë të ardhurat e ardhshme që do të gjenerojë stadiumi i rikonstruktuar “Santiago Bernabeu” si garanci, të cilat Perez i vlerëson rreth 150 milionë euro në vit më shumë se sot.
Rikonstruktimi i stadiumit nuk duhet të përbëjë një pengesë serioze për shoqërinë, e cila e mbylli vitin 2017 – 2018 me një borxh neto negativ në -107 milionë euro. Kjo do të thotë që debitorët, të cilët janë kryesisht klube futbolli, u detyrohen më shumë para Blancos se sa ata palëve të treta. Rritja e likuiditetit neto krahasuar me vitin e kaluar është 96,7 milionë euro, reduktimi më i madh i borxhit i arritur nga klubi në 15 vitet e ardhshme.