Tani është zyrtare. Real Madrid ka rinovuar marrëveshjen e sponsorizimit me Adidas deri në vitin 2028. Kjo është një marrëveshje “e paprecedentë në historinë e industrisë së sportit”, shpjegon shoqëria spanjolle në deklaratën në faqen e saj.
Sipas shifrave të publikuara nga mediat spanjolle, falë rinovimit të kontratës, Real Madrid do të bëhet klubi më i paguar në botë në aspektin e sponsorizimit teknik, me një shifër fikse 120 milionë euro, të cilave u shtohen edhe 30 milionë, që llogariten në bazë të disa variablave: fitimi i trofeut të Champions League, Botërori i Klubeve ose La Liga spanjolle. Për këtë arsye, klubi i Madridit mund të fitojë deri në 150 milionë euro në sezon nga Adidas. Marrëveshja do të jetë e vlefshme deri në vitin 2028, me një zgjatje prej tetë vitesh krahasuar me skadencën aktuale.
“Real Madrid dhe Adidas janë dy kompani simbol në botën e sportit. Është një hap i natyrshëm për të zgjeruar sponsorizimin tonë të suksesshëm deri në vitin 2028” – komenton presidenti i Real Madridit, Florentino Perez.
“Do ta vijojmë këtë marrëveshje strategjike, falë së cilës do të jemi një pikë referimi dhe lider në sektorin e futbollit. Për këtë arsye, Adidas është sponsori ideal për ne. Së bashku do të vazhdojmë të jetojmë vite të suksesshme”.
“Pa dyshim, Real Madrid është një ndër klubet më të mira në botën e sportit”, shtoi Kasper Rorsted, CEO i Adidas. “Jemi të lumtur që po vijojmë bashkëpunimin edhe vitet e ardhshme. Kjo marrëveshje do të na ndihmojë të realizojmë misionin tonë për të qenë shoqëria më e mirë në botën e sportit.Jemi krenar që vazhdojmë të veshin gjithë skuadrat e Real Madridit dhe t’u shërbejmë gjithë fansave të klubit në botë, me produkte inovative dhe elegante”.