“Realiteti” virtual për HEC-et

17/04/2018 4:14 PM 0 komente
Devijim i rrugës Tropojë – Valbonë si pasojë e shembjes së saj për shkak të ndërtimit të HEC-eve

Kompania Gener 2, e cila është aksioneri dhe zhvilluesi i punimeve në HEC-et e Valbonës, aktualisht në faqen e saj zyrtare në internet (http://gener2.al/business-lines/hidrocentrali-qarrishtes-dhe-dragobise-2) jep versionin e saj për punimet që po bëhen brenda zonës së mbrojtur. Kompania thotë se, Gener 2 zotëron licencën për të ndërtuar, për të operuar dhe për të transferuar hidrocentralin e Dragobisë në lumin e Valbonës, në Veriun e Shqipërisë.

Projekti ka një fuqi totale të instaluar prej 21.9 MW. Sipas kompanisë, projekti konsiston në skemën e lumit me deviacion, që do të thotë nuk do të ketë rezervuarë uji apo diga dhe prodhimi i energjisë varet drejtpërdrejt nga ujërat sezonale.

Një nga avantazhet kryesore të projektit të HEC-it është funksionimi i tij pa pasur nevojë për rezervuarë uji, duke krijuar kësisoj burime të qëndrueshme të energjisë së rinovueshme. Një nga elementet kyç në të tilla projekte është ruajtja e padiskutueshme e një prurje ekologjike të lumit me qëllim mbrojtjen e ekosistemit, florës dhe faunës, sqaron kompania. Sipas saj, HEC-i është projektuar në një mënyrë të tillë që të ruajë rrjedhjen ekologjike të lumit, duke pasur kujdes të veçantë për peshqit dhe rrjedhën e tyre pa pengesa. Projekti përbëhet nga dy HEC-e të vogla. Një prej tyre ndodhet në Çerem, përrua i lumit të Valbonës, dhe tjetri në lumin e Valbonës pranë fshatit të Dragobisë.

Të dy projektet do të kenë tuba nën tokë, të cilët do të marrin ujë nga tuneli për në turbinë, duke bërë kësisoj që projekti të jetë thuajse i padukshëm. “Vlen të theksohet se shtrati i lumit nuk do të thahet përgjatë segmentit të shkurtër ku uji do të devijohet. Uji i devijuar, pa asnjë ndotje apo mbetje dhe që sipas studimeve, akoma dhe më i pastër pas daljes nga tuneli, do t’i rikthehet lumit në rrjedhën e tij natyrale.

Uji do të prodhojë një nivel të konsiderueshëm energjie alternative me një ndikim mjedisor minimal”, – shton më tej kompania Gener 2 në deklaratën zyrtare për HEC-et. Sipas tij, Godina ku do të vendoset turbina e HEC-it, është në harmoni të plotë me mjedisin përreth dhe arkitektura e saj ruan linjat tradicionale të zonës, duke përdorur vetëm materiale guri. “Zona ku do të zhvillohet projekti ka pësuar dëmtime të konsiderueshme dhe serioze në kohë nga ndërhyrjet e shumta që janë bërë në të nga dora e njeriut. Në bashkëpunim të ngushtë me organet e qeverisjes vendore dhe autoritetet përkatëse, ne kemi identifikuar disa zona të dëmtuara, për të cilat kompania ka marrë angazhimin t’i rehabilitojë duke i kthyer në gjendjen e mëparshme”, – sqaron kompania në lidhje me investimin.

Gener 2 thotë se ka një përvojë të gjatë dhe të suksesshme në trajtimin dhe rehabilitimin e zonave të tilla. Ndaj, falë punës së kujdesshme, burimeve dhe stafit të kualifikuar, mjedisi jo vetëm do të ruhet por do të rehabilitohet aty ku ka nevojë. Një kujdes i veçantë po tregohet për të minimizuar ndikimin mjedisor. Gener 2 është i angazhuar dhe përkushtuar për të realizuar ndërtime miqësore ndaj mjedisit dhe këtë e bëjmë me përgjegjësi”, përfundon deklarata.

Realiteti tjetër

Realiteti në brigjet e Valbonës është krejt tjetër. Projekti thotë se nuk ka digë, por ndërkohë punimet për ndërtimin e saj po vijojnë me shpejtësi. Projekti thotë se punimet do të bëhen duke respektuar mjedisin, por ndërkohë kantieret kanë shpërbërë pjesën më të bukur të grykës së Valbonës. Investitori thotë se, mjedisi jo vetëm do të ruhet por do të rehabilitohet aty ku ka nevojë, por në fakt mjedisi përreth është shndërruar totalisht. Këtë e tregojnë fotot bashkangjitur të bëra në fillim të muajit.

Më herët, vitin e kaluar, një grup ekspertësh mjedisi prej 9 personash me tituj shkencorë kanë bërë ekspertizë të pavarur nëse leja mjedisore e dhënë në vitin 2013 për ndërtimin e dy HEC-eve në Dragobi, është e bazuar në argumente shkencore. Kjo ekspertizë e dhënë nga dr. Abdulla Diku, prof. dr. Anila Paparisto, prof. dr. Aleko Miho, dr. Ermelinda Mahmutaj, prof. dr. Ferdinand Bego, prof. dr. Lulëzim Shuka, msc. Olsi Nika, prof. dr. Petrit Hoda dhe prof. dr. Spase Shumka, arrin në përfundimin se leja mjedisore për dy HEC-et e kontratës së parë në Dragobi përmban shumë mangësi dhe përfundime me të meta të rënda në studimin mjedisor.

Mbështetur në rishikimet e ekspertëve të fushave, duke përfshirë ekologjinë, florën dhe bimësinë, faunën, peizazhin, aspektet sociale dhe etike, studimi gjeti se ndikimi i dy hidrocentraleve në kaskadën e Dragobisë mbi florën dhe faunën tokësore e ujore është i fuqishëm.

Ndërkohë vihet re se ka pasur të meta të rënda në metodologjinë dhe strukturën e Vendimit të Ndikimit në Mjedis (VNM), si mosvlerësim i përgjithshëm i ndikimeve, analizë sipërfaqësore e masave zbutëse (e ndikuar kjo nga mungesa e të dhënave), analizë sipërfaqësore (madje mungesë) e ndikimeve të devijimeve dhe zvogëlimit të rrjedhës së ujit mbi larminë biologjike të ujërave të ëmbla dhe habitateve përreth.

Nëntë ekspertët e pavarur kanë gjetur në Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis mungesën e përafrimit të integruar të ekosistemeve, mungesën e analizës ndërdisiplinore, mungesën e plotë të komponentëve ekologjikë, të florës dhe faunës, dominimin e përqasjes inxhinerike dhe hidrologjike, varfërinë e elementeve metodologjike të përqasjes, mungesën e alternativave të tjera ndaj ndërtimit të HEC-eve dhe përqasjen e varfër të vlerësimit të ndikimeve dhe masave zbutëse.

Bazuar në këto gjetje, ekspertët e pavarur të mjedisit mendojmë se vlerësimi i paraqitur në raport nuk jep asnjë mundësi reale të të kuptuarit të përgjithshëm të ndikimeve mjedisore dhe socio-ekonomike që mund të shkaktojë ndërhyrja në kaskadën e Dragobisë.

Ata shprehen se, ky është një shembull tipik ku “skema” paraqet një gjobë për larminë biologjike, natyrën dhe shoqërinë dhe relativisht shembull i zakonshëm i “zhvillimit hidroenergjetik të babëzitur”, kur inxhinierët përpiqen të shfrytëzojnë përqindje të lartë të potencialit të hidrocentraleve (le të themi > 90%) dhe në këtë mënyrë të rrezikojnë dhe të lënë pas dore të gjitha vlerat e tjera të ekosistemit natyror të lumenjve tanë.

“Ne mendojmë se ka mundësi ndryshe, më pak shkatërruese, por vetëm nëse vlerësimet e shërbimeve të ekosistemeve (krahas shfrytëzimit të potencialit hidroenergjetik) realizohen në mënyrë shkencore, duke lënë hapësirë për mbajtjen e shërbimeve të rëndësishme ekologjike për gjallesat dhe shoqërinë”, – shprehen ekspertët e pavarur.

Vendimi i Ndikimit në Mjedis për dy HEC-et e Dragobisë është hartuar në qershor 2013, dhe Leja Mjedisore nga AKM është lëshuar më 23 korrik 2013, me vlefshmëri vetëm 2 vjet. Në leje theksohet se ajo mund të përsëritet ose dhe anulohet kur shfaqen elemente ekologjike të panjohura më parë, si në këtë rast. “Është për këtë që ne shpresojmë, se të gjitha këto janë arsye që qeveria të rinisë çështjen e ndërtimit të këtyre HEC-eve”, – shprehet grupi i ekspertëve.

Raporti i ekspertëve thotë se devijimet e ujit përmes tuneleve dhe zvogëlimi i sasisë së ujit në shtratin lumor do të shoqërohet me pasoja mjedisore të pariparueshme. Në dokument mungojnë analizat e logjikshme.

Rrjedha e ujit është përcaktuesi kryesor i mjedisit fizik në lumenj dhe përrenj, e cila, nga ana e saj, është një përcaktues kryesor i përbërjes biotike.

Njohuritë e ekspertizës së VNM-së lidhur me mbrojtjen e natyrës, me ekoturizmin dhe zhvillimin e qëndrueshëm janë shumë të cunguara.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of