Realizohen 35% të punimeve në Rrugën e Arbrit, përfundon në prill 2022. Shfaqen problematikat e para

05/08/2019 11:02 PM 0 komente

Mbi 35% e punimeve në Rrugën e Arbrit kanë përfunduar, por një shembje që ka ndodhur muaj më parë pranë tunelit të Murrizit duket se, do të krijojë kosto të reja dhe mund të rrezikojë punimet në afat. Burimet nga Ministria e Infrastrukturës njoftuan se pavarësisht kësaj situate, rruga do t’i dorëzohet qeverisë nga kompania Gjoka Konstruksion që po e ndërton atë nëpërmjet një koncesioni me Partneritet Publik-Privat, në prill të vitit 2022.

Vitin e kaluar, gjatë punimeve në afërsi të tunelit të Murrizit, ndodhi një shembje, e cila sipas inxhinierëve të fushës është vështirë të zgjidhet.
Shembja nuk lejon as ndërtimin e tunelit dhe as atë të trasesë. Burimet nga Ministria pohojnë se kompania Gjoka është konsultuar me ekspertë të huaj në lidhje me këtë problematikë, prej së cilës duhet ndryshuar projekti fillestar.

Gjoka i ka dorëzuar qeverisë dy zgjidhje për riparimin e defektit, të cilat janë duke u shqyrtuar. Kontrata e koncesionit për Rrugën e Arbrit parashikon që kostot shtesë që krijohen gjatë punimeve të mbulohen nga vetë kompania, praktikë kjo që nuk do të aplikohet për dy koncesionet e reja që u dhanë së fundmi, për ndërtimin e Milot – Balldren dhe Orikum – Dukat.
Qeveria e miratoi kontratën me kompaninë Gjoka Konstruksion, për ndërtimin e Rrugës së Arbrit nëpërmjet formës koncesionare me Partneritet Publik – Privat vitin e kaluar në mars.
Kompania Gjoka u përzgjodh fituese për ndërtimin e Rrugës Arbrit nga Ministria e Infrastrukturës kundrejt një vlere investimi prej 33,7 miliardë lekësh ose 260 milionë euro. Por kjo është vetëm vlera e investimit pa llogaritur TVSH-në.

Rruga e Arbrit është e kategorisë C2, me gjatësi 75 kilometër, ku 20 kilometra janë financuar me fonde buxhetore. Sipas kostove të reja të Bankës Botërore, një rrugë interurbane e kategorisë C kushton 1 milion euro për kilometër. Qeveria shqiptare do të harxhojë pesëfishin, pasi për 1 kilometër të saj, qeveria do ta paguajë kompaninë Gjoka me 6 milionë euro.
Rruga e Arbrit, e cila lidh Tiranën me Maqedoninë nëpërmjet Dibrës, nisi si ide në vitin 2008.

Projekti i propozuar ishte një rrugë e tipit C, me gjerësi 7 metra, kostoja totale e të cilit fillimisht u llogarit 150 milionë euro, për shkak të punimeve të vështira në një terren malor me shumë tunele. Për shkak se të gjitha studimet e nxorën rrugën jo fizibël, qeveria nisi ndërtimin e saj me fondet e veta, mirëpo kriza e vitit 2008 dhe shpenzimet e larta për Rrugën e Kombit kufizuan mundësitë për të ndërtuar Rrugën e Arbrit, edhe pse disa segmente të saj rreth 20 kilometra, kanë përfunduar, ndërsa pjesa më e vështirë me tunelet brenda mbeti e papërfunduar.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of