Projektuar nga studioja e arkitektëve Heatherwick në bashkëpunim me studion e arkitektëve MNLA, projekti i shumëpritur “Ishulli i Vogël” mbi lumin Hudson, është hapësira publike më e re e Nju Jorkut. Ai përfshin një park publik dhe hapësira të përshtatshme për të zhvilluar shfaqje të ndryshme. Pas një sërë pengesash, projekti tetëvjeçar tani ka hapur dyert për publikun.
Struktura në det të hapur përbëhet nga tre hapësira për zhvillimin e shfaqjeve në natyrë: një amfiteatër 700-vendesh i ndërtuar me akustikë të mirë, një skenë me 200 vende dhe në qendër të saj ndodhet një tjetër hapësirë për shfaqje, me kapacitet deri në 3,500 persona.
“Projekti filloi kur na u kërkua të krijonim një strukturë moli për pjesën e sapozgjeruar të shëtitores së Parkut të Lumit Hudson. Projekti ishte interesant, por ne pamë mundësinë për të krijuar një përvojë më tërheqëse për banorët e Nju Jorkut dhe për të gjithë ata që do ta vizitojnë. Në vend të kësaj, ne patëm idenë të projektonim një lloj krejtësisht të ri moli si një ishull në formë drejtkëndëshi me kopshte të harlisura, të lidhura me tokën nëpërmjet urave të mëdha, që më pas lidhen me rrjetin e rrugëve të Nju Jorkut“, tha Thomas Heatherwick, themelues i studios arkitekturore Heatherwick.
Kolonat strukturore janë një element kryesor i identitetit të projektit, i cili përfshin rreth 132 kolona betoni në formë tulipanësh që ngrihen mbi ujë.
Studioja arkitekturore bashkëpunoi me studion MNLA me bazë në Nju Jork për të projektuar parkun, në të cilin ndodhen rreth 400 lloje pemësh, shkurresh, barërash dhe bimësh shumëvjeçare. / Arch Daily