Recesioni europian? Kompanitë kroate drejt tregjeve aziatike dhe atyre afrikane

14/09/2019 8:00 AM 0 komente

Siç shkruan Adriano Milovan për Novac, eksportuesit kryesorë kroatë po ndjekin me vëmendje të madhe shenjat e ngadalësimit në ekonominë europiane, veçanërisht atë gjermane dhe italiane, dhe po përgatiten për mundësinë e një recesioni të ri, në mënyrë që bizneset e tyre të mos marrin një goditje të rëndë.

Kjo u konfirmua nga drejtuesit kryesorë të disa prej ndërmarrjeve më të mëdha kroate, të cilat, janë të lidhura ngushtë me dy tregjet europiane kritike, si Gjermania dhe Italia.

Të dyja këto shtete janë në prag të një recesioni të ri dhe njëkohësisht partnerët kryesorë të tregtisë së jashtme të Kroacisë, (me numrin më të madh të turistëve që vijnë pikërisht nga Gjermania dhe Italia). Rënia e tyre në një recesion do të tërhiqte me vete me siguri edhe Kroacinë. Asnjë kroat nuk mund ta harrojë recesionin e fundit në të cilin ra vendi, njëkohësisht edhe recesioni më i gjatë në të gjithë Europën, që zgjati gjashtë vjet dhe la pas një varrezë të vërtetë ekonomike. Mjafton të kujtojmë faktin që, gjatë viteve të krizës, vendi humbi rreth 200,000 vende pune.

“Recesioni i kaluar na dha një goditje të rëndë. Ne na u desh të pushonim rreth 150 punonjës”, kujton Zdravko Jelčić, CEO i Spin Vallis, një nga eksportuesit më të mëdhenj të Kroacisë në industrinë e përpunimit të drurit.
Prandaj nuk është për t’u habitur që kompanitë kroate janë të shqetësuara për zhvillimet e tanishme në Gjermani dhe Itali.

Ekipe të veçanta për të analizuar rrezikun që i kanoset Kroacisë nga gjendja e shteteve si Gjermania dhe Italia nuk janë formuar ende, por tashmë është zhvilluar një strategji për t’iu përgjigjur një recesioni të ri në Europë. Z. Jelčić beson se ka një rënie të lehtë të kërkesës për produkte të caktuara.
Këtu vlen të përmendet se 85% e të ardhurave të Spin Vallis gjenerohen nga eksportet me tregje si Gjermania, Italia dhe Austria.

“Ne nuk kemi një ekip të veçantë njerëzish që të merremi me një recesion të ri, por po tregohemi më të kujdesshëm në lidhje me procesin e investimit dhe të rekrutimit. Nëse kjo krizë do të avancojë, ne mund t’u drejtohemi edhe tregjeve të tjera. Por ne ende shpresojmë që të mos të detyrohemi që të marrim vendimin në fjalë, përfundoi z. Jelčić.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of