Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që nga sot të vendoset reciprocitetit ndaj Serbisë sa u përket targave të automjeteve. Dokumenti u nënshkrua nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Në vendim thuhet se vlefshmëria e këtyre targave të përkohshme është 60 ditë.
Njësitë e Specializuara të Policisë së Kosovës sot në orët e hershme të mëngjesit janë pozicionuar në zonën kufitare Kosovë – Serbi në Jarinje.
Ky veprim është bërë pasi se ka filluar vendosja e “tabelave provuese” për veturat që hyjnë nga Serbia në Kosovë.
Nga sot nuk do të lejohet qarkullimi i veturave me targa KS, por vetëm atyre me RKS. Ata që posedojnë këto targa, nuk do të lejohen të kalojnë kufirin.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se MPB dhe Policia e Kosovës po e mbikëqyrin zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë.
Sveçla ka njoftuar se MPB nga nxjerrë vendim që obligon me targa të përkohshme të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe Hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, në të gjitha pikat e kalimit kufitar.
“Me këtë rast, MPB-ja, me qëllim të mundësimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve edhe pas skadimit të marrëveshjes së 14 shtatorit të vitit 2014, ka nxjerrë vendim që aranzhon dhe obligon pajisjen me targa të përkohshme për të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Dhe njëkohësisht ka ndërmarrë të gjitha masat e domosdoshme për të reduktuar në maksimum pritjet në pikat kufitare”, ka shkruar Sveçla.
Sveçla ka shtuar se nga data 15 shtator, nuk ka në qarkullim asnjë veturë të pajisur me targa valide “KS” dhe se të vetmet targa ligjore janë ato “RKS”.
“Njoftojmë opinionin se nga data 15 shtator nuk ka në qarkullim asnjë veturë të pajisur me targa valide “KS” dhe rrjedhimisht targat e vetme ligjore dhe me afat të lëshuara nga zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme janë ato me denominimin “RKS”. Situata është e qetë. Policia e Kosovës i ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme operative dhe logjistike që të mos pengojnë dhe vonojnë lëvizjen e njerëzve dhe të mallrave”, ka shkruar Sveçla
Në vendimin të cilin e ka bërë publik thuhet se “obligohet pajisja me targa të përkohshme për të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës. Pajisja me targa të përkohshme bëhet në të gjitha pikat e kalimit kufitar të Republikës së Kosovës”
Tutje në vendim thuhet se vlefshmëria e këtyre targave të përkohshme është 60 ditë.
Javën e kaluar kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka deklaruar se reciprociteti ndaj Serbisë nuk është hakmarrje por koncept, i derivuar nga barazia si vlerë.
Në një konferencë për media, Kurti deklaroi se donim që Serbia t’i heq barrierat, që sipas tij, disa janë sporadike dhe disa sistematike.
“E duam reciprocitetin që Serbia t’i heq barrierat e vendosura. Kur të jemi gati për vendosjen e tij, me siguri që do të njoftoheni dhe ta merrni vesh. Lidhur me një vjetorin e marrëveshjes që ka qenë në formë të dy zotimeve të njëanshme në Uashington më 4 shtator, mund të them që Ministria e Punëve të Jashtme bën analiza dhe vlerësime të brendshme se ku do të aplikojmë, kur dhe për çka”.
Me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, e cila u arrit në korrik të vitin 2011 në dialogun teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.
Këtë vit, Ministria e Brendshme e Kosovës ka njoftuar se do të hiqen nga qarkullimi të gjitha targat KS dhe veturat e Republikës së Kosovës do të bartin vetëm targat RKS.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.