Qeveria ka hapësira për dixhitalizimin e mëtejshëm të pagesave të saj, në mënyrë që të reduktojë qarkullimin e parasë cash në ekonomi.
Pagesat e pensioneve në banka dhe jo në sportelet e postave dhe pagat e administratës publike direkt nga Thesari në banka janë dy veprimet e para që mund të ndërmerren, rekomandoi Banka Botërore në një studim të thelluar për dixhitalizimin e pagesave. Rekomandimet janë dorëzuar në Komitetin Shqiptar të Pagesave që udhëhiqet nga Banka e Shqipërisë.
Pagesat e qeverisë (p.sh. paga e sektorit publik, pensionet, pagesa e papunësisë, etj.) përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të pagesave kombëtare me pakicë (në vëllim) dhe aplikohen periodikisht.
Kur dixhitalizohen, ato mund të çojnë në përfshirje më të lartë financiare, në kuptimin e qasjes dhe përdorimit të instrumenteve dixhitale.
Në këtë kuptim, qeveria mund të tregojë rrugën për aktorët e tjerë ekonomikë në ekonomi për sa i përket dixhitalizimit të pagesave.
Edhe pse në rastin e Shqipërisë, pagesa të qeverisë janë dixhitalizuar në njëfarë mase, ka ende vend për të arritur dixhitalizimin e plotë nga fundi në fund
Dixhitalizimi i pagesave të qeverisë u identifikua si një nga përparësitë në Strategjinë Kombëtare të Pagesave për Shitje me pakicë.
Rekomandimet kërkojnë kanalizimin e pagesave të pensioneve përmes llogarive bankare, të cilat aktualisht shpërndahen përmes zyrave postare.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore mund të zvogëlojë kostot administrative, duke kanalizuar pagesa në llogaritë bankare.
Banka Botërore gjithashtu rekomandoi zgjerimin e portalit e-Albania në lidhje me numrin e shërbimeve qeveritare (qendrore dhe lokale) që mund të paguhen direkt nga thesari në banka.
Për të arritur një dixhitalizim më të plotë rekomandohet rishikimi i tarifave të shërbimeve qeveritare, duke i ndarë disa nga këto tarifa me përdoruesit.
Pavarësisht se kush i paguan tarifat, përdorimi i instrumenteve dhe kanaleve elektronike duhet të stimulohet, duke diferencuar tarifat për ato opsione kundrejt parave cash.
Përfituesit duhet të jenë në gjendje të zgjedhin llojin e llogarisë dhe institucionin për të marrë pagesën.
Banka rekomandon se, Thesari duhet të marrë në konsideratë derdhjen e pagave të administratës direkt në llogaritë bankare, duke u koordinuar me listat që vë në dispozicion Departamenti i Administratës Publike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.