Flet Grigor Joti, aksioneri kryesor i “Joti-Infosoft Group sh.p.k
Reduktimi nga 15% në 5% për tatimfitimin tek prodhimi i software ka efekte pozitive, por nuk është gjithëpërfshirëse për të nxitur sektorin vendas drejt rritjes. Grigor Joti, aksioneri kryesor i “Joti-Infosoft Group sh.p.k”, një nga kompanitë kryesore në treg, tha për “Monitor” se nisma e qeverisë nuk është e qartë dhe se vetëm pas akteve nënligjore do të shihet mënyra e zbatimit. Gjithsesi, askush sot nuk mund të thotë ndikimin që do të ketë.
Z. Joti, si e vlerësoni uljen e tatimfitimit nga 15 në 5% për sektorin e prodhimit të software-ve nga qeveria e sanksionuar në paketën e fundit fiskale tashmë në fuqi? Çfarë ndikimi pritet të japë ajo te bizneset e këtij sektori?
Incentiva e dhënë nga qeveria, që redukton tatimfitimin nga 15% në 5%, mbetet e paqartë në aspektin e zbatimit të saj. Gjatë takimeve që kemi pasur me përfaqësuesit e qeverisë, na është thënë se do të dalin udhëzime të posaçme për mënyrën e aplikimit. Duhet të kemi parasysh që kompanitë që zhvillojnë aktivitetin e fushën e IT, japin shërbime të integruara dhe prodhimi i software është një pjesë integrale e tyre, kurse lehtësia fiskale është parashikuar vetëm për segmentin e prodhimit të software. Pyetja që shtrohet është si do të diferencohet fitimi që ka arkëtuar një kompani nga shërbimi i saj në segmentin e prodhimit të software kur ky i fundit shoqërohet edhe me shërbime të tjera? Gjithashtu, edhe vetë koncepti prodhim software është shumë i diskutueshëm. Për shembull si do të konsiderohet ajo që quhet “customising the software”, apo “supportin e software”? Kuptohet, ka një vit kohë që të nisë zbatimi, pasi tatimfitimi merret pas mbylljes së vitit, por gjithsesi është diçka që duhet saktësuar. Sot, që ndodhemi përpara kësaj mase lehtësuese, nuk di të them se cili do të jetë ndikimi që do të ketë te kompanitë shqiptare.
A mendoni që mund të ishin marrë masa të tjera lehtësuese që e zgjeronin segmentin e përfituesve?
Ndoshta mund të ishte menduar ndonjë lehtësi tjetër më gjithëpërfshirëse në fakt, për shembull TAP tek të punësuarit në sektorin e IT të ishte më i reduktuar. Në hipotezat që mund të bëhen që janë lidhur me uljen e tatimfitimit duket se ka të bëjë me nxitjen e investimeve të huaja në këtë drejtim, pra kompanive të mëdha që vijnë dhe investojnë në sektorin e IT në Shqipëri.
Gjithashtu, një skenar i një parajse fiskale, nuk është i pamundur edhe për Shqipërinë në kushtet e kësaj oferte. Skema të tilla janë të njohura në botë. Për shembull, një kompani kroate A, që operon në fushën e IT, vjen dhe regjistron në Shqipëri kompaninë B, si kompani që prodhon software dhe ka vetëm dy të punësuar. Kompania A, në Kroaci prodhon software, të cilin ia shet kompanisë B në Shqipëri me vlerën e kostos, p.sh. 100,000 euro. I njëjti software por nën etiketën e rizhvillimit, rishitet nga B në një kontraktor të A diku në Kroaci apo në një vend tjetër për 200,000 euro. Tatimfitimi në këtë rast për kompaninë B, por edhe për kroaten A, është 5%. Arkëtimi i tatimfitimit, në këtë rast, qoftë edhe 5%, padyshim që është pozitiv për buxhetin e vendit tonë, por këto praktika janë në kundërshtim me direktivat e BE-së dhe në një moment patjetër që do të atakohen prej saj.
Mendoj se në procesin e hartimit të udhëzimeve të zbatimit të kësaj mase, duhen parë edhe mundësitë në lidhje me punësimin që vjen nga këto raste apo investimin që kryhet. Këto specifika i takon qeverisë që t’i vendosë. Ajo që dua të theksoj është që në rastet kur ka vendimmarrje për sektorë të caktuar, biznesit duhet t’i jepet më shumë mundësi për t’u konsultuar. Për nismën e fundit, nuk kemi qenë pjesë e ndonjë tryeze konsultimi.
Skema e Shmangies
Një kompani kroate A, që operon në fushën e IT, vjen dhe regjistron në Shqipëri kompaninë B, si kompani që prodhon software dhe ka vetëm dy të punësuar. Kompania A, në Kroaci prodhon software, të cilin ia shet kompanisë B në Shqipëri me vlerën e kostos, p.sh. 100,000 euro. I njëjti software por nën etiketën e rizhvillimit, rishitet nga B në një kontraktor të A diku në Kroaci apo në një vend tjetër për 200,000 euro. Tatimfi timi në këtë rast për kompaninë B, por edhe për kroaten A, është 5%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.