Referendumi italian për reformën kushtetuese është më i rëndësishëm se Brexit. Këtë fakt e nënvizon Wall Street Journal në edicionin e gushtit. Prestigjiozja e ka vënë Italinë në qendër të krizës europiane për shkak të stanjacionit ekonomik, por jo vetëm.
Analiza shqetësuese e së përditshmes amerikane ka të bëjë me vëmendjen ndaj skadencës që po afrohet me vjeshtën.
Edhe New York Times e Financial Times kanë lëshuar sinjale të njëjta, duke i veshur Italisë shifrat e një rritjeje tepër të dobët. Nga ana tjerër, ata nënvizojnë rrezikun e një shoku politik që do të turbullonte sërish Bashkimin Europian.
Gazeta e përditshme spanjolle e ka cilësuar Italinë si “të sëmurën e re” të Europës, e cila mund të tërheqë kontinentin sërish në krizë.
Emisarë të ndryshëm të botës së financës e të industrisë botërore, që nga njerëzit e George Soros e deri te menaxherët kryesorë të Silicon Valley, kanë shfaqur shqetësimin e tyre gjatë vizitave që kanë zhvilluar në Itali.
Nga ana tjetër vijnë mesazhe se qeveria ‘Renzi’ duhet të marrë nga Brukseli një marzh tolerance më të madh, për të hedhur një manovër buxheti në favor të zgjidhjes së krizës.
Mbi Italinë, prozhektorët, i drejtuan të dhënat e së premtes së shkuar që konfirmuan se ekonomia e Eurozonës po rritet, por në mënyrë të ngadaltë. Rritja po udhëhiqet nga Gjermania, e cila performoi më mirë nga parashikimi, ndërsa Italia pati stanjacion.
Analiza e Wall Street Journal shkon pas, në vitin e fillimit të krizës, 2008. Sipas saj, nga viti 1996-2011 rritja e ekonomisë italiane ishte mesatarisht 0.9% në vit përkundrejt 1.4% në Gjermani, 1.8% në Francë, 2.6% në Spanjë”. Këto pasoja do të ndikojnë më së shumti te të rinjtë, papunësia te të cilët po arrin nivelin 36.5% kundrejt mesatares europiane 20.8%.