Në mes të prillit, Këshilli Europian miratoi reformën e copyright të BE-së. Ndër më të diskutuarit, neni 11
Më 27 mars 2019, Parlamenti Europian miratoi, me konsensus të gjerë, reformën e copyright të BE (në zhargonin parlamentar, Direktiva mbi të drejtën e autorit në tregun e vetëm dixhital) që parashikon ndryshime thelbësore në menaxhimin dhe mbrojtjen e së drejtës së autorit. Këshilli Europian miratoi të njëjtin tekst më 15 prill 2019 (19 shtete votuan pro, 6 shtete kundër dhe 3 abstenuan) duke u bërë kështu një ligj i Bashkimit Europian.
“Po” e parë nga Parlamenti i Strasburgut duhet të kishte ardhur në verën e vitit 2018, por zërat e ndryshëm kundër e vonuan me disa muaj miratimin. Në veçanti, vëmendjen e kritikëve e tërhoqi Neni 11 dhe Neni 13 (respektivisht tani neni 15 dhe 17 në tekstin përfundimtar të Ligjit për Copyright të BE).
Neni i parë ndryshon raportin mes editorëve, gazetarëve dhe agreguesve të lajmeve (si për shembull Google News); i dyti vendos kontrolle më të rrepta për ata që drejtojnë portale që mbështeten në User Generated Content (si për shembull YouTube) për të shmangur publikimin e përmbajtjeve që mbrohen nga e drejta e autorit. Në shumë raste, Wikipedia e ka bërë të palexueshme faqen e saj; YouTube ka shfaqur një paralajmërim në homepage e tij për disa ditë; Google ka ndryshuar shfaqjen e rezultateve të kërkimit, duke treguar se si mund të ndryshojnë faqet e rezultateve të kërkimit, për shkak të rregullave të reja mbi të drejtën e autorit.
Në mbështetje të gjigantëve të teknologjisë kanë dalë shoqata të ndryshme për mbrojtjen e lirisë së fjalës, aktivistë dixhitalë dhe ekspertë të së drejtës informatike dhe pronësisë intelektuale, të cilët kanë hartuar dhe nënshkruar një peticion për të bllokuar miratimin e saj. Por, përpjekjet nuk kanë dhënë rezultate domethënëse.
Reforma e copyright, çfarë ndryshon për përdoruesit e faqeve web
Efektet e ligjit të ri për të drejtën e autorit të BE nuk do të jenë të menjëhershme. Siç parashikon procesi legjislativ europian, Shtetet Anëtare kanë dy vjet kohë për të ratifikuar direktivën dhe për ta shndërruar kështu në ligj kombëtar. Në këtë hark kohor, Parlamentet kombëtare mund të ndërhyjnë duke korrigjuar disa detaje (por duke mos shtrembëruar kuptimin) të tekstit. Por nuk duhet të harrojmë se më 26 maj do të zhvillohen zgjedhjet e Parlamentit Europian, që mund të ndryshojnë ekuilibrat aktualë të Strasburgut, me pasoja të mundshme edhe në reformën e copyright.
Neni 11 i reformës së copyright, çfarë parashikon dhe si duhet të ndryshojë web
Neni 15 i reformës së copyright, i titulluar “Mbrojtje e publikimeve me natyrë gazetareske në rast të përdorimit dixhital”, lind me synimin për të rregulluar marrëdhënien mes editorëve dhe krijuesve të përmbajtjeve, si dhe portaleve që mbledhin dhe përzgjedhin lajmet. Deri më sot, kushdo mund të krijonte një agregues, duke u dhënë mundësinë përdoruesve të qëndronin të azhurnuar, duke lexuar titujt dhe përmbajtje të shkurtra, duke mos paguar asgjë.
Bëhet fjalë, për një lloj motori kërkimi, që “krijon” një të përditshme gjithnjë të azhurnuar me lajmet e momentit. Disa shembuj? Google News, Flipboard, Feedly, Diggita e shumë të tjerë. Me nenin 15 të Direktivës për të Drejtën e Autorit (ish-neni 11), platformat që publikojnë snippet me natyrë gazetareske janë të detyruara të marrin praktikisht një licencë nga marrësi i të drejtave.
Natyrisht, editori apo gazetari mund të kërkojë që t’i njihet një kompensim nga ana e shoqërive që menaxhojnë agreguesit apo platformat që publikojnë snippet (fragmente të shkurtra të përbëra nga tituj dhe një përshkrim i shkurtër i përmbajtjes).
I njëjti nen parashikon edhe disa përjashtime: në rastin kur publikohet vetëm linku apo “një fjalë e vetme apo fragmente të shkurtra” nuk ju kërkohet të paguani asgjë. Direktiva europiane nuk specifikon se çfarë do të thotë termi “fragmente të shkurtra” (sa fjalë e përbëjnë një fragment të shkurtër? 5, 10, 15?) dhe është e thjeshtë të supozohet se marrëveshjet mes editorëve, gazetarëve dhe kompanive web do të kenë të bëjnë me këtë përkufizim. Ndikimi që mund të ketë ky ligj nuk lidhet vetëm me portalet që mbledhin lajme nga burime të ndryshme.
Edhe pse nuk e kuptoni, duke bërë një kërkim të thjeshtë në një motor kërkimi si Google, Bing, Yahoo! apo Arianna, ju sigurisht që përballeni me të paktën një rezultat me natyrë gazetareske. Me fjalë të tjera, në momentin që do të hyjë në fuqi ligji për copyright në tregun e vetëm dixhital, nuk do të ndryshojnë vetëm agreguesit, por edhe motorët e kërkimit.
Një pamje se si mund të jetë web-i nga këtu në disa vite më pas na e ka dhënë tashmë Google. Në ditët e diskutimit në Strasburg, rrjeti më i madh i kërkimit bëri një eksperiment, duke modifikuar shfaqjen e rezultateve që lidhen me normën e re europiane. Snippet e të përditshmeve dhe portaleve të informacioneve u zëvendësuan nga linke në përmbajtje, ose më së shumti vetëm me titullin. Sipas të dhënave të gjigantit të Mountain View, trafiku organik i portaleve objekt i eksperimentimit ra me rreth 30%.
*Agreguesi i lajmeve përzgjedh lajmet e fundit dhe i grupon sipas rëndësisë në një meny në të cilën keni akses të lirë. Ndër agreguesit më të mirë të lajmeve përmendim Google News apo Flipboard