Projektbuxheti 2021 ofron një financim të plotë për institucionet e ngritura të Sistemit të Drejtësisë, ku në total shkon në 7.5 miliardë lekë ose 0.4% e PBB-së.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj prezantoi para deputetëve të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut projektbuxhetin e vitit 2021.
Ajo bëri një paraqitje të plotë të shtyllave të këtij dokumenti të rëndësishëm, duke e vënë theksin te aspekte si, mbështetja financiare për vijueshmërinë e Reformës në Drejtësi, rritjen e fondeve dedikuar për pushtetin vendor apo edhe për sektorët prioritarë, si shëndetësia, arsimi, bujqësia etj..
“Dëshiroj të ndalem tek Reforma në Drejtësi dhe te mbështetja buxhetore e dhënë përgjatë viteve 2017-2020 e në vijim. Kjo mbështetje shprehet në buxhetet e miratuara për të gjitha institucionet që janë aktorë të këtij sistemi. Më konkretisht, buxheti i këtyre institucioneve në total në vitin 2020 është rritur me rreth 4.4 miliardë lekë, krahasuar me buxhetin e miratuar për vitin 2016, vit në të cilin filloi Reforma në Drejtësi, nëpërmjet miratimit të paketës ligjore”, tha Ministrja Denaj
Ministrja gjithashtu shtoi se Reforma në Drejtësi krahas rritjes së fondeve buxhetore është shoqëruar edhe me një rritje të vijueshme të burimeve njerëzore, ku personeli i shtuar i institucioneve rezulton me 668 punonjës gjithsej.
“Qeveria është tejet e vendosur që Reforma në Drejtësi të financohet brenda standardeve të kërkuara, pasi është një kusht i domosdoshëm për të pasur një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe mirëqenie sociale për vendin”, tha Ministrja.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.