Intervistë me prof. Oltion Rrumbullaku, pedagog, Universiteti i Tiranës
Z. Rrumbullaku, mendoni se reforma në arsimin e lartë ka stimuluar universitetet private?
Reforma në arsimin e lartë është marrë me shumë elemente anësore, por pa i shkuar në thelb një pjese të shqetësimeve të arsimit të lartë dhe studentëve në veçanti. Shqipëria është në një prirje të uljes së numrit të studentëve në dy dekadat e ardhshme dhe përpjekjet duhet të fokusoheshin në cilësinë më të madhe të studentëve të ardhshëm, duke përmirësuar atë që universitetet vetë kanë arritur tashmë. Universitetet publike, të paktën ata që janë në kryeqytet, janë ndër institucionet me më shumë integritet në sektorin publik në Shqipëri, me cilësi të vazhdueshme në përmirësim, me tregues shumë të ulët të korrupsionit dhe me një staf akademik në përmirësim të vazhdueshëm në botimet shkencore. Ndërkohë, kjo reformë nuk niset nga këto aspekte pozitive, por e nxin fort arsimin publik, duke krijuar një skemë financimi që fut në një thes si universitetet publike, ashtu edhe ata private. Po ashtu është krijimi i shumë agjencive të veçanta që do të mbikëqyrin shumë veprimtari të arsimit të lartë, që në kushtet e burokracisë shqiptare do ta kenë shumë më të lehtë të “favorizojnë” arsimin privat, kundrejt atij publik.
Duke qenë se një pjesë e tyre u mbyllën, a mund të themi se ata që mbetën në treg, tashmë janë më të fuqishëm?
Kjo është një çështje e vendimmarrjes politike të qeverisë shqiptare, por ishte shumë e mundshme që kriteret e akreditimit ishin më rigoroze dhe po ashtu, të kishte një vëmendje më të madhe kundrejt produktit aktual të një pjese të universiteteve publike që janë ende në funksionim.
A është universiteti privat një biznes apo një ambient i fokusuar te dijet? Si e rrezikon cilësinë e diplomës pasja prioritet e fitimit?
Problemi më i madh i universiteteve private në Shqipëri është se qëllimi i tyre primar dhe kryesor është thjesht fitimi. Kjo vihet re në momentin që këto universitete bëhen pjesë e grupeve të ndryshme të biznesit dhe po ashtu, kanë influencë të madhe në media apo në politikë. Në vijim besoj se shumë prej grupeve të biznesit do kuptojnë që potenciali i këtij tregu është më i vogël sesa parashikimet dhe do të kenë vështirësi që, për shkaqe nga më të ndryshmet, skema e financimit publik të jetë e tillë sa të sigurojë fitime të majme për këto grupe biznesi. Për pasojë do të ketë tentativa për zgjerim vertikal të këtyre grupeve të biznesit, duke kërkuar zgjerim në tregun e arsimit të mesëm dhe atij të ulët. Kjo do ta vërë edhe më shumë në vështirësi sistemin publik për shkak se nuk do të synohet vetëm financimi nga arsimi i lartë, por edhe në nivelet e tjera.
Një pjesë e universiteteve private janë kthyer në OJF, mendoni se janë më cilësorë?
Kjo është një çështje thjesht e formës sesa e përmbajtjes. Në fund të fundit, shumica e universiteteve private kanë interes të plotë mbi arkëtimet e mundshme që mund të marrin nga studentët dhe neglizhojnë pjesën kryesore të veprimtarive që kanë lidhje me kërkimin shkencor dhe vetë kontributin e mirëfilltë në ekonomi dhe në konsulencën ndaj bizneseve.
A është liberalizuar tregu i arsimit pas kësaj reforme? (ka akuza se arsimi i lartë shtetëror ka qenë monopol)
Reforma në arsimin e lartë mund të thuhet që nuk ka nisur ende. I gjithë procesi i hyrjes në universitete është thjesht një dëshmi se si mund të ndikohet dhe çorientohet procesi i regjistrimit në universitete, nga një burokraci institucionale që vepron me vonesa të jashtëzakonshme për të shkaktuar sa më shumë panik te studentët, në mënyrë që të ndihen të pasigurt që mund të fitojnë degët e dëshiruara në universitete publike dhe të orientohen drejt degëve analoge në universitete private. Kjo duket shumë qartë nga fakti që nëse në fazën e tretë në degën e financës në UT mund të futeshin studentë me mesatare 9.5 e lartë, ndërsa në degën analoge në universitetin privat me më shumë kuota mund të regjistroheshin dhe studentë me mesataren minimale 6. Pra, në fund të fundit i gjithë ky panik ka pasur qindra e qindra studentë që janë detyruar të zgjedhin degë shumë më inferiore nga mundësitë e tyre, duke mos pasur një zgjedhje optimale dhe për më tepër, në disa raste edhe me kosto të panevojshme duke u detyruar të zgjedhë një universitet privat.
Si janë kërkesat në tregun e punës për studentët që përfundojnë arsimin në universitetet publike? Keni të dhëna?
Informacionet e mia janë vetëm për degën e financës në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës dhe kuptohet që studentët e kësaj dege njihen si një markë e sigurt dhe e besueshme në tregun e punës në Tiranë dhe Shqipëri. Pjesa dërrmuese e profesionistëve të lirë në këtë fushë sjellin pa asnjë hezitim pasardhësit e tyre që të studiojnë në këtë fakultet, sepse e kanë shumë të qartë se blloku i njohurive dhe cilësia e studimeve përkatëse është e domosdoshme për t’i bërë ballë një tregu pune që kërkon menjëherë punonjës që të jenë operativë që në muajt e parë të punës.
Sa ka qenë rritja e tarifave të arsimit në universitetet publike dhe mendoni se do të rriten më tej ato?
Tarifat e arsimit në universitetet publike janë të ngjashme me vitet e mëparshme. Personalisht mendoj se këto tarifa janë tashmë shumë të larta në sistemet e studimeve Master dhe vetë buxheti i shtetit i ka mundësitë që të jetë më i pranishëm në financimin e shpenzimeve të arsimit të lartë. E përmenda pak më lart që në dhjetë vitet e ardhshme, numri i studentëve do të bjerë me të paktën 30%, kështu që vetë projektimet afatgjata buxhetore duhet të tentojnë që të krijojnë mundësi për një përmirësim të cilësisë së arsimit duke mos pasur nevojë për rritje dramatike të shpenzimeve buxhetore përkatëse.
Çfarë këshillash jepni për studentët, ku duhet të shkojnë ata?
Studentët shqiptarë duhet të tentojnë të dalin nga mendësia traumatike e tranzicionit që mjafton një diplomë, mjafton një karton i diplomës dhe do të kesh dyert e hapura në jetë. Një student i vërtetë është ai që kërkon më të mirën nga vetja, synon të përmirësohet vazhdimisht, nuk i trembet sfidave dhe ngarkesave mësimore dhe në këtë mënyrë, bëhet gati edhe për tregun e punës. Vetë tregu i punës kërkon specialistë që të punojnë gjithë kohës, edhe jashtë orarit zyrtar, edhe të shtunën apo të dielën, kështu që edhe në studimet universitare, studentët duhet të krijojnë një mendësi të tillë. Tashmë çdo student mund të studiojë gjithçka, jo vetëm në auditorë, por edhe në mënyrë autodidakte në mijëra kurse universitare online që ofrohen nga universitetet më të mira në botë. Sado të përpiqemi të ndërtojmë një universitet të përkryer në Shqipëri, përsëri përvoja qindravjeçare e vendeve më të zhvilluara në botë është e pakufi, kështu që një student me mendësi perëndimore mund t’i bëjë të dyja njëkohësisht, të studiojë sa më shumë në degën përkatëse në Shqipëri, me një sy në kurset online apo programet e mundshme të shkëmbimit me universitetet perëndimore, duke marrë më të mirën nga të dy sistemet.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.