Intervistë me ministrin në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj
Bashkimi Europian po aplikon një metodologji të re për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, sipas së cilës pranimi i anëtarëve të rinj do të jetë i bazuar në arritjet individuale të secilit prej shteteve aspirante dhe jo pranime në bllok, siç ka ndodhur në të shkuarën.
Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, tha në një intervistë për “Monitor” se, sipas rregullave të reja, perspektiva europiane e Ballkanit Perëndimor varet nga dinamika e plotësimit të kushteve të nevojshme për t’u bërë anëtar i BE-së.
Cakaj shpjegoi se Komisioni i tanishëm, ndryshe nga Komisioni paraprak që pati vlerësuar se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk do të jenë të gatshme të anëtarësohen në BE para 2025, është treguar më i kujdesshëm sa i përket vënies së kufijve kohorë për anëtarësimet e reja. Komisioni aktual ka një prirje më të theksuar për të nënvizuar rëndësinë e rezultateve të reformave të nevojshme sipas parimeve të metodologjisë së re. Ndaj, duke pasur gjithnjë vëmendjen edhe te një varg faktorësh rrethanorë, plotësimi i kushteve të nevojshme është kyç për të ecur përpara në rrugën europiane.
Ai tha se procesi i negocimit është më i rëndësishëm se akti i anëtarësimit, pasi transformimi rrënjësor i Shqipërisë dhe vendeve të tjera aspirante ndodh pikërisht nëpërmjet zbatimit të detyrimeve, në kuadër të procesit të negocimit, ndërsa anëtarësimi përfundimtar në BE është vetëm kurorëzimi formal i të gjitha transformimeve që kanë ndodhur paraprakisht.
Ministër, cila është perspektiva e integrimit të Shqipërisë dhe e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian?
Procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian në Ballkanin Perëndimor, pavarësisht problemeve të shumta, vazhdon të jetë nxitësi kryesor i reformave në fushën e sundimit të ligjit, zhvillimit të ekonomive funksionale të tregut dhe mbylljes së çështjeve dypalëshe.
Kjo është thjesht e dukshme nga mbështetja teknike dhe politike e një varg procesesh kyçe për rajonin, nga reforma në drejtësi e Shqipërisë e deri te mbyllja e kontestit dypalësh për çështjen e emrit shtetëror mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë me Marrëveshjen e Prespës. Megjithatë, disa autoritete europiane ruajnë bindjen se potenciali i reformave që përmban procesi i bisedimeve për anëtarësim në BE shpeshherë nuk ka dhënë rezultatet e duhura.
Prandaj, për të adresuar këtë çështje, tashmë është miratuar një metodologji më rigoroze në zhvillimin dhe vlerësimin e negociatave për anëtarësim në BE. Sipas rregullave të kësaj metodologjie, perspektiva europiane e Ballkanit Perëndimor varet nga dinamika e plotësimit të kushteve të nevojshme për t’u bërë anëtar i BE-së.
Për më tepër, siç e rikonfirmon edhe Komunikimi i Komisionit Europian për Politikat e Zgjerimit, pranimi i anëtarëve të rinj në BE do të jetë i bazuar në arritjet individuale të shteteve aspirante (merit-based process) dhe jo në një integrim en block, të themi, sipas formulës së zgjerimit të vitit 2004. Në këtë kuptim, çdo kërkesë për anëtarësim në BE duhet të mbështetet, para së gjithash, në arritjet dhe meritat e vendeve përkatëse.
Sidoqoftë, pavarësisht rëndësisë së patjetërsueshme të plotësimit të kushteve për anëtarësim, ekziston një dimension tjetër politik që duhet marrë parasysh: procesi i reformave të vetë BE-së. Në rrethanat aktuale, së paku disa vende anëtare, kanë qenë të prirura të ngadalësojnë/ndalojnë procesin e zgjerimit, pa një reformë paraprake të BE-së.
Ndonëse kjo qasje nuk është përkthyer asnjëherë në politikë zyrtare të BE-së, atmosfera politike e imponuar prej këtyre vendeve, shpeshherë e ka vështirësuar vendimmarrjen në çështje që lidhen me zgjerimin, sikurse ka qenë rasti me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në një numër mbledhjesh të Këshillit (qershor 2018, qershor 2019, tetor 2019, mes të tjerash).
Thënë ndryshe, pra, procesi i reformave brenda BE-së duhet të merret parasysh paralelisht me atë të reformave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në çfarëdo diskutimi e vlerësimi për ndonjë zgjerim të mëtejmë.
Vlen po ashtu të theksohet, se Komisioni i tanishëm, ndryshe nga Komisioni paraprak që pati vlerësuar se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk do të jenë të gatshme të anëtarësohen në BE para 2025, është treguar më i kujdesshëm në vënien e kufijve kohorë për anëtarësimet e reja. Komisioni aktual ka një prirje më të theksuar për të nënvizuar rëndësinë e rezultateve të reformave të nevojshme sipas parimeve të metodologjisë së re. Ndaj, duke pasur gjithnjë vëmendjen edhe te një varg faktorësh rrethanorë, plotësimi i kushteve të nevojshme është kyç për të ecur më tutje në rrugën europiane.
Raporti i fundit i Komisionit për Shqipërinë është shumë inkurajues, sepse konfirmon arritjett domethënëse e të qëndrueshme të Shqipërisë në fushat themelore për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare.
Për çeljen reale të negociatave, BE ka vënë disa kushte për Shqipërinë. Në çfarë faze është plotësimi i tyre?
Një korrigjim i vogël paraprakisht: vendimi për hapjen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë është marrë në mars të vitit 2020. Pra, gjykuar nga pikëpamja e përgjithshme politike, Shqipëria tashmë është një vend që zyrtarisht negocion anëtarësimin në BE. Sidoqoftë, fillimi i pjesës përmbajtësore të negocimit nis me Konferencën e Parë Ndërqeveritare.
Këtu, megjithatë, duhet sqaruar se para mbajtjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare ekziston një proces teknik që i paraprin asaj: përkatësisht, shqyrtimi analitik i acquis dhe përgatitja e kornizës negociuese (në rastin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është dashur edhe një vlerësim shtesë i Komisionit Europian për ecurinë e reformave në rrugën europiane).
Me fjalë të tjera, edhe sikur të mos ekzistonte asnjë kusht para Konferencës së Parë Ndërqeveritare, për shkak të një varg çështjesh teknike, Shqipëria do të ishte saktësisht në fazën që gjendet tani, duke e bërë të njëjtën punë që po bën tani. Sfida në vijim është plotësimi pa ekuivok i të gjitha detyrimeve, ashtu siç janë përcaktuar nga Këshilli në mars të vitit 2020.
Nga ana tjetër, për t’iu kursyer prej vlerësimeve personale meqë mund të tingëllojnë të njëanshme, raporti i fundit i Komisionit Europian shërben si një dokument skajshmërisht i vyer, për të vlerësuar përparimin e Shqipërisë në përmbushjen e detyrimeve të nevojshme për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare.
Këtu, natyrisht, nuk do t’i shpalos të gjitha të dhënat dhe hollësitë empirike, sepse lexuesi mund t’i gjejë ato në vetë Raportin e Komisionit Europian.
Është e mjaftueshme, ndërkaq, të theksoj se Komisioni Europian vlerëson se Shqipëria ka bërë progres të qëndrueshëm e përmbajtësor në të gjitha fushat e përparësisë së veçantë, duke filluar nga mbyllja e reformës zgjedhore, forcimi i historikut në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ngritja dhe funksionalizimi i plotë i organeve të pavarura të gjyqësorit si Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe të Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, ngritja dhe funksionalizimi i Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimeve (BKH), përparimi në drejtim të plotësimit të vakancave të nevojshme në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese.
Përderisa veçanërisht funksionalizimi i Gjykatës Kushtetuese është thelbësor për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, duhet rikujtuar fakti se së voni janë ndërmarrë disa hapa pozitivë për rikthimin e funksionalitetit të Gjykatës Kushtetuese.
Krijimi i zonës së lirë ekonomike në Ballkan nuk po jep rezultate. A duhet të ndiqet një linjë tjetër për integrimin?
Bashkëpunimi rajonal, në të gjitha nivelet e tij, mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, asnjëherë nuk duhet parë si një alternativë ndaj BE-së. Përkundrazi, që nga fillimi i Procesit të Berlinit në vitin 2014, synimi themelor i vendeve nismëtare/pjesëmarrëse ka qenë nxitja e thellimi i bashkëpunimit rajonal, pikërisht për të rritur kapacitetet strukturore të vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE. Rrjedhimisht, edhe procesi i krijimit të tregut 18 milionësh të Ballkanit Perëndimor duhet vështruar si një hap përgatitor për integrim në tregun 500 e kusur milionësh të Bashkimit Europian.
Në këtë kontekst, duhet theksuar se përpjekjet e fundit për t’i zbatuar katër liritë themelore (lirinë e lëvizjes së njerëzve, shërbimeve, mallrave dhe kapitalit) në Ballkanin Perëndimor nuk kanë synim krijimin e një alternative ndaj BE-së, por rritjen e kapaciteteve për t’u bërë pjesë integrale e ekonomisë së saj. Anëtarësimi në Bashkimin Europian, pra, shkon nëpërmjet procesit të bashkëpunimit rajonal.
BE ka aktualisht shumë probleme, por kjo nuk do të thotë se Shqipëria ka shumë zgjedhje në raport me BE-në. Kësisoj, rruga e vetme është angazhimi i mëtejmë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Një analizë e fundit e ekspertëve të Institutit të Vjenës për Studime Ndërkombëtare Ekonomike sugjeron për një anëtarësim më të vonë të Shqipërisë në BE në raport me Rajonin. A ka pritshmëri për afatin se kur Shqipëria do të integrohet totalisht?
Qartë dhe prerë: nuk ekzistojnë afate të paracaktuara për anëtarësim në Bashkimin Europian për asnjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Anëtarësimi në BE, para së gjithash, varet nga performanca e vendeve aspirante në përmbushjen e standardeve të nevojshme për të qenë pjesë e familjes politike të Europës së bashkuar. Po ashtu, sikurse nënvizuam më sipër, shumëçka varet edhe prej vetë vlerësimeve politike dhe strategjike të vetë vendeve anëtare të Bashkimit Europian, për pranimin e anëtarëve të rinj.
Në këtë fazë, së paku, biseda për datat e mundshme të anëtarësimit duhet zëvendësuar me punën sistematike për të zbatuar planet e veprimit në procesin e negocimit. Diskutimi për datat e anëtarësimit është tepër i parakohshëm, ndërkohë plotësimi i kushteve për të avancuar më tutje në axhendën europiane, më se i domosdoshëm.
Me pak ironi mbase mund të shtoj se procesi i negocimit është më i rëndësishëm se akti i anëtarësimit: transformimi rrënjësor i Shqipërisë a vendeve të tjera aspirante ndodh pikërisht nëpërmjet zbatimit të detyrimeve në kuadër të procesit të negocimit, ndërsa anëtarësimi përfundimtar në BE është vetëm kurorëzimi formal i të gjitha transformimeve që kanë ndodhur paraprakisht.
Pa keqkuptime, kjo nuk do të thotë se Shqipëria duhet të vetëmjaftohet me të qenët një negociuese e përhershme pa një horizont të prekshëm anëtarësimi në BE. Kjo thjesht do të thotë se në këtë shkallë të procesit, Shqipëria duhet të përqendrohet plotësisht në reformat e brendshme dhe zbatimin e detyrimeve që kërkon avancimi i mëtejmë në rrugën drejt të anëtarësimit në BE. Sot, askush nuk mund të japë një datë se kur Shqipëria do të bëhet anëtare e BE-së.
Qartë dhe prerë:
Nuk ekzistojnë afate të paracaktuara për anëtarësim në Bashkimin Europian për asnjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Anëtarësimi në BE, para së gjithash, varet nga performanca e vendeve aspirante në përmbushjen e standardeve të nevojshme për të qenë pjesë e familjes politike të Europës së bashkuar. Po ashtu, sikurse nënvizuam më sipër, shumëçka varet edhe prej vetë vlerësimeve politike dhe strategjike të vetë vendeve anëtare të Bashkimit Europian, për pranimin e anëtarëve të rinj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.