Nga Geri Selenica
Gazsjellësi Maqedoni-Kosovë strategjikisht është një zgjidhje e gabuar. Furnizimi i Kosovës nga ky gazsjellës do të kishte dy burime: gazin e Azerbajxhanit nëpërmjet TAP dhe gazin natyror të lëngët (LNG) amerikan nëpërmjet terminalit të Aleksandrupolit në Greqi.
Së pari, TAP nuk ka ndarë asnjë sasi gazi për Kosovën, bile as për Shqipërinë. Nëse qëllimi është që Kosova të kyçet në TAP, normalisht nga pikëpamja tregtare rruga më e shkurtër është kyçja nga Maqedonia dhe Greqia. Kjo ide me shumë gjasa besoj është shtyrë nga Operatori Helenik i Sistemit të Transmetimit të Gazit (DEFSA), i cili mirëmban TAP në territorin e Greqisë dhe ka aksioner po aksionerin e TAP – SNAM, Itali https://www.snam.it/en. Pra do të zgjerojë tregun.
Nga pikëpamja strategjike dhe afatgjatë Kosova duhet të kyçet me TAP nëpërmjet Shqipërisë dhe jo Maqedonisë. Projekti ALKOGAP është tashmë i studiuar nga BE.
Së dyti, në se ky gazsjellës mund të sjellë edhe LNG amerikan, duhet të shpjegojmë se LNG amerikan transportohet me tankera, të cilët mund te shkarkohen ose në Aleksandrupoli, Greqi ose në Vlorë ose Porto Romano, Shqipëri. Transporti për në Kosovë ose mund të bëhet në gjendjen e lëngshme me hekurudhën e re që do të ndërtohet midis Shqipërisë dhe Kosovës ose mund të gazifikohet në port dhe të futet në tubat e ALKOGAP. Kjo është një lojë konkurrence midis DEFSA, Greqi dhe Shqipërisë, se kush do ta kapë tregun e Kosovës.
DEFSA duke qenë aksionere në Njësinë Lundruese të Magazinimit dhe Rigazifikimit (FSRU) të Aleksandupolit ka nevojë të rrisë tregun e LNG amerikane në Ballkan thjesht për interesin e saj të biznesit.
Në këtë njësi kanë hyrë aksionerë edhe qeveria e Serbisë dhe e Maqedonisë, që asnjë nuk i përmend në media. Pra Kosova i bie të furnizohet me gaz amerikan nga një kompani ku qeveria serbe është aksionere. Qeverinë e Kosovës nuk e fusin dot aksionere për shkak të Serbisë, kështu që tregun e Kosovës duan ta kenë nën kontroll me gazsjellësin, pa e futur qeverinë e Kosovës ai aksionere.
Kjo sasi LNG amerikane që tregu i Kosovës mund të konsumojë, duhet të futet në Kosovë nga Shqipëria dhe jo nga Greqia e Maqedonia, pasi kjo i rrit vlerën portit të Vlorës ose të Porto Romanos, i jep punë hekurudhës ose gazsjellësit Shqipëri-Kosovë duke forcuar ekonominë dhe pavarësinë kombëtare. Qeveria e Kosovës duhet të përfshihet në studimin që po bën qeveria amerikane për LNG në Shqipëri.
Pra mosbërja e gazsjellësit nga Maqedonia nuk ka kurrfarë lidhje me cenimin e interesave amerikane. Interesat amerikane plotësohen pasi të shkarkohet LNG në Shqipëri e si në Greqi. Këtu bëhet fjalë se kush do ta kontrollojë tregun e Kosovës dhe forcat politike në Kosove duhet ta mbështesin qeverinë e Kosovës dhe mos të hedhin fishekzjarrë në mes të ditës se po prishen me Amerikën, thjesht për përfitime elektorale. Interesat kombëtare janë më të rëndësishme se ato partiake.
ALKOGAP duhet ndërtuar, madje me kapacitet 3 herë më shumë se ai i parashikuari, edhe për arsyen tjetër, se shumë shpejt Kosova do të bëhet vetë eksportuese e gazit. Teknologjia e gazifikimit të thëngjillit ka ecur mjaft dhe shumë shpejt do të bëhet e zbatueshme. Kjo do ta kthejë Kosovën në Katarin e Europës.
Në fakt Qeveria e Kosovës duhet të fokusohet tek thëngjilli, pasi ka rezervën më të madhe në Europë dhe nuk duhet të influencohet shumë nga teoritë e gjelbra dhe sugjerimet për tranzicionin e nevojshëm energjetik me gaz. Në këto lëvizje ekologjike duhet të kemi parasysh mirë dimensionin historik, se kush e ka shkaktuar dhe e shkakton ndotjen e ambientit global. Të gjitha shtetet e industrializara janë zhvilluar së pari nga shfrytëzimi qindravjeçar i qymyrit dhe janë po ato që e ndotin atmosferën. Kështu që rregulli nuk duhet zbatuar vetëm tek më të dobëtit, si Kosova. Vjet u inaugurua në Gjermani termocentrali me qymyr Datteln 4 (https://www.uniper.energy/de/datteln-4), apo në Ptolemaida, Greqi (https://www.nsenergybusiness.com/projects/ptolemaida-power-station-expansion/).
Pra ideja se do ta prodhojmë rrymën në Kosove me gaz importi është një tallje me Kosovën dhe përfitim nga injoranca dhe servilizmi i disa politikanëve.
Interesi strategjik real i SHBA-ve është pavarësia energjetike e Kosovës dhe nuk ka nevojë SHBA të futet në konkurrencën e tregtarëve të gazit.
Përveç kësaj edhe një detaj teknik, pasi pjesa më e madhe nuk e di si funksionon tregu LNG. Edhe në se doni të blini sot LNG në SHBA nuk ka, pasi LNG shitet me kontrata afatgjata 25 vjeçare. Vetëm pasi parakontraktohet, atëherë investohet në kapacitetet nxjerrëse, përpunuese dhe transportuese. Pra SHBA tani në Kosovë e Shqipëri është ende në fazën studimore, se sa LNG mund të thithin këto tregje të vogla, të cilat nuk kanë asnjë peshë në ekonominë amerikane.
Gazsjellësi nga Maqedonia është thjesht një konkurrencë tregtare e operatorëve të gazit, e mbështjellë me një mjegull të rrejshme si interes amerikan, për të përfituar nga padija e konsumatorit kosovar.
Gazsjellësi Maqedoni-Kosovë mund të ndërtohej, vetëm pas ALKOGAP, si një infrastrukture dytësore, thjesht për të krijuar unazën e gazit, por edhe për të eksportuar gazin e Kosovës.
*Qendra Shqiptare e Studimeve Strategjike. Opinionet janë personale të autorit
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.