Regjistrimi i markave dhe patentave nga ana e biznesit ka ardhur në rritje vit pas viti. Të dhënat zyrtare të vitit 2019 nga Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale tregojnë se në total janë depozituar 1157 aplikime kombëtar, 2664 aplikime për shtrirje ndërkombëtare për regjistrim marke.
Po kështu ka pasur 913 aplikime për patenta, 1 aplikim për modele përdorimi, 16 kërkesa për regjistrim kombëtar të disenjove industriale dhe 1 kërkesë në lidhje me treguesit gjeografikë.
“Në totalin e aplikimeve kombëtare për regjistrim marke, aplikimet nga subjektet shqiptare në vitin 2019 arritën në 778. Nëse vërejmë këto aplikime përgjatë një periudhe afatgjatë 10-vjeçare, vihet re që tendenca është rritëse. Në numrin total të aplikimeve në % për vitin 2019, aplikimet ndërkombëtare zënë 70%, aplikimet kombëtare nga aplikantë të huaj 10% dhe aplikimet vendase zënë 20%” thuhet në raportin e DPPI për vitin 2019.
Sa i takon markave raporti sjell në vëmendje se vitin e shkuar janë lëshuar në total 980 certifikata regjistrimi marke, nga 816 të lëshuara në vitin 2018, pra kemi një rritje me 20%.Ndërkohë, gjatë vitit 2017 janë regjistruar 803 marka, pra kemi një rritje me 22% më shumë në vitin 2019.
Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale bëri me dije se sa i takon klasave ku ka pasur më shumë aplikime sipas Klasifikimit të Nicës në vend të parë në vitin 2019 janë shërbimet që i takojnë klasës 35 (përfshijnë marketingun dhe reklamat), ndjekur nga aplikimet që i takojnë klasës 43 (hoteleri, akomodim), klasës 41 (përfshijnë edukimin), klasës 5 (produkte farmaceutike, sanitare dhe veterinare), klasës 38 (shërbime të telekomunikacionit), klasës 30 (kafe, çaj etj) dhe klasa 3 (preparate kozmetike).
Numrin më madh të aplikimeve ndërkombëtare për marka në vitin 2019 sipas vendit të origjinës së aplikantit, e zë Republika Popullore e Kinës e ndjekur nga Gjermania, Italia, SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Turqia, Franca, Austria, Spanja, Serbia.
Lidhur me patentat DPPI numri i aplikimeve për periudhën Janar-Dhjetor 2019 ka arritur në 913 aplikime për patenta. Nga këto aplikime, 5 aplikime janë aplikime kombëtare me aplikantë shtetas shqiptarë, dhe 908 aplikime për patenta, janë patenta të lëshuara nga Zyra Evropiane e Patentave, të cilat kërkojnë mbrojtje në Republikën e Shqipërisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.