Irfan Kiliç, Drejtor Menaxherial Rego Biss
Shqipëria duhet të fokusohet në ndërtimin e strukturave të reja akomoduese me minimumi 3 yje. Për Irfan Kiliç, drejtor menaxherial i Rego Biss agjencisë që sjell një pjesë të turistëve polakë në vend, gjetja e strukturave akomoduese po bëhet vit pas viti më e vështirë. Gjithsesi ndërtimi mund të zgjerohet edhe tek strukturat 4 dhe 5 yje. Lidhur me efektin e tërmetit tek rezervimet, Kiliç shprehet se pati një rënie të tyre në fillim por që pritet që pas janarit dhe deri në mars të kthehen në trendin e tyre rritës. Tek arsyet e rënies së numrit të turistëve polakë drejt vendit tonë ai nënvizon se një ndikim e ka dhënë falimentimi i një linje ajrore polake me të cilën agjencitë turistike kishin marrëveshje.
Ju ishit këtu gjatë ndodhisë së 26 nëntorit. Si e shihni sot Shqipërinë si destinacion turistik pas përjetimit që patët?
Po isha këtu me përfaqësues të kompanisë dhe atë ditë filmuam gjithçka në zonën e Kavajës pra Golem. Kishte një lloj keqkuptimi nga mediat polake dhe tingëlloi sikur ishin prishur hotelet por në fakt ne treguam që hotelet nuk ishin dëmtuar. Për fat të mirë,t situata ndodhi jashtë sezonit turistik e për këtë asnjë turist nuk u dëmtua. Nuk ka arsye që të krijohet një opinion negativ.
Vitin e shkuar numri i turistëve polakë nisi të tkurret në raport me vitet paraardhëse kur kishte njohur vetëm rritje. Cilat janë arsyet?
Një arsye ishte falimentimi i një kompanie ajrore polake dhe nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për avionë. Ne jemi një nga turoperatorët që bashkëpunojmë me kompanitë ajrore polake dhe kemi dy avionë shtesë për në Shqipëri për 2020. Kjo u planifikua para tërmetit por edhe pas tërmetit pavarësisht se patëm një rënie të menjëhershme të rezervimeve, ne mbetemi pozitivë dhe nuk duam që të ulim kapacitetin.
A mendoni që do të kemi të njëjtin numër turistësh si viti i shkuar?
Me kompaninë Rego Biss, ne jemi të sigurt që do të kemi më shumë se vitin e shkuar. Kemi planifikuar që edhe në fund të prillit në fundjava të kemi dy autobusë për round trip sepse Shqipëria nuk është vetëm për pushime plazhi por edhe kulturore, natyrë ndaj ne e duam dhe do vazhdojmë të vijmë.
Operatorët turistikë na kanë konfirmuar se një nga arsyet se pse polakët po largohen është sepse është shtrenjtuar disi si dhe janë hapur në tregje të tjera?
Kjo është e vërtetë. Çdo vit po bëhet edhe më e shtrenjtë por kjo ndodh sepse ka shumë pak hotele. Nuk ka shumë alternativa. Sigurisht që po ndërtohen të rinj. Për turoperatorët dhe tursitët ka nevojë për më shumë dhe të rritet kapaciteti.
Çfarë duhet të bëjmë në këtë situatë, ku duhet të fokusohemi?
Ajo që mund të bëjmë është të ndërtohen hotele të vegjël dhe të mesëm. Këto hotele të jenë në standard për turistët. Minimumi me tre yje. Mund të ndërtohen dhe hotele të tjera ndoshta me katër apo pesë yje. Kur dikush ka buxhet për një hotel me 3 yje kanë mundësi që të blejnë edhe një me katër yje por ajo që është e rëndësishme është që të jenë edhe konkurrues në çmime me destinacione të tjera.
Kush janë vendet që ju i konsideroni si konkurrentë të Shqipërisë?
Të gjithë vendet kanë specifikat e tyre. Ne nuk krahasojmë vend me vend pasi secili prej tyre ka pikat e forta. Për ne çdo destinacion është i veçantë. Shqipëria ka plazhe shumë të bukur, natyrë shumë të bukur dhe koha është shumë e mirë. Po kështu aeroporti në Tiranë duhet të zgjerojë operimin e fluturimeve. Një aeroport në zonën e Jugut do të rriste frekuentimin sepse kapaciteti i hoteleve në Durrës është i kufizuar. Sigurisht kemi nevojë për më shumë hotele sepse në pikun e sezonit gjetja e hotelit bëhet e vështirë.
Po tani si po ecin rezervimet duke qenë se kanë kaluar gati dy muaj nga tërmeti?
Për hir të së vërtetës që nga mesi i dhjetorit e deri nga fillimi i janarit tradicionalisht ka një stopim që vjen si efekt i festave të fundvitit. Ne presim që të kthehen në trendin e tyre rritës të zakonshëm pas mesit të janarit. Tani është koha e duhur në fund të janarit dhe fund marsi që të punohet me promovimin e Shqipërisë si detinacion dhe do të shohim edhe rezultate më të mira.
Si janë paketat që ju ofroni për Shqipërinë? Cili është çmimi minimal dhe maksimal që ofroni?
Paketa minimale all inclusive është rreth 400 euro kurse më e shtrenjta është deri në 1000 euro për person.
Po shërbimi all incuslive si ju duket në Shqipëri?
Sistemi i all inclusive është i ri për vendin tuaj. Nuk mund të krahasojmë me Turqinë, Spanjën apo Greqinë. Janë vende me më shumë eksperiencë dhe më gjatë në sektorin e turizmit. Po kështu janë edhe vende më të mëdha me industri mbështetëse më të zhvilluara. Gjithsesi mendoj se Shqipëria po ecën ngadalë në drejtimin e duhur. Jam i sigurt që prej konkurrencës do të nxitet edhe ky aspekt. Duhet të jemi pozitivë dhe të shohim që deri në fund të marsit dhe prillit të punohet më fort.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.