Reklamat që në përmbajtje kanë doza të lehta humori po bëhen gjithnjë e më tepër prezente në tregun shqiptar. Kjo është një tendencë e re, e “importuar” dhe që po përqaset mirë. Po përdoret kryesisht nga kompanitë e telefonisë celulare dhe bankat, pasi janë reklama që kushtojnë…
“Shoku i Çimit…”, “A e keni refrenin e këngës ‘Someone like you’”…, “Ana e more vesh për Mozën mi….”, “Deri në ç’orë jeni hapur pasdite se do sjell gjyshen…”, janë disa nga shprehjet e përdorura së fundmi në reklamat e kompanive të telefonisë së lëvizshme e që nuk kanë vonuar të bëhen pjesë e batutave të jetës së përditshme.
Në Shqipëri, krijimi dhe hedhja në treg e reklamave me përmbajtje humori është një tendencë e re, e importuar nga jashtë, që është përqafuar shpejt, por edhe është përqasur mirë.
“Lojën” e hapën bankat. Ju kujtohet reklama e përdorur nga një bankë me bretkosën që kthehej në princ? Besoj se po.
Këto reklama nuk krijohen vetëm për të shitur produktin apo shërbimin, por edhe për të afruar më shumë konsumatorin me markën. Çelësi kryesor i suksesit në një fushatë të tillë është se reklama duhet të ketë varietet, të ndryshojë formë shumë shpesh. Krijuesi i reklamave të tilla ka parasysh faktin se për sa kohë që konsumatori qesh, ai duhet të ofrojë informacion, pasi “lojërat” e vjetra vdesin shpejt bashkë me produktet e tjera.
Pyetja “1 milion dollarë”
Reklama lëviz biznesin, bizneset duhet të reklamojnë që të tjerët të dinë se në kilometrin x të autostradës gjen këtë apo atë mall. Reklama nuk është domosdoshmërisht gënjeshtër,
por natyrisht që josh. Dhe këtë e bën edhe me humor, sepse humori është faktor pozitiv që ndihmon konsumatorët të marrin vendime. Humori është pjesë integrale e komunikimit në marketing, por fjalët dhe imazhi që duhet të përdoret, duhet të jenë të përzgjedhura.
Këshilla që japin ekspertët është se duhet të qëndroni larg nga efektet humoristike në çështje, produkte apo edhe shërbime të ndjeshme. Për të shmangur dozën e tepruar të humorit, zgjidhja që ekspertët japin është që një reklamë të ndiqet nga një seri duke dhënë të njëjtin mesazh, por me karaktere dhe në linja të ndryshme të tregimit të historisë. Humori në esencë është një lloj ngacmuesi, jepeni me doza të vogla dhe kjo do ta bëjë produktin tuaj më tërheqës. Reklama më e mirë është ajo që ndërthur disa elementë, përcjelljen e mesazhit, marrjen e tij dhe reagimin. Ka edhe biznese apo industri që përdorin gjithnjë reklama “serioze”. Këto kompani e kanë të vështirë të konceptojnë një formë të ndryshme, jo vetëm për shkak të llojit të produkteve apo shërbimeve, por edhe pse shpesh janë “partizanë” të reklamimit klasik.
Të bukura, por kushtojnë
Pas hedhjes së një reklame në treg qëndron një punë e madhe, jo vetëm sepse është çështje strategjie e sjellje, por edhe sepse ka kosto. Në rastin e reklamave që kanë në përmbajte humorin, kostoja është disi më e lartë në krahasim me reklamat që janë më të zakonshme. Arsyeja? Sepse krijohen në disa variante.
Këto reklama kanë efekt të menjëhershëm te publiku, pasi bëjnë të flitet (word of mouth). Në fund të fundit, efekti i reklamave është që njerëzit t’i fiksojnë dhe të flasin për to.
Reklamat humoristike kanë kosto më të lartë, sepse bëhen në disa variante (skena, dialogë të ndryshëm për të njëjtën kohë fushate televizive). Sipas ekspertëve, këto reklama përdoren nga kompani që e kanë krijuar markën dhe nuk mund të përdoren nga kompani të reja, të panjohura, pasi mund të jetë shumë e rrezikshme.
Në përcaktimin e kostove natyrisht ndikon edhe tërësia e shpenzimeve si teknike, konceptuale, kohore, por edhe cilësia e shërbimit. Fakti është që edhe në këtë fushë, konkurrenca është e ashpër si në çdo biznes. Kur synon të hysh në një treg të tillë mund të ndeshesh me konceptin për të sjellë diçka të re dhe duhet t’i përshtatesh rregullave të diktuara, jo vetëm nga konsumatorët, por edhe nga rivalët.
Humori dhe ironia, armë fituese në marketing
Afrimi i një ngjarje të rëndësishme për sportin siç janë Lojërat Olimpike që do të zhvillohen në Londër, ka nxitur edhe më shumë fantazinë dhe kreativitetin e atyre që merren me publicitetin. Në televizionet europiane që e kanë fituar të drejtën për të transmetuar Lojërat Olimpike është rritur numri i madh i fushatave publicitare. Një reklamë që ka rënë në sy është edhe spoti i kompanisë “Edison” e ideuar nga “Cayenne” dhe që ka si protagonist sportistin italian të regby Martin Castrogiovanni. Rugby nuk është një sport që përfshihet në Lojërat Olimpike, mirëpo figura e këtij sportisti është zgjedhur për të krijuar pak doza humori me idenë: “Çfarë nuk bëhet për të shkuar në Lojërat Olimpike”.
Si është arritur? Shumë thjesht: duke vendosur në situata komike një sportist të rugby, i cili, vetëm për t’u bërë pjesë e këtyre garave, do të tentojë të jetë i zhdërvjellët në një ndeshje volejbolli për femra, por pa dhënë rezultat.
Përdorimi korrekt i humorit në marketing nuk është edhe aq i thjeshtë. Duhet të ndiqen hapat e duhur për të shmangur mundësitë për ofendime ose mungesë respekti.
Dy janë rregullat kryesore për një fushatë të realizuar që bazohet te humori: doza e duhur e humorit që ka të bëjë me krijimin e situatave paradoksale dhe të pashpresa dhe identifikimi. Objekti ose protagonisti i reklamës duhet të jetë një person i cili gëzon simpatinë e publikut ose që e “injekton” këtë, në të kundërt nuk do të ketë efekt dhe nuk do të mbahet mend.
Reklamat me humor shesin
Flet Renato Tata, drejtor kreativ i agjencisë “Spot JWT”
Kohët e fundit është vënë re shtim i përdorimit të reklamave me përmbajtje humoristike, përse kjo tendencë?
Mund të them se reklamat me përmbajtje humoristike u pritën shumë mirë në tregun shqiptar dhe ky fakt sigurisht rriti tendencën për të përdorur në këtë mënyrë reklamimin. Gjithmonë është më e lehtë dhe më e bukur të marrësh mesazhin teksa buzëqesh.
A mendoni se kjo është zgjedhja e duhur për t’iu drejtuar konsumatorëve?
Po, patjetër. Reklamat humoristike shesin dhe për sa kohë priten mirë nga konsumatori, do të jenë efikase, jo vetëm për kompanitë celulare.
A janë trajtuar si duhet këto reklama?
Nuk mund të përgjithësojmë, por mendoj se mund të bëhen edhe më mirë. Reklamat me përmbajtje humoristike bazohen tek aktrimi dhe është shumë e rëndësishme përzgjedhja e personazheve dhe pikërisht për këtë, mendoj se të gjitha kanë qenë plotësisht të trajtuara mirë.
Kur nuk duhet të abuzohet me këto reklama?
Në të tilla reklama, humori duhet të jetë i vërtetë, ashtu si në jetën reale, por gjithmonë, duke pasur parasysh që këto pjesë të mos cenojnë apo ofendojnë askënd. Nga ana tjetër, edhe audienca duhet të kuptojë se është thjesht një reklamë që shërben për të përçuar mesazhin dhe nuk duhet të marrë më shumë se kaq.
Sa ndihmojnë këto reklama në përqasjen efikase me markën?
Në përgjithësi, humori shet. Megjithatë, gjithmonë efikasiteti varet edhe nga profili i markës ose i produktit që reklamohet.
Cilët elementë analizohen kur hidhen në treg këto fushata?
Janë shumë elementë që realizohen, por më i rëndësishmi është mentaliteti dhe kultura e vendit ku lançohet kjo reklamë, në mënyrë që fushata të mund të përshtatet sa më mirë me të.
Cilat do të ishin disa këshilla efikase?
Nuk ekziston një formulë. Asnjëherë nuk mund të parashikohet sesi do të reagojë publiku ndaj një reklame. E rëndësishme është që çdo gjë të jetë e vërtetë dhe koherente dhe në këtë rast, humori duhet të jetë i tillë.
Masa
Në të tilla reklama, humori duhet të jetë i vërtetë, ashtu si në jetën reale, por gjithmonë, duke pasur parasysh që këto pjesë të mos cenojnë apo ofendojnë askënd.
Kur nuk duhet të abuzohet
Flet Adrian Ruci, partner dhe drejtor kreativ “R&T Adertising”
Kohët e fundit është vënë re shtim i përdorimit të reklamave me përmbajtje humoristike, përse kjo tendencë?
Në jetën e përditshme, kush është më interesant, një njeri me shumë humor apo shumë serioz? Në shumicën e rasteve, ai me humor. Edhe reklamat kanë efektin pasqyrë të jetës së përditshme, prandaj agjencitë dhe kompanitë që duan të reklamohen, duan të jetë sa më afër këtij realiteti. Ndaj dhe reklamat janë më atraktive nëse konceptet dhe fabulat që zgjedhin janë me humor.
Dhe në fakt, kështu është. Audienca e ngarkuar me lloj-lloj lajmesh absorbon më mirë humorin.
Ky është konkluzion i hershëm, por, deri tani, ka pasur shumë vështirësi për t’u zbatuar. Sepse reklamat me humor nuk janë të thjeshta, sepse duan një copyright (fabul) shumë të hollë dhe aktorë shumë të mirë. Tashmë janë disa agjenci apo studio në vendin tonë që kanë arritur një nivel të tillë sa të krijojnë skenarë dhe dialogë me humor dhe të përdorin aktorë të njohur, për të arritur këtë qëllim. Por, deri tani nuk kemi arritur që të shohim reklama me humor me personazhe anonimë.
Kjo është shumë e vështirë, prandaj kryesisht janë zgjedhur personazhe të njohur.
A mendoni se kjo është zgjedhja e duhur për t’iu drejtuar konsumatorëve?
Për mënyrën se si realizohen reklamat me humor, në Shqipëri vetëm kompanitë celulare mund t’i përballojnë, pasi kanë buxhete të mëdha. Mendoj se është bërë zgjedhja e duhur për të prezantuar reklama me humor, sepse ky është një trend ndërkombëtar. Megjithatë kjo është relative dhe duhet parë edhe me specifikën e momentit. Tani që po kthehet në tendencë duhet parë nëse do të vazhdohet në të njëjtën linjë, apo në një stil tjetër për të bërë diferencën.
A janë trajtuar si duhet këto reklama?
Reklamat me humor te ne ngjajnë si dy pika ujë. Sepse tendenca për të bërë reklama me humor dhe për të qenë të ndryshëm po kthehet në një bumerang, ku shfaqen njësoj të gjithë, sepse edhe në humor kanë zgjedhur të njëjtin stil. Thjesht secila kompani ka zgjedhur një tip aktori humori dhe të njëjtën fabul. Problemi më i rëndësishëm është në përdorimin e humorit, si qëllim në vetvete dhe jo bazuar në atë që duhet të komunikohet apo në target-grupin. Për shembull: reklamat e humorit kanë përcjellë shpeshherë një status të kundërt me imazhin e kompanisë apo diçka shumë larg produktit që reklamohet. Ka reklama që ndonëse me humor, përcjellin një mesazh shumë të varfër dhe nuk përqasen me markën.
Cilët elementë analizohen kur hidhen në treg këto fushata?
Nuk mendoj se është analizuar çdo gjë kur është hedhur një fushatë e tillë. Thjesht kanë mbetur tek ideja që gjërat me humor shesin. Në disa raste janë bërë një shtojcë e programeve të humorit. Duhej që të ishin trajtuar në një nivel tjetër dhe të ndryshëm sepse duket sikur imitojnë njëra-tjetrën.
Cilat do të ishin disa këshilla efikase?
Reklamat me humor shesin, por nuk duhet abuzuar. Konceptet dhe fabulat duhet të jenë të tilla që të të bëjnë buzën në gaz dhe jo të bëhen qesharake sepse audienca nuk të merr në konsideratë.
Nuk pëlqehet fabulat nëse nuk besohet te produkti dhe ky është qëllimi final i reklamës me humor. Prandaj nuk duhet përdorur humori thjesht si qëllim në vetvete.