Ministria e Punës tha se numri i njerëzve që përfitojnë asistencën e papunësisë u rrit me 38,769, ku sektori i shërbimeve ka humbjen më të madhe të vendeve të punës.
Papunësia në Spanjë qëndroi në nivelin e 23.6% në shkurt, sipas të dhënave nga Bashkimi Europian. Spanja ka deklaruar se borxhi i saj publik do të rritet me më shumë se 10 pikë përqindje këtë vit, në 79.8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Ministri i Financave tha: “Borxhi publik do të rritet nga 68.5% e PBB-së në fund të 2011-s në 79.8%, një nivel që është ende nën mesataren e Eurozonës, prej 90.4%”.
Deklaratat u bënë nga ministri Cristobal Montoro gjatë prezantimit të buxhetit të vitit 2012 në Parlament.
Paketa, e cila u miratua në qeveria, përfshin 27 miliardë euro rritje nga ulja e shpenzimeve dhe rritja e taksave.
“Ne jemi të bindur se ky buxhet do të përballojë sfidën që ne kemi për të rritur besueshmërinë te partnerët tanë europianë”, u shpreh Montoro në Parlament.
Bashkimi Europian ka vendosur një tavan për borxhin publik në nivelin prej 60% të PBB-së.
Situatë e pakëndshme
Shifrat e papunësie tregojnë se situata është më e keqe te të rinjtë, pasi papunësia e tyre po arrin kufijtë e 50%. Spanja ka normën më të lartë të papunësisë në Bashkimin Europian dhe pritet që të rritet më tej gjatë këtij viti.
Qeveria shpreson se reformat në tregun e punës do të ndihmojnë për të lehtësuar këtë problem. Masat e saj përfshijnë ndalimin e pagesave për njerëzit që shkurtohen nga puna dhe kufizimin e rritjes së pagave, për shkak të indeksimit me inflacionin.
Por këto masa kanë zemëruar sindikatat, që kanë organizuar greva. Sekretari i Shtetit për Punësimin, Engracia Hidalgo, tha në një deklaratë:
“Ne vazhdojmë të përballemi me një situatë të pakëndshme, me një rritje të numrit të njerëzve që regjistrohen si të papunë. Ndaj është e nevojshme që t’i japim rëndësi krijimit të besueshmërisë dhe fleksibilitetit për kompanitë, siç është bërë me reformën në ligjin e punës”.