Rekordi i Vodafone Albania

22/05/2014 9:26 AM 0 komente

Mbyllja brenda vetes e operatorëve mobilë nuk është një dukuri vetëm shqiptare, por Vodafone Albania mban rekord botëror në këtë aspekt

Agjencitë Rregullatore në shumë vende të botës kanë ndërhyrë vitet e fundit me masa rregulluese të kombinuara dhe sidomos me aplikimin e masave detyruese për operatorët dominantë për çmimet e thirrjeve jashtë rrjetit dhe vendosjen e niveleve të detyrueshme për çmimet brenda rrjetit.

Shqipëria nuk është rasti i vetëm ku pozita dominuese e një operatori ka çuar në diferenca të mëdha të tarifave brenda rrjetit me ato jashtë rrjetit, duke i mbajtur klientët të mbyllur brenda rrjetit të tyre dhe duke krijuar barriera për zhvillimin e operatorëve të vegjël.

Raporti i Telecommunications Management Group, Inc. (TMG) për vitin 2011 ka publikuar të dhëna mbi vendet me precedentin më negativ në botë, për diferencën e On-net/Off-net të trafikut për operatorët dominantë dhe ndikimin në grupet e mbyllura “Club effect”.

Rekordin botëror e mbante Kenia, ku sipas të dhënave të disponueshme për vitin 2010, mbi 96% e trafikut total të telefonisë së lëvizshme të atij vendi ishte brenda rrjetit. Operatori kryesor në këtë vend kishte atë vit një pjesë tregu prej gati 90%.

Shqipëria renditet e dyta në botë për këta tregues, me gati 92% të thirrjeve për gjithë tregun në vitin 2013, që ishin brenda rrjetit, në një kohë që operatori kryesor ka mbi 50% të tregut.

Vendi i tretë është Kolumbia, ku raportet përkatëse janë 90% (thirrjet brenda rrjetit) dhe 10% (jashtë rrjetit).

monitor 630.indd

Ndërhyrjet e Autoriteteve Rregullatore

Nisur nga këto problematika të evidentuara me herët në Europë e botë, Agjencitë Rregullatore në këto vende kanë vepruar me masa rregulluese të kombinuara e sidomos me aplikimin të masave detyruese për operatorët dominantë “price caps” për çmimet e thirrjeve jashtë rrjetit dhe vendosjes së niveleve të detyrueshme për çmimet brenda rrjetit.

Autoritetet kanë ndërhyrë, duke zvogëluar raportin On-net/Off-net dhe për uljen e barrierave për operatorët e vegjël, si domosdoshmëri për luftimin e dominancave në këtë treg. Në rastin më ekstrem Kenia, ku operatori kryesor Safaricom kishte 96% të thirrjeve brenda rrjetit (raporti On-net/Off-net: 31), (kujtojmë se Vodafone Albania ka 97.1% të thirrjeve dalëse kombëtare që janë thirrje brenda Vodafone Albania me raportin On-net/Off-net në vlerën Rekord Botëror prej 36) pas ndërhyrjes me masa rregullatore në këtë vend në vitin 2010, pesha e thirrjeve brenda rrjetit për operatorin kryesor zbriti në 50%.

Në Europë, më tipiket janë rastet e Sllovenisë dhe të Turqisë.

Në Turqi (ku Turkcell ishte operatori dominues), pas ndërhyrjeve rregullatore në periudhën 2007-2010 dhe reduktimit të çmimeve “price cap per Off-net”, u reduktua raporti On-net/Off-net nga 14 në 2,5/3.

Në Slloveni, ku operatori Mobitel ishte dominues, pas ndërhyrjeve rregullatore në 2006-2010 u reduktua raporti On-net/Off-net, nga 3.9 në 2,13.

Një tjetër ndërhyrje ex-ante miratuar nga APEK në Slloveni në vitin 2006 ishte një rregullim “i brendshëm” i mosdiskriminimit. Ky detyrim i parë i kërkohej Mobitel dhe Si.mobil, dy operatorëve dominantë në Slloveni në vitin 2006 për të vendosur detyrime për çmimet e shitjes me pakicë, si një mënyrë për të adresuar potencialisht problemet e konkurrencës të shkaktuara nga praktikat On-net/Off-net në Slloveni.

APEK e implementoi këtë masë rregullatore dhe këto masa kontribuuan në mënyrë progresive, duke ulur diferencën e On-net/Off-net në Slloveni.

monitor 630.indd

Portugalia, rast problematik në BE

Por, jo të gjitha ndërhyrjet e operatorëve rregullatorë kanë qenë të suksesshme.

Autoriteti rregullator i Portugalisë vendosi të ndërhynte nëpërmjet mjeteve të ndryshimit të tarifave mobile të terminimit (MTR).

Ndërhyrjet e autoritetit rregullator portugez në tarifat mobile të terminimit (MTR) kanë rezultuar të pamjaftueshme për të zgjidhur problemin mes diferencave të thirrjeve brenda rrjetit dhe atyre jashtë rrjetit në Portugali dhe nuk kanë arritur të zgjidhin shtrembërimet e mundshme konkurruese të identifikuara nga viti 2005 në On-net/Off-net.

Si pasojë, problemet lidhur me On-net/Off-net (diferencat e mëdha në thirrjet brenda rrjetit me ato jashtë rrjetit) vijojnë në Portugali, veçanërisht ato që ndikojnë konsumatorët dhe rrjedhat e trafikut midis operatorëve celularë. Përqindja e trafikut brenda rrjetit (për të gjithë operatorët celularë) u rrit nga 68% në vitin 2005, në 75% në 2009-n dhe raporti On-net/Off-net është rritur nga 3.43 në 4.58 për të njëjtat periudha.

monitor 630.indd

Ndërhyrjet në treg dhe Shqipëria

Pas zgjidhjes së problemit në Kenia, Shqipëria është aktualisht rast unik në botë për peshën e lartë që zënë thirrjet brenda rrjetit, ku për operatorin Vodafone, që prej rreth 3 vjetësh, përqindja është 97.1% brenda rrjetit dhe 2.9% jashtë rrjetit ndërsa për AMC (operatori i dytë në treg) këto përqindje janë përkatësisht 95.2% dhe 4.8%.

Me raportet më negative në botë, ku Vodafone ka një normë të thirrjeve On-net/Off-net prej 36 dhe AMC prej 20, ky është një rast i paprecedentë.

Aktualisht, në botë, nuk gjen asnjë rast të ngjashëm dhe barrierat që kanë krijuar operatorët dominantë në Shqipëri janë asfiksuese për operatorët e vegjël. Është e pamundur të thyhen barrierat e vendosura On-net/Off-net, prandaj ndërhyrja nga AKEP me masa rregullatore efektive detyruese për operatorët dominantë është diçka emergjente, tashmë prej vitesh, për vendosjen e këtij raporti On-net/Off-net për Vodafone dhe AMC në nivele normale si në vendet e BE-së dhe botë, ku raporti On-net/Off-net është maksimumi 2–2.5, por çuditërisht AKEP mbyll sytë ndaj kësaj situate kaq kritike, pa ndonjë arsye të kuptueshme.

Si një masë ndërhyrëse në treg, në mars të këtij viti, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ndërhyri në tarifat mobile të terminimit, por kjo u bë me një logjikë të pakuptueshme dhe në përmasa të tilla, zbatimi i të cilave nuk krijon aspak predispozita për ndryshimin e kësaj situate në treg.

Por, rasti i Portugalisë, i përmendur më lart, tregon se aplikimi i uljes së tarifave mobile të terminimit rezulton i pamjaftueshëm dhe se vetëm masat specifike rregullatore të kombinuara dhe sidomos implementimi i “price caps” për çmimet Off-net dhe vendosja e niveleve detyruese për çmimet On-net zvogëlojnë diferencën On-net/Off-net dhe ulin dhe barrierën që krijohet për operatorët e vegjël. Për ironi të fatit të operatorëve të vegjël në Shqipëri, kjo eksperiencë portugeze ndonëse është në linjën e Rekomandimeve të Autoritetit të Konkurrencës për tregun e telefonisë mobile, injorohet nga AKEP në mënyrë të pashpjegueshme.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of