Shpenzimet kapitale të pushtetit vendor për vitin 2016, rezultojnë të jenë në masën rreth 7.4 miliard lekë, me një rënie prej rreth 11%, ose 783 milion lekë më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë e cila ishte rreth 8.2 miliardë lekë, sipas relacionit të Ministrisë së Financave që shoqëron projektbuxhetin vitit 2017.
Ekspertët e qeverisë në ministrinë e Financave kanë arsyetuar së rënia e investimeve i dedikohet procedurave të vonuara për investimet nga njësitë e reja vendore.
“Ndryshimet e nivelit faktik të investimeve për pushtetin vendor për të njëjtat periudha të vitit aktual dhe një viti më parë nuk janë të konsiderueshme, prandaj kjo diferencë vjen si pasojë kryesisht e shtyrjes së afatit të realizimit nga procesi i prokurimit, vonesat në paraqitjen e dokumentacionit teknik e financiar për lëvrimin e fondeve dhe vonesat në procesin e disbursimeve të projekteve të ndryshme që njësitë e vetëqeverisjes vendore kanë në zbatim” thuhet në analizën përkatëse, duke theksuar se,rritja e investimeve në nivel vendor mbetet një sfidë për tu marrë si angazhim sepse përmes saj synohet rritja e investimeve që ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve.
Por qeveria konsideron si shtyllën e tretë dhe më e rëndësishme e reformës decentralizimin fiskal. Buxhetit total i qeverisjes vendore në vitin 2017 do të jetë 3,1% e PBB-së. Fondi i Zhvillimit të Rajoneve që mbulon pjesën kryesore të investimeve në nivel vendor u dyfishua në krahasim me vitin 2013. Fondi për transfertat specifike që mbështeti decentralizimin e funksioneve të reja për vitin 2017 është 7 miliardë lekë. Formula e re për ndarjen e transfertës së pakushtëzuar u miratua me ligjin e buxhetit të vitit 2016 dhe disa përmirësime do të vazhdojnë të funksionojnë edhe për vitin buxhetor 2017. Reforma e decentralizimit fiskal do të plotësohet me miratimin e ligjit integral të financave vendore.
Ecuria e financave vendore 9 mujor 2016
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.