Më ambicioze, në sajë të estetikës dhe pajimeve të reja. Me motor turbobenzinë, tani edhe me kambio manuale, ecën shumë mirë
RISTILIM i lehtë, konfigurim i ri Initial Paris (si tek si-motrat më të mëdha), risi të rëndësishme, edhe për sa i përket çështjes së sigurisë. Me rastin e katër vjetorit të modelit Captur, vërejmë fenerët full Led, drita dite në formë C-je dhe kanale tek parakolpet.
Përveç kësaj, tavani është panoramik (jo i hapshëm). Ndërkohë, sistemi infotainment është i përditësuar dhe ekrani me prekje 7 inç integrohet me Android Auto (por jo me Apple CarPlay). Protagonist i provës në rrugë ishte varianti 1.2 turbo-benzinë, me 120 kf. Motori ishte edhe më parë, por vetëm me kambio automatike. Risia qëndron në faktin se tani, edhe versioni më i fuqishëm, përveç atij 90 kf, është i disponueshëm me kambio manuale.
Që në metrat e parë, gatishmëria e makinës është e dukshme. Ndërrimi i marsheve është mjaft i butë dhe shfrytëzohet shumë mirë momenti përdredhës i konsiderueshëm i disponueshëm deri në regjime të ulëta (205 Nm ne 2.000 xhiro/min), duke lejuar rimarrje shpejtësie pa ndryshime marshesh të shpeshta. Të dhënat e regjistruara nga kompjuteri i udhëtimit nuk janë aspak keq: mesatarisht 15-16 km/litër në terren të sheshtë, por gjithsesi të ndryshëm.
Modeli Captur është i shkathët dhe i balancuar, edhe në sajë të sistemit të drejtimit me ngarkesë të mirë dhe falë korrektësisë që e karakterizon. Për sa i përket akustikës, gjatë ecjes me shpejtësi të madhe, filtron një farë zhurme apo fëshfërime aerodinamike. Duke kaluar tek sistemet e sigurisë, risi kryesore është monitorimi i këndeve të errëta. Për segmentin B, një gjë e tillë përbën risi absolute.
1.2 TCe 120 CV Initial Paris
MOTORI – L4 turbobenzinë 1.197 cm3
FUQIA MAKSIMALE – 87 kW (120 kf)
MOMENTI PËRDREDHËS – 205 Nm në 2.000 xhiro/min
TRAKSIONI – në rrotat e para
KAMBIO – manuale me 6 marshe
0-100 km/h – 9,9 s
KONSUMI MESATAR – 18,2 km/l
PËRMASAT – gjat. 412 – gjer. 178 – lart. 157 cm
PESHA – 1.195 kg
ÇMIMI – duke filluar nga 24.950 €
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.