E frymëzuar nga e shkuara
Frymë revolucioni për francezen: motor prapa, si versionet klasike të Fiat 500 dhe VW Beetle, për të përfituar më tepër hapësirë dhe kënd kthimi më të madh të rrotave
Të lodhur me makinën e përhershme qytetëse, pothuajse e njëjtë me gjithë të tjerat? Mbase këtë kanë menduar teknikët e kompanisë franceze gjatë realizimit të modelit të ri Twingo, që dallon për shkak të pozicionimi të motorit dhe traksionit: në pjesën e pasme dhe jo përpara si tek gjithë makinat moderne. Por kjo skemë mekanike, tepër e dashur në modelet e vjetra Fiat 500 të Dante Giacosa dhe Volkswagen Beetle të Ferdinand Porsche, ka avantazhin e rritjes së hapësirës në dispozicion të kabinës dhe përmirësimit të këndit të kthimit të rrotave të përparme. Gjithashtu, i jep më tepër liri projektuesve për sa i përket linjave të karrocerisë. Me modelin e ri Twingo, rreth 20 vite pas modelit origjinal (“bretkosën” e famshme), Renault prezantohet me një makinë qyteti me personalitet të fortë, e cila në kontekstin e stilit, në pjesë e pasme, të sjell ndërmend Renault R5, në veçanti versioni turbo.
Xhamat “protagonistë”
Njësoj si prototipet Twin’Z dhe Twin’Run, Renault Twingo e re imiton disi format e Fiat 500 në pjesën anësore, ndërsa pjesa e përparme vertikale dhe me katër fenerë të rrumbullakët i jep një paraqitje tejet simpatike vogëlushes franceze. Tipare të tjera të veçanta, të zbuluara kohët e fundit në një “prezantim” në internet: dyert e pasme i kanë dorezat e fshehura në shtyllat vertikale dhe xhamat mund të hapen vetëm në formë kompasi, një zgjidhje e prezantuar fillimisht nga treshja Toyota Aygo, Citroën C1 dhe Peugeot 107 (e cila tashmë zëvendësohet nga Peugeot 108) dhe e ripërdorur edhe nga motrat Volkswagen up!, Seat Mii dhe Skoda Citigo. Gjithashtu, shohim hapësirat e ajrit në dy anët e targës së pasme, të cilat tragojnë praninë e motorit të montuar prapa: nga sigla TCe lihet të kuptohet se bëhet fjalë për motorin me tre cilindra 900 cc turbo-benzinë, që ka debutuar tek Renault Clio.
“E gjitha prapa”, njësoj si Smart
Kjo skemë mekanike ka lindur nga marrëveshja Renault-Mercedes, e hartuar në vitin 2010 për të ulur kostot e zhvillimit të një platforme të re, me sistemin mekanik të vendosur në drejtim të kundërt krahasuar me makinat “normale” me motor dhe traksion përpara. Në këtë mënyrë, projekti nuk u la mënjanë, siç ndodhi me Vokswagen up!, e cila gjatë kalimit nga prototipi tek versioni në seri u detyrua të heqë dorë nga vendosja e motorit prapa. Gjithashtu, mbi të njëjtën shasi të Twingo, do të lindë edhe modeli i ri Smart Forfour (por edhe versioni me dy vende), për të cilën muajin e kaluar u zhvillua një prezantim në Romë, Itali.
Hundë e shtypur, kabinë misterioze
Falë skemës së lartpërmendur, Renault Twingo e re i ka rrotat e zhvendosura drejt skajeve të karrocerisë, gjë që mundëson një rritje të hapit dhe për rrjedhojë edhe të hapësirën në kabinë, e cila sipas konstruktorit, është në nivelet e segmenteve më të larta. Aksi i përparmë mjaft i shkurtër dhe kompakt, përmirëson rrezen e kthimit të rrotave, për rrjedhojë edhe manovrueshmërinë në trafikun e qytetit dhe në manovrat e parkimit.
Njësoj si në debutimin e paraardhëses së saj, Twingo e re prezantohet me katër tonalitete karrocerie: Blu Shopping, e Bardhë Dream, e Verdhë Race dhe e Kuqe Passion. Tipare të tjera dalluese të pjesës së jashtme – realizuar nga Laurens van den Acker, Zv-President i Renault Corporate Design – janë dritat rrethore me teknologji LED, porta e pasme e përbërë nga xhami i madh dhe shtyllat anësore të tavanit tejet të holla, që ofrojnë një shikueshmëri shumë të mirë. Megjithatë, nuk është shpërndarë asnjë imazh zyrtar i kabinës, për këtë arsye duhet pritur debutimi fizik në Sallonin e afërt të Gjenevës. Çmimet dhe hedhja në treg do të njoftohen në vijim.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.