Vonesa deri në një javë në dhënien e përgjigjes së tamponit dhe mbingarkesa në qendrat shëndetësore publike për analiza ka rritur kërkesën në klinikat private. Operatorët pohojnë se, fluksi i vizitave për analiza monitoruese është dyfishuar dhe po kryejnë mbi 400 testime në ditë. Mjekët e familjes thanë se për të shpëtuar jetën e pacientëve, në disa raste janë të detyruar të nisin mjekimin pa marrjen e përgjigjeve të analizave
Dorina Azo
Kriza nga COVID-19 përfshiu shumë shtete në debatin për ndërtimin e sistemeve shëndetësore elastike në të ardhmen për përballimin e emergjencave shëndetësore. Në Shqipëri, protokolli shëndetësor përcakton se çdo individ që shfaq simptoma të COVID-19, fillimisht merr kontakt me mjekun e familjes, duke u paraqitur vetë në qendrën shëndetësore, ose ndonjë familjar.
Në varësi të shenjave në përgjithësi i rekomandohet testim i shpejtë, nëse është në tre ose katër ditët e para të simptomave. Qendrat Shëndetësore Shtetërore nuk po i përballojnë dot mbingarkesat e pacientëve. Te këto struktura, mbetet ende edhe sfida e rekrutimit të stafeve shëndetësore të mjaftueshme, të trajnuar dhe të motivuar.
Mjekja e familjes së Qendrës Shëndetësore – Kamëz, Elizabeta Musta, pohoi se nuk janë të pakta rastet kur është nisur mjekimi pa pritur përgjigjet e tamponit, sepse gjendja e pacientit ishte e rënduar dhe mund t’i rrezikohej jeta. Rreth 90% e pacientëve të saj për kryerjen e analizave mjekësore u drejtohen klinikave private. Arsyet janë lista e gjatë e pritjes dhe radhët e shumta për kryerjen e analizave monitoruese.
Marrja brenda 24 orëve e përgjigjeve të analizave më të domosdoshme në kuadër të COVID-19 konsiderohet si një ndër faktorët kryesorë që ka detyruar shumë individë t’u drejtohen klinikave private. Liberalizimi i tregut për kryerjen e tamponit PCR dhe testit serologjik është një tjetër arsye që ka forcuar kërkesën te privati. Në rrjetin e laboratorëve privatë, vizitat për analiza monitoruese për COVID-19 janë dyfishuar, ndërsa numri i tamponëve për muajt janar – shkurt në klinikat më të mëdha arriti mbi 400 testime në ditë.
Mbingarkesa e qendrave shëndetësore publike
Nga një vëzhgim në terren nga “Monitor” u konstatua se mesatarisht, në qendrat shtetërore në Tiranë, kryheshin deri në 50 testime me tampon në ditë. Në qendrën shëndetësore nr. 10 bëheshin 30-40 tampone PCR dhe testime të shpejtë në ditë, ndërsa fluksi i njerëzve në pritje ishte më i lartë. Në qendrën shëndetësore të Qytetit Studenti, fluksi i pacientëve ishte më i pakët dhe ritmi i kryerjes së tamponeve kishte intensitet më të ulët.
Fluksi më i lartë që arrinte deri në 200 rezervime në ditë ishte te Qendra e Dispanserisë, pranë ish-Stacionit të Trenit për grafinë e mushkërive (numri i lartë i pacientëve ishte pasi shumë qendra të tjera në Tiranë nuk kishin mjek pneumolog). Në Qendrën Shëndetësore në Kamëz, çdo ditë kryhen 50 tampone të shpejta dhe 10 tamponë PCR, kur pacientët shfaqin shenja të infeksionit në ditën e pestë dhe të gjashtë të tyre.
“Te ne ofrohet vetëm bërja e tamponit, testit të shpejtë dhe grafia e pulmonit. Analizat si: D-Dimeri e PCR nuk ofrohen dhe pacientët janë të detyruar të shkojnë në privat. Në dijeninë time, vetëm analiza e D -Dimerit ofrohet te Dispanseria e mushkërive, ku radhët janë me nga 50 ose 60 pacientë për çdo mjek.
Rreth 90% e atyre që kam gjykuar (në varësi të moshës sëmundshmërisë kronike, peshës dhe gravitetit të sëmundjes që kanë), të cilët duhet të plotësojnë kuadrin me analiza më specifike si D–Dimeri, PCR, ferritinemia etj., u drejtohen klinikave private. Sigurisht që për shkak të rritjes së fluksit dhe në laboratorët privatë ka vonesa deri në 24 orë në kthimin e përgjigjeve”, – shpjegon mjekja e familjes, Elizabeta Musta.
Në qendrat shëndetësore, marrja e përgjigjes së tamponit vonon deri në një javë. Problem mbetet edhe listë-pritja dhe radhët e gjata që krijohen edhe pas rezervimit të datës në sistemin shtetëror nga mjeku i familjes për kryerjen e testimit me tampon PCR, ose testit të shpejtë.
“Pas ditës së pestë të shfaqjes të simptomave, ne rekomandojmë PCR tampon që është më specifik për COVID-19. Përgjigjja e testit të shpejtë vjen brenda ditës, kurse përgjigjja e tamponit është ende me probleme nga pesë deri në shtatë ditë vonesë. Në varësi të simptomave që shohim te pacienti, rekomandojmë bërjen e një grafie ose skopie të pulmonit, analizat e Proteinës C-Reaktive (PCR) dhe D-Dimerit (mpiksjes të gjakut)”, nënvizoi znj. Musta.
Shtohet fluksi i vizitave në klinikat private
Në Tiranë vërehet rritja e fluksit të pacientëve te disa klinika kryesore të certifikuara, për kryerjen e tamponit dhe njohjen e tij jashtë Shqipërisë dhe të një sërë analizash të domosdoshme për monitorimin e vlerave të infeksionit.
Mjeku anestezist, Vasil Llajo, administrator i rrjeteve laboratorike mjekësore “Intermedica”, pohoi se fluksi i pacientëve për kryerjen e analizave referuar COVID-19, është i lartë.
“Në këtë periudhë pandemie, fluksi i pacientëve për kryerjen e analizave është rritur 2,5 herë/ditë krahasuar me periudhën para COVID-19. Ne kryejmë një numër të lartë tamponësh në ditë, ku pavarësisht fluksit të kërkesave, marrja e rezultateve kryhet brenda 24 orëve. Për testimin me tampon, që vërteton praninë aktive të infeksionit me koronavirus, rezultatet njihen edhe jashtë Shqipërisë, nëpërmjet vërtetimit që jepet në anglisht, i pajisur edhe me barcode.
Për të përballuar shtimin e kërkesës, sidomos në këtë periudhë pandemie, kemi rritur numrin e punonjësve të specializuar për kryerjen e analizave. Laboratorët tanë mjekësorë janë të lidhur nëpërmjet platformës online me Institutin e Shëndetit Publik dhe rezultatet e çdo tamponi, si për rastet pozitive dhe ato negative, raportohen në kohë reale në strukturat shtetërore”.
Popullata është e interesuar më tepër të kryejë analizat e nevojshme të përfshira në një paketë monitorimi, e krijuar për të prekurit me COVID-19, si dhe analizat për kontrollin e gjendjes shëndetësore post-COVID. Arsyet pse njerëzit po zgjedhin më tepër klinikat private për kryerjen e analizave specifike për COVID-19 dhe të tamponit janë marrja e shpejtë e rezultateve, veçon z. Llajo.
“Arsyet pse shumë individë zgjedhin klinikat pritave për kryerjen e analizave janë stresi dhe pasiguria që njerëzit kanë se si do të gdhihet e nesërmja, duke qenë se ecuria e infeksionit është kaq alarmante, krahasuar me virozat e dikurshme që kalonin lehtë dhe marrja e rezultateve është më e shpejtë. Forma e shfaqjes së COVID-19 që nga asimptomatikët, ata që e kalojnë me simptoma të lehta, deri te rastet e humbjes së jetës është kaq e ndryshme, sa dhe mënyra e trajtimit të kësaj sëmundje është më e gjerë në spektrin e mendimit të individëve”.
Si po ndikon liberalizimi i tregut
Që në fillim të pandemisë, Shqipëria vuajti mungesën e kryerjes së testimeve me tampon dhe testeve serologjike nga klinikat private. Aristidh Nikollari, administratori i Qendrës së Diagnostikimit “Biocheck”, thotë se shteti duhet t’u kishte hapur rrugën më përpara privatëve, për t’i dhënë mundësi popullatës në marrjen masivisht të këtyre shërbimeve. Hapja e tregut do të ndikonte edhe te parandalimi i infeksioneve.
Sipas tij, kjo është arsyeja që me liberalizimin e tregut, numri i testimeve me tampon dhe analizave mjekësore është rritur. Në fillimet e pandemisë, testimet me tampon kryheshin vetëm nga laboratorët e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) dhe analizat serologjike te QSUT.
“Kërkesa e klinikës sonë për licencimin në kryerjen e tamponit PCR, që njihet edhe jashtë Shqipërisë, u miratua në janar të 2021, ndërsa ishte bërë që në fund të muajit korrik 2020. Për kryerjen e analizave serologjike për COVID-19 u licencuam më përpara. Nëse tregu do të ishte liberalizuar më parë, numri i testimeve do të ishte rritur. Sa më shumë të testosh, aq më shumë edhe do të diagnostikosh të infektuarit me COVID-19, por edhe do të parandalosh zinxhirin e infektimeve”.
Sa testime po kryhen nga privati
Nga rrjeti i laboratorëve “Intermedica” (në Tiranë janë 13 pika) për muajin janar 2021 janë kryer 10,178 tamponë dhe 6% ishin pozitive. Në muajin shkurt u kryen 12,654 dhe 11.8% dolën pozitivë. Për periudhën gusht-dhjetor, nga totali i testimeve të kryera, pozitive me COVID-19 rezultuan 9% e tyre.
Në qendrën “Biocheck” kryhen 30 tamponë në ditë dhe rreth 10% e tyre dalin pozitivë. “Ka një rritje të analizave parandaluese dhe informuese për mjekët, si PCR e gjakut, D-Dimer, serologjiku etj., për shkak të hapjes së tregut dhe rritjes së ndërgjegjësimit të popullatës.
P.sh. një pacienti ynë prej 10 vitesh, si për tamponin ashtu edhe për analizat e tjera, gjithmonë do të zgjedhë të vijë te ne, pasi është familjarizuar me shërbimin, ka kartelën mjekësore me të dhënat ndër vite apo banon afër qendrës diagnostikuese. Për këtë arsye, ishte e domosdoshme që ky shërbim të hapej më përpara edhe te privatët”, nënvizoi z. Nikollari.
Rritet fluksi edhe në klinikat e vogla
Kryerja e analizave më të domosdoshme për monitorimin e vlerave të infeksionit ka shtuar fluksin e punës edhe te klinikat e vogla private. Mjekja biologe molekulare, Enkelejda Nelaj, pranon se në këtë kohë pandemie, kërkesa për analiza është zgjeruar krahasuar me muajt para shfaqjes së infeksionit. Arsyeja e rritjes së fluksit të kërkesës është dhënia e shpejtë e rezultateve. Edhe në këtë periudhë pandemie, kërkesa për analiza është përqendruar më shumë te pacientët “besnikë”, ndërsa prurjet e reja kanë qenë të pakta.
“Edhe para shfaqjes së COVID-19, ne kryenim shumë analiza për vlerat e infeksionit në gjak apo analizën e D-Dimer, në varësi të gjendjes klinike të pacientëve. Me shfaqjen e infeksionit të koronavirusit, kërkesa për kryerjen e këtyre analizave është shtuar, pasi edhe monitorimi i vlerave të tyre për të infektuarit është shumë i domosdoshëm. Arsyeja e shtimit të fluksit është pasi përgjigjja e rezultateve merret brenda 24 orëve. Kjo i ndihmon pacientët që të gjithë vijnë me rekomandimin e mjekut, të marrin sa më shpejt mjekimin e nevojshëm, pasi në shumë raste, infeksioni ka simptoma të rënda.”
Rritet importi i ilaçeve
Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se, në vitin 2020 janë importuar 24 miliardë lekë (gati 200 mln euro) preparate dhe medikamente dhe zunë 4.2% të importeve totale në këtë periudhë. Importet e produkteve farmaceutike shënuan rritje vjetore me 2% në 2020-n, por ekspertët lajmërojnë për rritje të shitjeve në periudhën në vijim.
Indekset e tregtisë me pakicë sinjalizojnë se shitjet e produkteve të farmaceutikës janë përmirësuar dukshëm nga qershori në nëntor, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019 (24% në shtator), kryesisht prej shitjeve shtesë që ka krijuar pandemia. Shitjet kanë qenë të larta në 6-mujorin e dytë 2020, në krahasim me 6-mujorin e parë kur produktet farmaceutike panë shitje të dobëta.
Por pikat e shitjes me pakicë të medikamenteve pohojnë për një rritje jo të zakontë të shitjeve, sidomos në produktet që përdorin për trajtimin e pandemisë, që përbëjnë një spektër të gjerë vitaminash, suplementesh dhe preparatesh. Farmacistët pohojnë se kërkesa e pandemisë ka siguruar shitje shtesë krahas medikamenteve për trajtimin e sëmundjeve rutinë si kardiovaskularët, diabetikët, azmatikët etj.
Pandemia ka nxitur konsumin e një baze të gjerë produktesh farmaceutike që përfshin grupin e suplementeve, vitaminave, antibiotikëve, kortizonikëve, antikaulgulantëve (hollues të gjakut), antiulcerozët, antiinflamatorët, antidepresantë, antiulcerozë etj., dhe një sërë preparatesh të tjera mjekësore që nevojiten për trajtimin e pandemisë.
Të ardhurat e operatorëve privatë
Të ardhurat e klinikave kryesore në vend për kryerjen e analizave janë rritur në 2019, krahasuar me vitin e mëparshëm. Rrjeti më i madh i laboratorëve “Intermedica Center” rriti të ardhurat 40%.
Nga të dhënat e bilanceve, tkurrje të të ardhurave në 2019 ka pasur edhe rrjeti i laboratorëve “Genius” me 58%. Fitimet e kompanisë u rritën 26%. Kompania operon me 4 pika në Tiranë, 2 në Kavajë, 1 në Vlorë dhe 1 në Shkodër.
Për qendrën e diagnostikimit “Biocheck”, që operon me një pikë të vetme në Tiranë dhe një degë në qytetin e Përrenjasit, të ardhurat u rritën 18%, ndërsa fitimet, 40%. Rritje të të ardhurave kanë pasur edhe laboratorët e vegjël të kryerjes së analizave. Të ardhurat e klinikës “Gamma”, që operon vetëm me një pikë në kryeqytet në 2019, u rritën 77%, ndërsa fitimet e kompanisë, me 88%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.