Rënia e infektimeve javët e fundit, ka bërë që Komiteti Teknik i Ekspertëve të lehtësojë disa nga masat kufizuese në vend.
Duke filluar nga dita e henë, më 12 prill ora policore shtyhet me dy orë, në 22:00. E njëjta fashë orari do të jetë edhe për baret dhe restorantet. Gjithashtu pas një kohe të gjatë pezullimi, fillojnë fluturimet me Britaninë e Madhe.
“Në vlerësim të situatës së 6 javëve të fundit, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur zgjatjen e orës së qarkullimit të qytetarëve deri në orën 22:00 të mbrëmjes, duke filluar nga dita e nesërme, datë 12 Prill.
Po kështu, aktivitetin e bareve dhe restoranteve do të jenë të hapura deri në orën 22:00. Do të vijojë të mbeten në fuqi të gjitha masat e orës police nga ora 22:00- 06:00 të mengjesit.
Gjithashtu duke marrë në konsideratë përmirësimin e ndjeshëm të situatës së epidemisë në Mbretërinë e Bashkuar, një shtet i cili ka pasur një ecuri shembullore sa i përket vaksinimit, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka propozuar rihapjen e fluturimeve me këtë shtet”, deklaroi Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Duke bërë me dije se lehtësimet po vijnë si rezultat i situatës po edhe të muajit të shenjtë të Ramazanit, Manastirliu u ka bërë apel qytetarëve të vijojnë zbatimin e masave anti-COVID.
“Situata epidemiologjike paraqitet e qëndrueshme, me tendencë në rënie të incidencës dhe kjo është vënë re nga java e tretë e Marsit dhe në vijim. Rënie është vënë re edhe sa i takon përqindjes së pozitivitetit të rasteve të reja, ku gjatë javëve të fundit ka rënë deri në 12%. Rënia shënohet edhe në shtrimet në spitale.
Prej 4 ditësh nuk ka pacientë në Spitalin COVID 4, i cili do vijojë të jetë në gatishmëri, por që pa dyshim është një tregues pozitiv i situatës në spitale. Aktualisht niveli i shfrytëzimit të shtratit është nën 30%, ndërsa terapia intensive nën 13%. Dëshiroj të përsëris thirrjen time që të mbajmë parasysh dhe mos neglizhojmë asnjë moment masat anticovid: distancimi, maskën, higjenën”, tha Manastirliu.
Që prej fillimit të vaksinimit anti-COVID janë kryer në total 256,848 vaksinime.
Vendimet e Komitetit Teknik të Ekspertëve do të jenë në fuqi për dy javët e ardhshme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.