Rënia e lindjeve i dekurajon prindërit shqiptarë nga puna

13/08/2019 1:31 PM 0 komente

Në vitet 1960, me nivelin e jetesës së kohës, dy prindër kanë rritur edhe më shumë se 9 fëmijë, teksa ka punuar vetëm njëri prej tyre.

Në ditët e sotme, dy prindër, edhe nëse punojnë me kohë të plotë, me paga mesatare e kanë të vështirë të rrisin më shumë se dy fëmijë në Shqipëri.

Por duket se vështirësitë ekonomike për rritjen e fëmijëve janë kthyer në një rreth vicioz. Numri i lindjeve ka ardhur në rënie për këtë arsye në Shqipëri, por, nga ana tjetër, një familje me pak fëmijë dekurajon prindërit të punojnë, zbuloi së fundmi një studim i fundit i Bankës Botërore që analizon nivelin e ulët të fertilitetit dhe ndikimin e tij në forcën e punës.

Studimi i bazuar në një anketë në familjet shqiptare gjeti se, pjelloria ka një efekt pozitiv te prindërit në fuqinë punëtore në kontekstin e Shqipërisë. Më saktësisht, lindja e një fëmije të tretë ose të katërt, rrit gjasat e nënës me 5 pikë përqindje për të punuar më shumë, po kështu, gjasat që babai të punojë më shumë rriten me 6 pikë përqindje.

Të dy prindërit motivohen të punojnë 5 orë më shumë në javë me zgjerimin e mëtejshëm të familjes.
Në mënyrë të dukshme, baballarët e ndryshojnë pozitivisht sjelljen në tregun e punës.
Vendet në zhvillim si Shqipëria, ku gjyshërit ndihmojnë në rritjen e fëmijëve, i ndihmojnë prindërit të punojnë, ndryshe nga vendet e zhvilluara.

Familjet shqiptare janë të varfra dhe çdo lindje në familje kërkon shpenzime shtesë, për mbulimin e të cilave prindërve u duhet të punojnë. Por, duke pasur parasysh rënien e bashkëjetesës me prindërit me kalimin e kohës dhe gjithashtu, ofrimin e pamjaftueshëm të kujdesit publik ndaj fëmijëve në kontekstin e Shqipërisë, politikat publike duhet të lehtësojnë kujdesin parashkollor për prindërit shqiptarë.

 

Rënia e lindjeve

Shqipëria ka normën më të ulët të fertilitetit në rajon pas Maqedonisë së Veriut, duke lënë pas edhe Serbinë, si vendi me plakjen më të shpejtë në rajon dhe Bashkimin Europian, që po vuan prej dekadash nga fenomeni i plakjes së popullsisë.

Sipas të dhënave të fundit të EUROSTAT, që u referohen zhvillimeve demografike në rajonin e Ballkanit në periudhën 2013-2017, shihet se të gjitha vendet kanë përmirësuar normën e fertilitetit. Hapa pas kanë bërë vetëm Shqipëria dhe Maqedonia.

Shkalla e fertilitetit përcaktohet si numri mesatar e fëmijëve që lind nga një grua gjatë jetës së saj. Në vitin 2017, norma e fertilitetit në vendin tonë ishte 1.48 fëmijë për një grua, ndërsa në vitin 2013 ishte 1.73 fëmijë për grua.

Në vitin 2013, Serbia kishte normën më të ulët të fertilitetit në rajon, me vetëm 1.43 fëmijë për grua, por në vitin 2017, norma e lindshmërisë, edhe pse ende e ulët, shënoi rritje, me 1.49 fëmijë për grua.
Shqipëria renditet më keq se Bashkimi Europian për normën e fertilitetit. Në vitin 2017, BE numëroi mesatarisht 1.59 lindje për grua, ndërsa Shqipëria 1.48 fëmijë për grua. Në rajon, renditjen më të mirë e ka Turqia me 2.07 lindje për grua më 2017 dhe Maqedonia, me normën 1.43 lindje për grua.

Një normë fertiliteti 2.1 konsiderohet si niveli i zëvendësimit të popullatës, me fjalë të tjera, numri mesatar i lindjeve për grua për të mbajtur numrin e popullsisë në nivel konstant. Norma e fertilitetit në Shqipëri ka hyrë në një trend rënës që prej 2013-s. Në vitin 2017, norma mesatare e fertilitetit ishte 1.48, nga 1.54 që ishte më 2016.
Qarqet me lindshmërinë më të ulët në Shqipëri janë Vlora me 1.2 lindje për grua, Korça dhe Gjirokastra me 1.3 lindje për grua, Shkodra dhe Tirana me 1.4 lindje për grua, Fieri me 1.5 lindje.

Qarqet që kanë të njëjtën mesatare lindshmërie prej 1.6, sa edhe mesatarja e Bashkimit Europian, janë Durrësi, Berati dhe Elbasani. Ndërsa Lezha ka një mesatare prej 1.8 lindje për grua. Dy qarqet me normë më të lartë lindshmërie janë Dibra dhe Kukësi me përkatësisht 2.2 dhe 2.3 lindje për grua.

Nga viti në vit, numri i lindjeve po bie me shpejtësi, duke sinjalizuar nj ë situatë alarmante për popullsinë e vendit. Zhvillimet demografike po bëhen dramatike edhe prej emigracionit të lartë të moshave të reja, duke sinjalizuar një perspektivë jo të mirë për zhvillimet sociale dhe ekonomike në vend në të ardhmen e afërt. Sipas INSTAT, numri i bebeve të lindura më 2018 ishte 6% më i ulët se një vit më parë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of