Yield-i mesatar i portofolit të brendshëm pësoi sërish një rënie të lehtë në tremujorin e dytë të vitit, duke prekur një minimum të ri historik.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, yield-i mesatar në muajin qershor zbriti në nivelin 3.58%, nga 3.61% që kishte qenë në fund të vitit 2020 dhe 3.75% në mesin e vitit 2020. Pas një rritjeje në prill dhe maj, gjatë muajit qershor yield-et e borxhit të qeverisë pësuan sërish rënie, duke prekur një minimum të ri historik, për sa i takon vlerës mesatare. Yield-i mesatar pa llogaritur pjesën e portofolit të mbajtur nga Banka e Shqipërisë (që merr pjesë në ankande pa oferta konkurrese) ishte pak më i lartë, në nivelin 3.77%, por tendenca rënëse është e njëjtë, edhe nëse përjashtojmë këtë segment.
Falë rënies së vazhdueshme të yield-eve, vlera e paguar e interesave të borxhit të brendshëm për 6-mujorin 2021 ra në 10.9 miliardë lekë, 7.6% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Shuma e paguar për interesa ka rënë, pavarësisht se stoku i borxhit të brendshëm është rritur me 7% krahasuar me mesin e vitit të kaluar.
Pas pandemisë, politika monetare nxitëse e Bankës së Shqipërisë dhe gjendja e shëndetshme e tregut financiar ka ndihmuar në uljen e mëtejshme të yield-eve dhe të kostos së huamarrjes për qeverinë shqiptare. Presioni mbi normat e brendshme të interesit u ul më tej nga strategjia e qeverisë shqiptare për të shfrytëzuar tregjet e huaja për pjesën më të madhe të huamarrjes së re. Eurobondi prej 650 milionë eurosh rriti ndjeshëm likuiditetin e lirë në tregun e brendshëm financiar në gjysmën e dytë të vitit 2020, duke ndihmuar në uljen e mëtejshme të yield-eve.
Në mesin e këtij viti, maturiteti mesatar i letrave të borxhit të emetuara në tregun e brendshëm ishte 782 ditë, me një rënie të lehtë krahasuar me një vit më pare, kur maturiteti mestaar ishte 789 ditë. Ulja e maturitetit mesatar lidhet kryesisht me një riaktivizim më të shpeshtë të ankandeve të huamarrjes afatshkurtër nga Ministria e Financave, me afate 3 mujore dhe 6 mujore. Sidoqoftë, tendenca afatgjatë ngelet dukshëm drejt zgjatjes së maturitetit mesatar të insturmenteve të huamarrjes në tregun e brendshëm. Pas vitit 2014, qeveria shqiptare nisi të zgjasë maturitetin mesatar të instrumenteve të borxhit, me qëllim uljen e rrezikut të rifinancimit. Instrumentet afatgjatë, me maturim mbi një vit, përbëjnë rreth 66% të stokut të borxhit të brendshëm të qeverisë qendore, nga 51% që zinin në vitin 2013.
Në fund të muajit qershor, borxhi publik ishte 1.27 trilionë lekë, në rritje me rreth 4% që nga fillimi i vitit. Ministria e Financave e vlerëson stokun e borxhit të brendshëm sa 75.67% e PBB-së, por kjo llogaritje është bërë kundrejt PBB-së së projektuar nominale të gjithë vitit 2021. Në fund të vitit 2020, borxhi publik vlerësohej sa 77.85% e PBB-së.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.