Rënia e popullsisë, si pasojë e emigracionit, uli konsumin

16/04/2019 4:12 PM 0 komente

Flet Antonela Mema, përfaqësuese e kompanisë HAKO

 

Në vitin 2017, kompania Hako shënoi rritjen më të madhe të të ardhurave.

Ndonëse produktet vendase për nga cilësia mund të kapin tregje jashtë Shqipërisë, kompanitë hasin vështirësi nga barrierat jo-tarifore në vendet e CEFTA-s. Fermat e vogla dhe toka bujqësore e fragmentarizuar nuk mund t’ju sigurojë kompanive shqiptare sasinë e kërkuar të lëndës së parë. Si po ndikon emigracioni tek ulja e konsumit të mishit dhe nënprodukteve të tij.

Si ka qenë ecuria në sektorin e përpunimit të mishit?

Në botë, njerëzit konsumojnë mesatarisht 34 kg mish në vit për person. Sipas statistikave, sa më e lartë mirëqenia e një vendi, aq më shumë mish konsumohet. Shqipëria bën pjesë në grupin e vendeve në zhvillim dhe kjo është një nga arsyet kryesore që konsumi i mishit është në nivele të ulëta. Megjithatë konsumi është rritur ndër vite.

Industria e përpunimit të mishit furnizohet kryesisht me produkte të freskëta nga bagëtia e vendit, apo nga importi i mishit peshë e gjallë (derr, gjedh dhe shpendë) si dhe nga importi mishi i freskët në gjendje karkase (deri 8 gradë C) apo të ngrirë (-18 gradë C) kryesisht mish derri, pule dhe gjedhi.

Fermat e vogla (me pak krerë bagëti) janë një nga problematikat e sektorit. Si ka ndikuar kjo në biznesin tuaj?

Kur nuk arrin të plotësojë nevojat e veta me lëndën e parë vendase, kompania Hako furnizohet me lëndë nga importi.

Individët po tregojnë gjithnjë e më shumë kujdes me dietën ushqimore. A keni konstatuar rënie të konsumit për mishin e përpunuar? Si ka ndryshuar sjellja konsumatore?

Të dhënat botërore nuk tregojnë trend dobësimi të konsumit të mishit dhe nënprodukteve të tij. Në lidhje me Shqipërinë, nuk ka trend dobësimi për konsumin personal nga njerëzit, por është ulur popullsia dhe kjo reflektohet te konsumi. Rënia e popullsisë ka ardhur për shkak të emigracionit kaotik, duke sjellë rënie të konsumit në total. Shqipëria bën pjesë te vendet me trend në rritje për person të konsumit të mishit dhe nënprodukteve të tij. Në 10 vitet e fundit, konsumi është rritur nga 22 kg/person në 44 kg/person në vit. Për këtë arsye, nuk bëhet fjalë për dietë ushqimore kur jemi ndër të fundit në rang europian për konsum mishi dhe të nënprodukteve të tij.

Si është raporti me konkurrencën në këtë treg?

Konkurrenca e ndershme bën vetëm mirë në fushën tonë. Për pasojë, na nxit të investojmë jashtëzakonisht shumë në makineri, standarde të sigurisë ushqimore e për rrjedhojë, në burimet njerëzore dhe lëndë të parë shumë cilësore.
Konkurrenca e pandershme që simbolizohet nga industri klandestine, pa standarde, me lëndë të para të cilësisë së ulët është goditja e vetme që na jepet dhe ndikon në industrinë e përpunimit të mishit, si pasojë e shërbimeve të dobëta shtetërore të sigurisë ushqimore.

Siguria ushqimore është një pikë e dobët e sektorit. Sa të sigurt janë konsumatorët shqiptarë me produktet që ju ofrohen?

Industria e përpunimit të mishit HAKO dhe, si ne, edhe mjaft të tjera, ndjekin dhe kanë implementuar standardet më të larta të sigurisë ushqimore, duke ndjekur gjurmueshmërinë e produktit, si të ishin në BE. Kjo vërtetohet nga auditime vjetore ndërkombëtare mbi sigurinë ushqimore. Konsumatorët janë të sigurt kur marrin produkt nga kompani me emër, me etiketë dhe në kushte shitje sipas standardeve të sigurisë ushqimore.

Cilat janë pritshmëritë tuaja? Sa janë mundësitë për eksport në rajon dhe më gjerë?

Eksporti i produkteve me bazë mishi varet nga niveli i autoriteteve tona të sigurisë ushqimore. Shqipëria nuk mund të eksportojë mish dhe nënprodukte të tij në BE pasi nuk plotëson standardet e sigurisë. BE-ja inspekton se sa i aftë është shteti të ketë nën kontroll sigurinë ushqimore, dhe Shqipëria ka mbetur në klasë. Ne mund të eksportojnë në vendet e CEFTA-s ku përveç Shqipërisë janë anëtarë edhe Mali i Zi, Kosova, Serbia, Bosnjë-Hercegovina e Maqedonia.

Por edhe këtu, nën petkun e kontrolleve sanitare, ka vështirësi të çajë tregun rajonal, edhe pse i dobët, sepse Autoritetet nuk e mbështesin biznesin në këtë fushë. Ndërkohë, vendet e CEFTA-s kanë Autoritete më agresive në mbrojtje të bizneseve të tyre për eksport në drejtim të Shqipërisë.

Nga të dhënat e doganës, mishi i importuar ka një peshë të konsiderueshme në treg. Çfarë faktorësh e kanë nxitur këtë?

Bazuar edhe në statistika, më shumë se 70% e lëndës sonë të parë vjen nga importi dhe kjo kryesisht nga Europa e kontinenti amerikan. Importi po rritet për shkak të strukturës së varfër të blegtorisë sonë. Kjo ka ardhur prej moskooperativizmit të blegtorisë, rrjedhojë e copëtimit të fermave. Sipas ligjit 7501, janë rreth 350 mijë ferma të krijuara me strukturë nga 1-5 krerë bagëti e një sipërfaqe toke të punueshme deri në 1,4 ha/fermë, çka nuk lejon edhe përfitimin nga ekonomia e shkallës.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of