Deficiti buxhetor i këtij viti paralajmëron një rritje jo të zakontë të borxhit publik në vijim, si pasojë e zhbalancimit të treguesve fiskalë, ku të ardhurat kanë shënuar rënie vjetore me 14% në gjysmën e parë të vitit, si rrjedhojë e efekteve negative të pandemisë dhe shpenzimet janë rritur me 1.7%, teksa qeveria ka rritur pagesat për mbështetjen e bizneseve.
Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se në gjashtëmujorin e parë, deficiti buxhetor është zgjeruar me 1015% në raport me një vit më parë. Treguesi në vlerë ishte -38,4 miliardë lekë nga -3,4 miliardë lekë që ishte në të njëjtën periudhë të vitit 2019.
Në aktin e tretë normativ për ndryshimin e buxhetit 2020, qeveria zgjeroi hapësirën për financimin e deficitit buxhetor, duke e çuar në -133 miliardë lekë nga -68 miliardë që ishte në aktin e dytë normativ dhe -38 miliardë lekë që ishte në buxhetin fillestar 2020.
Por ecuria e 6-mujorit të parë tregon për një shfrytëzim të ulët të hapësirës, ku shihet të jetë përdorur vetëm 28% e planit vjetor. Për pjesën e mbetur, qeveria mund të shfrytëzojë edhe 94 miliardë lekë ose rreth 72% të hapësirës. Në çdo rast, qeveria mund të shpenzojë nëpërmjet borxhit të ri edhe 752 milionë euro, ndërkohë të ardhurat në gjashtëmujorin e dytë pritet të jenë me rënie rreth 300 milionë euro, sipas përllogaritjeve në aktin e tretë normativ.
Ekspertët nga financat pohojnë se kjo rritje e deficitit buxhetor pritet të akomodojë në fund të vitit edhe detyrimet e prapambetura që janë krijuar edhe para se të ndodhë pandemia. 106 milionë euro janë vetëm fatura nga vendimet e gjykatave të Arbitrazhit që tashmë janë për ekzekutim në thesarin e shtetit.
Zhvillimet e këtij viti përmbysën edhe rregullin e artë fiskal ku deficiti buxhetor duhet të ishte më i ulët se investimet kapitale. Në gjashtëmujor, investimet kapitale ishin 28 miliardë lekë, ndërsa deficiti i periudhës ishte -38,4 miliardë lekë.
Sipas Aktit Normativ, Stoku i borxhit publik vlerësohet të arrijë në 1 272 563 milionë lekë (10.3 miliardë euro), në fund të vitit 2020, pa përfshirë efektet e mundshme prej ndryshimit të kursit të këmbimit.
Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto të rishikuar, borxhi publik pritet që të arrijë në një nivel rekord prej 80%, sipas përllogaritjeve të Monitor, bazuar në të dhënat e borxhit publik dhe PBB-së së rishikuar nga Ministria e Financave.
Me këto zhvillime, Shqipëria rrezikon një rritje të borxhit publik më të lartë se në vendet e rajonit, të cilat kishin hapësira fiskale në dispozicion për të përballuar pasojat e pandemisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.