Reportazhi, Kukësi, mes varfërisë dhe potencialit për zhvillim

02/12/2017 10:03 PM 0 komente

Verilindja e Shqipërisë është një nga rajonet më të varfra të vendit. Papunësia, infrastruktura e dobët, mungesa e aksesit në shërbime dhe në tregje e bëjnë Kukësin një nga zonat me numrin më të madh të emigrantëve. Për të frenuar emigrimin masiv të banorëve të këtyre zonave, qeveria gjermane në bashkëpunim me GIZ dhe Bankën KFW kanë sjellë disa projekte për mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të këtyre zonave

 

Nga Ledina Loga

 

Shaban Murataj është fermer në fshatin Gostil të Qarkut të Kukësit. Pak kilometra larg qytetit, fshati Gostil njihet për traditën bujqësore, ndërkohë që e gjithë zona e Kukësit mbështetet kryesisht në blegtori. Familja Murataj e ka trashëguar bujqësinë brez pas brezi. Fillimisht fermën e ngriti Asllani, i ati i Shabanit, dhe Shabani shpreson që një ditë ta drejtojë i biri, Arlindi.
Arlindi, edhe pse studion jashtë Shqipërisë, synon që një ditë të kthehet në vendin që po braktiset masivisht.
Familja Murataj kultivon në fermë sherbelë, ka mbjellë vreshta, bimë foragjere, si dhe rrit lopë dhe bletë. Shabani thotë se gjithë jetën ka bërë këtë punë, bashkë me familjen e tij, megjithatë nuk është aspak optimist. Nuk na leverdis fare, tha ai për “Monitor”, por po pres që të përfundojnë shkollën fëmijët.

Shabani ka qenë së fundi përfitues i një granti dhënë në kuadër të projektit në Mbështetje të Bujqësisë dhe Zhvillimit Ekonomik në Zonat Rurale Malore (SARED), financuar nga qeveria gjermane dhe daneze. Projekti mbështet zhvillimin e katër prej zinxhirëve më të rëndësishëm të vlerave në zonat malore rurale: Bagëtitë e imta, bimët aromatike dhe mjekësore, pemët frutore dhe arrore dhe turizmin rural.
Projekti synon që të nxjerrë nga varfëria familjet e këtyre zonave, t’i ndihmojnë që të bëhen konkurruese në treg, t’i afrojë me shërbimet dhe tregjet.

 

Sherbela shqiptare, jo më e preferuar

Ferma e Shaban Murataj ka një sipërfaqe prej 2.1 hektarësh, prej të cilave 11 dynymë i ka mbjellë me sherbelë. Çdo dynym prodhon të paktën 300 kilogramë sherbelë. Përpara dy vitesh, sherbela, bimë mjekësore e preferuar në Gjermani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shitej me një çmim shumice të lartë, 200 lekë për kg. Sipas Shabanit, këtë vit çmimi ka rënë shumë. Për një kilogram sherbelë të njomë, grosistët nuk ofrojnë më shumë se 50 lekë. Nëse për të njëjtën sipërfaqe ai fitonte dikur rreth 660 mijë lekë, këtë vit do të marrë vetëm 165 mijë lekë.

Shabani pohoi për “Monitor” se tregu u prish prej grosistëve, të cilët synuan që të çonin sa më shumë sherbelë jashtë. Një pjesë e fermerëve u nxitën që të prodhonin më shumë, duke përdorur plehra kimike tek sherbela, duke rritur rendimentin e sipërfaqes së prodhuar, por njëkohësisht duke ulur edhe cilësinë e sherbelës. Shqipëria pëlqehej për sherbelën e egër, prej së cilës nxirrej vaji i sherbelës. Sherbela e kultivuar, por e patrajtuar me pleh kimik, ka një nivel më të ulët të nxjerrjes së vajit, por përsëri në nivele të kënaqshme.

Sherbela e trajtuar me pleh kimik, ka një nivel të ulët dhe kur u eksportua në Amerikë dhe Gjermani prishi reputacionin e sherbelës shqiptare.

Sipas të dhënave nga doganat, për të dytin vit, eksportet e bimëve mjekësore kanë shënuar rënie. Në 2016, totali i eksporteve për grupin e mallrave (Farëra vaji dhe fruta vajore; kokrra, fara dhe fruta të ndryshme; bimë industriale ose mjekësore; kashtë dhe foragjere) ku përfshihen edhe bimët mjekësore ishte 30.9 milionë dollarë. Vlera më e lartë e eksporteve të këtij grupi u shënua në 2014, ku sipas të dhënave të Doganës përllogariteshin rreth 35 milionë dollarë eksporte.

 

Kontrabanda nga Kosova

Shabani ka kultivuar në fermë edhe vreshta. Këtë vit – tha ai – prodhimi ishte i mirë. Lloji i rrushit që ai prodhon është për konsum. Një pjesë të prodhimit e ka shitur në treg, ndërsa pjesën e mbetur e ka bërë raki. Sipas zotit Murataj, një prej arsyeve pse nuk mund të jenë konkurrues në treg janë prodhimet kontrabandë që hyjnë nga Kosova. Jo vetëm për rrushin, por për një kategori të gjerë të produkteve bujqësore që kanë hyrë kontrabandë nga vendi fqinj, po bëhen problematike për të gjithë zonën për sa i përket konkurrueshmërisë.
Edhe vreshtaria nuk ka përfitime, por duhet të merremi me diçka,- thotë Shabani. Unë punoj gjithë ditën me gruan. Kjo është një zonë e varfër. Rreth 80 për qind e familjeve të Gostilit janë pa punë. Njerëzit në përgjithësi në këto zona merren me bujqësi për të përmbushur nevojat e veta. Familjet e kësaj zone mbahen vetëm nga emigracioni.

 

Shishtaveci, destinacion për turizmin malor

Duheshin vetëm 35 minuta për të shkuar nga qyteti i Kukësit në një nga zonat malore më të bukura të Shqipërisë. Njësia Administrative e Shishtavecit, prej shumë kohësh ka qenë një zonë e izoluar, ku përveç klimës së ashpër, banorët ishin të izoluar dhe për shkak të mungesës së infrastrukturës. Me një bashkëpunim ndërinstitucional u lidh kjo zonë me qytetin e Kukësit, falë ndërtimit të rrugës 38 km e gjatë, 20 prej të cilave ishin financim i qeverisë gjermane nëpërmjet Bankës KFW, por edhe në investimin në ujësjellës.

Një tjetër zinxhir i rëndësishëm për zhvillimin e zonave malore është dhe mbështetja e turizmit rural. Fshatrat e njësisë administrative të Shishtavecit, të cilët janë ndërtuar në një lartësi mesatare prej 1300 metër mbi nivelin e detit, kanë potencial për zhvillimin e turizmit malor. Shumë shpejt, Shishtaveci mund të shndërrohet në destinacionin më të kërkuar, jo vetëm për turistët lokalë të aventurës, që janë në kërkim të destinacioneve të reja, por edhe të kësaj kategorie turistësh të huaj.

Megjithatë aktualisht nuk ka asnjë strukturë akomoduese. Në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm, një ndër zinxhirët e vlerës që GIZ po mbështet nëpërmjet projektit SARED është edhe turizmi. Por problem kryesor për absorbimin e tokave mbetet certifikata e pronësisë, që shumica nuk e kanë. Kjo ka sjellë vështirësi në absorbimin e fondeve, jo vetëm për turizmin, por edhe bujqësinë. Gjithashtu ka pasur vonesa në lejet e ndërtimit. Sipas zotit Dritan Tahiraj, përfaqësues i projektit SARED në Veri, ka pasur kërkesa sporadike për të zhvilluar bujtinat në atë zonë.
Ai u shpreh optimist dhe tha se shikon potencial për zhvillimin e turizmit malor në këtë zonë, e cila do të ndikonte drejtpërdrejt në përmirësimin e gjendjes ekonomike të Shishtavecit, si dhe do të inkurajoheshin që të mos emigronin. Zona e Shishtavecit po braktiset nga të rinjtë e papunë.

 

Emigrimi masiv, rezultat i mungesave të alternativave në punësim

Në fshatin Novosej, pjesë e njësisë administrative së Shishtavecit, kanë kaluar pesë vite nga hera e fundit kur në fshat pati një dasmë. Pjesa më të madhe e të rinjve kanë emigruar drejt Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë. Emigracioni ka prekur të gjithë Qarkun e Kukësit. Të shumtë janë dhe ata që janë rikthyer nga emigracioni ilegal.
Sipas kryetarit të Bashkisë së Kukësit, zotit Bashkim Shehu, po bëhen përpjekje për të zhvilluar Kukësin, i cili me reformën e re administrative është rritur në sipërfaqe. Zoti Shehu tregoi për “Monitor” se janë në pritje të investimeve në zonë e Kukësit në fasoneri. Shumë shpejt pritet që në qytetin e Kukësit të ndërtohet një fabrikë për prodhimin e këpucëve, që parashikohet se do të punësojë rreth 400 deri në 600 gra.
Për të nxitur sipërmarrjen e vogël në vend, Bashkim Shehu tha se Bashkia e Kukësit ka ulur taksat deri në 30% për bizneset dhe me 50% për bizneset që operojnë në sektorin e turizmit.

 

Potenciali i drurëve arrorë

I gjithë Qarku i Kukësit numëron rreth 11 mijë fermerë. Alfred Cenko, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë, tha se Qarku i Kukësit mbështetet kryesisht në blegtori, por edhe bujqësi. Sipas drejtorit Cenko, aktualisht ka kërkesë të lartë për prodhimet e drurëve arrorë, ku Tropoja kryeson për eksportet e gështenjës.
Eksportet e gështenjave kanë qenë në rritje, ku vetëm në 2016-n u eksportuan rreth 8.3 milionë dollarë, kryesisht në Itali dhe në Hungari. Në harkun kohor të pesë viteve, eksportet janë rritur me rreth 3.4 herë.

 

Edhe pse patatja e Kukësit është brand, rriten importet

Fatmira, banore e fshatit Novosej në njësinë administrative të Shishtavecit, tregoi për “Monitor” se në dimër, për shkak të kushteve klimatike në fshat nuk kanë punë. Ata merren kryesisht me blegtori, por edhe me kultivimin e patates.
Në haurin e shtëpisë së Fatmirës, bagëtitë janë të pakta. Ka vetëm dy viça 4 muajsh, të cilët pret t’i çojë për t’i shitur. Ajo tregon se kostot për rritjen e viçave kapërcejnë ndonjëherë çmimin e shitjes së gjedhit. Sipas saj, një kilogram mish peshë e gjallë shitej me 300 lekë.

E njëjta situatë është edhe me bujqësinë. Zona e Shishtavecit është e njohur për kultivimin e patates. Tani në dimër, pataten e kishin mbuluar nën kavaleta në pritje të kërkesës për to, të cilat nëse hapeshin, do të duhej të shitej e gjithë sasia në kavaletë. Banorët treguan se shpesh detyroheshin që ta hidhnin prodhimin. Arsyeja: Konkurrenca e pandershme, veçanërisht nga Kosova. Sipas të dhënave të doganave, importet e patates kanë qenë në rritje për të dytin vit radhazi.

Kemi tokën me rendimentin më të lartë për sa i përket bimës së patates, megjithatë në vitet e fundit kemi rritur importin dhe ulur prodhimin.
Sipas të dhënave nga INSTAT, prodhimi i patates në 2016-n ishte 238.3 mijë tonë, 7 mijë tonë më pak se një vit më parë, ndërkohë që importi i patates për të njëjtin vit u rrit me thuajse 30%.

Nga të dhënat e faqes Our World in Data, krahasuar me vendet e rajonit, toka bujqësore shqiptare ka rendimentin më të lartë të prodhimit të patates. Nga të dhënat e mbledhura nga FAO, një hektar tokë në Shqipëri prodhon rreth 25 tonë patate.
Toka shqiptare ka rendiment më të lartë edhe se toka maqedonase dhe malazeze, që prodhojnë në një hektar 14 tonë patate. Rendimenti i tokës në Serbi është 11 tonë për një hektar, ndërsa në Bosnjë 9 tonë për hektarë. (Të dhënat për Kosovën mungojnë)

 

Dekurajimi i bujqësisë

Në një analizë të posaçme që Komisioni Europian ka bërë për zhvillimin e bujqësisë në Ballkanin Perëndimor ka gjetur se qeveria shqiptare ofron mbështetje të ulët për bujqësinë në raport me vendet e tjera të rajonit, sidomos për subvencionet e drejtpërdrejta për prodhuesit.
Analiza tregoi se shumica e vendeve në rajon po tregojnë një trend rritës të fondeve për masat direkte të mbështetjes së prodhuesve në vitet e fundit.
Në vitin 2014, subvencionet direkte ndaj prodhuesve nga më pak se 3 euro në Shqipëri arritën 145 euro në Maqedoni. Sasi të ngjashme për hektar janë regjistruar në Kosovë (45 euro), Bosnjë dhe Hercegovinë (31 euro) dhe Malin e Zi (25 euro).
Mbështetja e bujqësisë në rajon pohohet edhe nga drejtori i Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë në Qarkun e Kukësit, Alfred Cenko, sipas të cilit investimet në bujqësi në shtetin fqinj, Maqedoni, ishin dhjetë herë më të larta.

 

Ecuria e tregtisë

Megjithatë, edhe pse me një tokë bujqësore që ka rendiment të lartë, importet e patates kanë shënuar rritje në të dytin vit radhazi me gati 30%. Ndërsa për sa u përket eksporteve, në pesë vitet e fundit, niveli më i lartë u shënua në 2013-n, ku sasia e eksportuar ishte 1504 tonë. Në 2016-n, nga të dhënat e Doganës, sasia e eksporteve ishte 844 tonë, 1.7 herë më pak.

 

Përpjekje për të nxjerrë Veriun nga varfëria

Nga i gjithë fondi i rrugëve dytësore (rurale) u përzgjodhën 1500 km për t’u financuar nga donatorë të ndryshëm. Në këtë shportë financimi investuan Banka Botërore, BERZH dhe KFW. Banka KFW u përqendrua në zonat e Veriut, Dibrës dhe Kukësit, në rrugën e Shishtavecit, Vermoshit dhe Qelzës.
Përzgjedhja e rrugëve, sipas përfaqësuesve të KFW, është bërë në bazë të disa kritereve. Është bërë vlerësimi social ekonomik, i përfitimit të banorëve të zonës, ku u pa niveli i jetesës, niveli i varfërisë, nevojat për akses në shërbimet sociale dhe shëndetësore, largësia nga këto shërbime, nga shkollat dhe nga tregjet. U vendos për këto 90 km. Programi synonte reduktimin e varfërisë. Në periudhën 2010-’12, kur nisën këto investime, llogaritej që varfëria ishte më e theksuar dhe ndërhyrja ishte e kombinuar dhe me përmirësimin e furnizimit me ujë, duke i vënë në dispozicion ujë 24 orë.

 

Potenciali i papërdorur i sektorit bujqësor

Flet Hans-Jürgen Cassens, Drejtori i GIZ për Shqipërinë

 

Zonat rurale në Shqipëri kanë ende potencial të papërdorur në sektorin bujqësor për të rritur produktivitetin, cilësinë e produkteve, për të rritur aksesin në tregjet e eksportit dhe për të diversifikuar të ardhurat e familjeve rurale. Rritja e eficienës së prodhimit, me anë të bashkëpunimit midis fermerëve, është një nga potencialet.

Një nga prioritetet e qeverisë gjermane është mbështetja e zhvillimit të qëndrueshëm në Shqipëri. Cilat janë disa nga projektet e GIZ?

Zhvillimi i qëndrueshëm është një nga objektivat mbizotërues i bashkëpunimit të GIZ në emër të qeverisë gjermane. Ne po punojmë nga njëra anë në sektorin e ujësjellësit, mbetjeve të ngurta dhe nga ana tjetër në zhvillimin ekonomik. Në kontekstin e ujit dhe të mbetjeve të ngurta, ne po kontribuojmë për të përmirësuar shërbimet për qytetarët shqiptarë, duke përmirësuar kushtet e jetesës dhe të mjedisit.
Në kontekstin e zhvillimit ekonomik, GIZ është aktiv me një gamë të gjerë projektesh, të cilat mbështesin zhvillimin e sipërmarrjes, arsimin dhe trajnimin profesional, bujqësinë, zhvillimin e zonave rurale dhe turizmit, si dhe harmonizimin e ligjeve për sektorin e ekonomisë me kërkesat e Bashkimit Europian.

Papunësia dhe varfëria janë karakteristika të rajoneve të Veriut të Shqipërisë dhe banorët e atyre zonave po braktisin vendin për të emigruar në Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermani. Çfarë masash po merr GIZ për të fuqizuar vendasit dhe për t’i nxitur që të qëndrojnë në atdhe?

Papunësia dhe mundësitë e pamjaftueshme ekonomike janë faktorë që kanë ndikuar në Shqipëri për një kohë të gjatë, përfshirë edhe Veriun e vendit dhe kërkojnë kohë dhe përpjekje të mëdha për ta kapërcyer. GIZ po kontribuon në zbutjen e situatës për qytetarët në forma të ndryshme. Për shembull, ne po bashkëpunojmë me Bashkinë e Kukësit dhe organizata joqeveritare për të mundësuar informacion për grupet vulnerabël dhe të rikthyerit. Së bashku me organizatat joqeveritare në Shkodër, ne po ndihmojmë gratë dhe fëmijët që të integrohen përsëri në komunitet, të mbështesin me leksione pas shkollës fëmijët e rikthyer dhe një qendër për gratë, ku mund të takohen dhe të prodhojnë produkte artizanale.

Aktualisht ne po zgjerohemi në këto nisma sociale, duke qenë se janë një faktor relevant për kushtet e jetesës së qytetarëve, krahas perspektivës ekonomike. Ne gjithashtu po mundësojmë këshillime në karrierë dhe sipas kërkesës edhe për mënyrat e emigrimit legal. Për të forcuar perspektivën ekonomike, ne kemi zgjeruar aktivitetet tona për sa i përket trajnimit profesional dhe kurset me kohë të shkurtër, ku është përfshirë dhe Veriu i Shqipërisë dhe po mbështesim fermerët me grante për të rritur produktivitetin e tyre, për t’iu mundësuar kapacitete në ndërtesa për përmirësimin e cilësisë së produkteve dhe shanset për marketing, si dhe po i ndihmojmë për të gjetur burime të tjera alternative si turizmi rural, një sektor me rritje të shpejtë në Shqipëri.

Cilat janë disa nga problemet që fermerët në Veri të Shqipëri po hasin për absorbimin e fondeve nga projekte të ndryshme?

Për të pasur akses financimi nga burime të jashtme, fermerët duhet të paraqesin një numër dokumentesh për të mundësuar faktet se ata janë të përshtatshëm për të marrë mbështetjen. Një nga pengesat më të mëdha mbetet pronësia mbi tokën, respektivisht dokumentacioni për të drejtën e kultivimit të një pjese të caktuar të tokës. Shpesh, fermerët e kanë të vështirë për të përmbushur edhe dokumentacionet e tjera të nevojshme, për të siguruar se investimi i përmbush objektivat dhe është në përputhje me rregullat, p.sh., kur bëhet fjalë për ofertat konkurruese për makineri, lejet për ndërtim, etj. Gjithsesi ne kemi vënë re se fermerëve iu është rritur aksesi për kredi nga bankat, për të kontribuar në pjesën e tyre për investim, si dhe për të qenë pjesë e skemave të subvencioneve.

Si e shikoni perspektivën e zonave rurale në Shqipëri?

Përfundimisht, ka ende potencial të papërdorur në sektorin bujqësor për të rritur produktivitetin, cilësinë e produkteve, për të rritur aksesin në tregjet e eksportit dhe për të diversifikuar të ardhurat e familjeve rurale. Aksesi i fermerëve në financim do të mbesë themelor për stimulin e ekonomive rurale. Rritja e eficienës së prodhimit, me anë të bashkëpunimit midis fermerëve, është një ndër potencialet. Infrastruktura ende ka nevojë për përmirësim, por është bërë shumë gjatë viteve të fundit. Një mënyrë për të rritur tërheqjen është nëpërmjet shërbimeve sociale të përmirësuara dhe investimeve në hapësirat publike.

Sa është përqindja e fondeve të absorbuara të projektit SARED dhe cila nga gjashtë zonat ka përfituar më shumë?

Interesi për lehtësi nga grantet e investimit ka qenë përtej pritshmërisë me 615 aplikime për një shumë totale investimesh prej 14.5 milionë eurosh. Rreth 61% e përfituesve kanë marrë hua për të financuar paraprakisht investimet dhe sikurse aksesi në financimin nëpërmjet bankave, gjithashtu është përmirësuar. Në total, SARED ka pranuar 615 aplikime për grante investimi me një shumë totale investimi prej 14.5 milionë eurosh dhe shumën totale të grantit të aplikimit 9 milionë euro. Në total janë kontraktuar 245 aplikantë me një investim total prej 5.7 milion eurosh dhe një shumë totale prej 3.5 milionë euro.
Për thirrjen e katërt dhe të fundit të SARED-it për 3 zinxhirët e vlerave bujqësore (bagëtitë, pemët arrore dhe bimët mjekësore dhe aromatike) kemi marrë 271 aplikime, nga të cilat rreth 60% janë nga Korça. Për turizmin rural, shumica e aplikimeve vijnë nga Shkodra dhe Dibra.

Cilat janë kriteret që fermerët duhet të përmbushin për të përfituar nga këto projekte?

Të drejtën për të qenë pjesë e Skemës së Grantit e kanë fermerët dhe agrobizneset në gjashtë rajonet e mbështetura (Kukës, Shkodër, Dibër, Elbasan, Berat, Korçë). Aplikantët duhet që të punojnë (ose të fillojnë të punojnë) në prodhim, grumbullim dhe tregtim të produkteve bujqësore në nënsektorët e deleve dhe dhive, frutave dhe arrorëve, si dhe të bimëve mjekësore dhe aromatike. Skema është e hapur ndaj fermerëve apo kompanive, të cilat duan që të konvertojnë mjediset e fermave në mjedise akomoduese për turizmin rural, apo të investimeve jo-fermë për të mbështetur bizneset e vogla për të krijuar shërbime turistike.

Aplikantët duhet që të provojnë nëpërmjet dokumentacioneve ligjore se ata kanë në zotërim tokën dhe pronën ku aktivitetet bujqësore do të zhvillohen; apo se ata kanë marrë me qira tokën ose pronën për të paktën pesë vite nga data e aplikimit. Vetëm një pjesëtar i familjes apo një përfaqësues i biznesit lejohet që të marrë pjesë. Skema e grantit pati gjithsej katër thirrje, të cilat janë të gjitha të mbyllura.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of