Reshjet e ditëve të fundit kanë ndikuar pozitivisht bilancin e Korporatës Elektroenergjitike (KESH). Sipas të dhënave nga kompania gjatë periudhës 01-22 Maj 2016 janë arkëtuar 8.2 milionë euro nga shitja e energjisë (në tregun e rregulluar dhe ate te parregulluar).
Për shkak të prurjeve në rritje KESH po trajton ato nëpërmjet ngarkimit maksimal të mundshëm të agregatëve disponibël në HEC-et e Kaskadës së Drinit, duke rritur prodhimin ditor të energjisë në rreth 20,000 MWh.
Që prej dates 1 maj, KESH po mbulon gjithë kërkesën e vendit për energji elektrike, përfshi humbjet e OSHEE-së në rrjetin e shpërndarjes që vlerësohen rreth 84,480 MWh apo 2.2 milion euro. KESH ka konfirmuar se do të vijojë të mbulojë humbjet deri më dt.22 maj.
Ndërkohë sasinë shtesë të energjisë së prodhuar gjatë periudhës 01-22 maj 2016 KESH e ka shitur në tregun e parregulluar. Sasia totale e energjisë së shitur në këtë treg është 227.000 MWh, me një vlerë monetare prej 6 milion Euro.
Aktualisht, KESH ka hapur një tjetër procedurë shitje energjie për periudhën 18-22 maj ku ka bërë ftesë për shitjen e rreth 24.000 MËh. Gjatë kësaj periudhe prodhimi ditor i energjisë pritet të rritet në rreth 24 MWH.
Deri tani në total përmes shfrytëzimit optimal të prurjeve Korporata Elektrenergjitike Shqiptare ka arritur të sigurojë një përfitim financiar prej 8.2 milionë euro në 22 ditët e para të muajit maj.
Aktualisht rezerva energjitike e akumuluar është rreth 1.400.000 MWh.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.