Mungesa e borës po sjell vështirësi për resortet e skive në gjithë Europën. Resortet me nivele të ulëta bore po mbyllen, duke bërë që shumë njerëz të shqetësohen për planet e tyre për disa ditë pushimesh dhe ndikimin ekonomik në afat të gjatë në rajonet malore.
Që prej Krishtlindjeve, Franca ka regjistruar motin më të ngrohtë që prej vitit 1997, ku temperaturat kanë qenë 7 apo 8 gradë më të larta se zakonisht, gjë që ka sjellë, si pasojë, mungesën e borës në male.
Në anën tjetër të kufirit, në Zvicër, Splügen-Tambo, që ndodhet nën 1500 metra, është një nga resortet e para që u mbyll para disa ditësh, duke pohuar në një deklaratë se “për fat të keq, për shkak të mungesës së borës, reshjeve të dendura dhe temperaturave të larta, jemi të detyruar të mbyllim resortin tonë të skive deri në një lajmërim të ri. Ne nuk mund t’i përgatisim pistat pasi ka shumë ujë … dhe bora nuk ngrin gjatë natës”.
Edhe shumë struktura të tjera në lartësi të ulëta janë detyruar të mbyllen. Në Morzine, në Francë, bora mungon dhe shumë po shkojnë drejt Avoriaz, fqinjit më të lartë, ku pistat e borës janë të mbipopulluara.
Andy Sturt, i cili jeton në Morzine dhe zotëron VIP Ski, e komentoi situatën: “Për momentin ka dy përvoja. Nëse jeni mbi 1700 metra gjithçka është e bardhë dhe të gjithë argëtohen. Por nëse jeni nën 1700 metra, gjithçka është e gjelbër dhe duhet të shkoni më lart për të gjetur borë”.
Sturt shtoi se kjo situatë nuk ka qenë e pazakontë në vitet e fundit – paralajmërimet klimatike janë shqetësuese për të ardhmen dhe resortet e skive në lartësi të ulëta nuk janë në gjendje të ruajnë borën si njëherë e një kohë.
Në Pirenejtë francezë, 10 nga 30 resortet janë detyruar të mbyllin disa prej zonave të skijimit nga Viti i Ri dhe vetëm një e katërta e pistave janë të hapura.
Diku tjetër në Francë, në resortin Schlucht, në malet Vosgi, teleferikët janë të hapur për alpinistët, por jo për skiatorët, kurse në rajonin Haute-Savoie ka rënë më shumë shi se sa borë, duke shkaktuar përmbytje në pistën e skive të Praz de Lyz Sommand.
Vlerësohet se thuajse 1.7 milionë britanikë do të shkojnë në pistat e skive këtë dimër, kryesisht në Alpet zvicerane, franceze ose italiane, dhe shumë do të ndihen në ankth nëse kanë rezervuar – operatorët turistikë kanë detyrime të ndryshme për atë që ndodh në rast të mungesës së borës.
Rezervimet e minutës së fundit (zakonisht janë skiatorët profesionistë, të cilët presin të shohin parashikimet e borës para prenotimit) shkojnë drejt resorteve në lartësi më të madhe.
Operatori turistik Skiworld raporton trefishimin e rezervimeve në resortet në lartësi të mëdha ose ato në një akullnajë, si Tignes në Francë, i cili ndodhet në 2500 metra.
Shumë rajone të tjera po mbështeten në borën artificiale, por kjo është një mënyrë e shtrenjtë dhe me intensitet të lartë energjetik për t’i bërë të lumtur skiatorët.
Në një situatë që pritet të keqësohet, Universiteti i Grenoble ka zbuluar se që prej vitit 1951, thuajse gjysma e 169 resorteve të skive janë mbyllur në Francë për shkak të mungesës së borës. Statistikat tregojnë se shumë zona malore mund të humbin deri në 70 për qind të sipërfaqes me borë brenda vitit 2100.
Shumë resorte po orientohen drejt aktiviteteve të tjera për të tërhequr turistë, si ngjitja në pemë ose ekskursionet me raketa bore (snowshoeing – ecje në borë me çizme speciale). Në Pirenej, ngjitjet dhe çiklizmi janë aktivitetet kryesore në fazë zhvillimi.
Resorte të tjera skish po adoptojnë një qasje tjetër. Për shembull, Serre Chevalier në Francë, po kalon drejt energjisë diellore, të erës dhe hidroelektrike. Në çatitë e teleferikut janë vendosur panele diellore që prodhojnë më shumë energji se sa konsumohet, për shkak të reflektimit të fortë diellor.
Teleferikë të tjerë furnizohen nëpërmjet energjisë së erës. Ai ka prezantuar eko-restorante dhe po zhvillon idenë e Eco-Gîtes (fjala franceze për të treguar një “cottage” – vilë pushimi).
Parashikohet që konsumi energjetik të reduktohet në resort, duke drejtuar teleferikët në ngjitje me një ritëm më të ngadaltë kur radhët janë më të shkurtra. Mund të jetë një shembull i dobishëm për resortet e tjera të skive, pasi vetëm një minutë pritje më e gjatë në radhë në teleferik mund të kursejë me 20% energjinë e përdorur.
/ Forbes