Restorantet më të vjetra në botë mbartin disa histori tepër interesante, por vazhdojnë të shërbejnë ushqime shumë të shijshme… ende, edhe sot e kësaj dite!
Disa turistë kënaqen duke marrë adrenalinë nga sportet ekstreme, ndërsa të tjerë janë më të interesuar të eksplorojnë kulturën lokale të një destinacioni. Për më tepër, disa turistë kënaqen kur vizitojnë destinacione të ndryshme thjesht për të provuar ushqimin që ato ofrojnë.
Përveç ushqimit të shijshëm, turistët janë në kërkim të restoranteve të bukura, me hijeshi dhe atmosferë unike që dallon nga ndërtesat e tjera të zonës.
Pavarësisht nëse do t’u duhet për postime në mediat sociale ose për arsye personale, turistët që duan të udhëtojnë për në restorantet më të veçanta në mbarë botën, mund të kenë dëshirë të shohin këtë listë: këto janë disa nga restorantet më të vjetra në botë, që vazhdojnë të jenë ende të hapura!
- Sobrino De Botín (Madrid, Spanjë)
- Themeluar në vitin 1724
- Adresa: C. de Cuchilleros, 17, 28005 Madrid, Spanjë
Rekordet Botërore Guinness e njohën Sobrino de Botín si një nga restorantet më të vjetra në botë, ndërsa Forbes e vlerëson atë si një nga restorantet më klasike që kanë ekzistuar ndonjëherë. I famshëm për mishin e shijshëm të derrit dhe të qengjit, ky restorant në Madrid ofron kuzhinë tradicionale kastiliane. Gjatë turneut në parqet e shumta kombëtare në Spanjë, turistët mund t’i marrë uria dhe të vizitojnë Sobrino de Botín!
- Taverna White Horse (Newport, Rhode Island, SHBA)
- Themeluar në vitin 1673
- Adresa: 26 Marlborough St, Newport, RI 02840
Taverna White Horse në Rhode Island është restoranti më i vjetër në Amerikën e Veriut dhe njihet si “Taverna më e vjetër e Amerikës”. Për më shumë se 350 vjet, ky restorant ishte fillimisht një shtëpi dykatëshe për Francis Brinley, një rezidencë në Newport.
Në vitin 1673, shtëpia u ble nga William Mayes Sr dhe u shndërrua në restorantin që njerëzit shohin sot. Në kohët moderne, vizitorët mund të shijojnë dekorin e restorantit që pasqyron sharmin arkitekturor amerikan të shekullit të 17-të.
Restoranti u ofron turistëve ushqim deti të freskët, të kapur në gjirin Narragansett, së bashku me ushqimet tradicionale lokale si djathi, mjalti dhe mishrat me cilësi të lartë nga fermat lokale. Turistët kuriozë mund të shkojnë për të pirë një birrë në tavernën më të vjetër të Amerikës!
- Antica Pizzeria Port Alba (Napoli, Itali)
- Themeluar në vitin 1738
- Adresa: Via Portalba, 18, 80134 Napoli Campania, Italia
Picat e sotme dhe fetat e djathit të picës janë falë Antica Pizzeria Port Alba, që mendohet se është piceria e parë në botë. Ky restorant në fillimet e veta ishte thjesht një stendë, por më pas u shndërrua në një restorant të mirëfilltë në vitin 1830. Turistët shkojnë në këtë vend komod për të provuar picat e bëra si në shtëpi dhe kuzhinën tradicionale!
- Sean’s Bar (Westmeath, Irlandë)
- Themeluar në vitin 900 pas Krishtit
- Adresa: 13 Main St, Athlone, Co. Westmeath, N37 DW76, Ireland
Westmeath, i cili ndodhet mes Galway dhe Dublinit, është shtëpia e pijetores më të vjetër në botë, të quajtur Sean’s Bar. Lonely Planet e vlerësoi këtë pijetore irlandeze si një nga “50 baret që do t’ju befasojnë”. Asnjë lokal tjetër në botë nuk është aq i vjetër sa ai i Sean-it, sipas Librit të Rekordeve Botërore Guinness. Sot, turistët kureshtarë mund të çlodhen me një birrë dhe të admirojnë një pjesë të murit që është bërë tërësisht me monedha.
- Brazen Head (Dublin, Irlandë)
- Themeluar në vitin 1198 pas Krishtit
- Adresa: 20 Lower Bridge St., Usher’s Quay, Dublin, DO8 WC64
Brazen Head i Dublinit nuk është aq i vjetër sa Sean’s Bar (pavarësisht se thuhet që është “zyrtarisht i njohur” si pijetorja më e vjetër e Irlandës), por mbetet po aq madhështor sa ai. Që nga viti 1198 pas Krishtit, lokali u përdor si një shtëpi e hapur ose tavernë. Turistët mund ta gjejnë këtë lokal sot në zemër të Dublinit, në lagjen Merchant’s Quay.
- St. Peter Stiftskulinarium (Salzburg, Austri)
- Themeluar në vitin 803 pas Krishtit
- Adresa: Sankt-Peter-Bezirk 1/4, 5020 Salzburg, Austri
I njohur gjithashtu si Stiftskeller St. Peter, ky restorant austriak thuhet se është një nga restorantet më të vjetra në Europë. St. Peter Stiftskulinarium u dokumentua për herë të parë në vitin 803 nga ndihmësi i Karlit të Madh. Sot, restoranti krenohet me 11 dhoma ku mund të darkojnë në mënyrë shumë të rehatshme 620 persona (ndërkohë, oborri i jashtëm ka kapacitet për 300 persona).
Për të shijuar kuzhinën e shijshme mesdhetare, St. Peter Stiftskulinarium në zemër të Salzburgut është vendi ku duhet të shkoni.
- Honke Owariya (Kyoto, Japoni)
- Themeluar në vitin 1465
- Adresa: Japoni, 〒604-0841 Kyoto, Nakagyo Ward, Niomontsukinukecho, 322
Për më shumë se 16 breza, Honke Owariya u shërben klientëve një specialitet unik: soba mochi. Kjo ëmbëlsirë me fasule të kuqe (azuki) është e mbështjellë brenda një kore soba, e mbuluar me fara susami.
Që nga vitet 1860 (rreth periudhës Edo në Japoni), klientët janë dyndur në Honke Owariya për të shijuar këtë ëmbëlsirë, së bashku me ëmbëlsirat e tjera të njohura si soba-ita.
- Wurstkuchl (Regensburg, Gjermani)
- Themeluar në vitin 1146
- Adresa: Thundorferstraße 3, 93047 Regensburg, Gjermani
Ndonjëherë, recetat klasike janë të përsosura ashtu siç janë, pa pasur nevojë për modifikime. Në Wurstkuchl, lakra turshi e bërë vetë nga Elsa Schricker me salsiçe derri të pjekura në skarë bën që klientët të vazhdojnë të vijnë, edhe pas 500 vitesh.
Ky restorant historik ndodhet pranë Urës së Gurit dhe pret që udhëtarët e uritur të ndalojnë këtu për salsiçet e shijshme të derrit (me lakër turshi dhe mustardë). Wurstkuchl njihet si Bratwurstsube më e vjetër në botë.
- Ma Yu Ching’s Bucket Chicken House (Kaifeng, Henan, Kinë)
- Themeluar në vitin 1153
- Adresa: Kaifeng, Provinca Henan, Kinë
I njohur gjithashtu si Ma yuxing, restoranti u krijua në vitin 1153, gjatë periudhës së dinastisë Jin të Kinës. Ai është i famshëm për pulën “në formë kove”, e njohur ndryshe si pula e kovës. Një tjetër specialitet i restorantit është “Supa me Pulë të Pjekur Ma Yuxing “. Restoranti u hap kur themeluesit e restorantit (familja Ma) tregtonin pulë në kovë në provincën Nanjing të Kinës.
- Old House 1147 (Llangynwyd, Uells)
- Themeluar në vitin 1147
- Adresa: Llangynwyd, Maesteg CF34 9SB, Mbretëria e Bashkuar
I njohur si lokali më i vjetër në Uells, Old House 1147 është dy orë larg nga Maesteg. Sot, ai funksionon si bujtinë, restorant dhe sallë dasmash. Turistët e uritur mund të shijojnë gatimet e njohura me salsiҫe me mish derri, bonbonet me mish rose, byrekun Old House me patate dhe bizele, si dhe shumë pjata të tjera të shijshme! / The Travel