Pronarët e restoranteve dhe klubeve në Itali po kërkojnë mbështetje urgjente nga qeveria për shkak të rritjes së anulimeve për rezervimet e Vitit të Ri, që erdhën si rrjedhojë e një rritjeje të numrit të infektimeve me koronavirus, thanë ata në një deklaratë të mërkurën.
Grupi i biznesit Fipe-Confcommercio tha se rritja e numrit të infektimeve dhe rregullat e karantinës të vendosura ndaj kontakteve të ngushta të të prekurve nga COVID-19, kishin sjellë anulimin e 25%-30% të rezervimeve që ishin bërë për darkën e Vitit të Ri.
“Muaji dhjetor… i cili përbën 10% të të ardhurave të restoranteve, është në rrezik,” thanë ata, duke i kërkuar qeverisë të zgjasë një moratorium të borxhit për COVID-19 dhe një skemë kompensimi për punonjësit e hequr nga puna.
Rastet ditore u rritën shumë këtë javë, duke arritur kulmin të martën me 78,313 të infektuar të rinj, ndërsa varianti Omicron, i cili është shumë ngjitës, vazhdon të përhapet.
Kryeministri Mario Draghi ka forcuar rregullat e COVID-19 për periudhën e festave, duke ndaluar koncertet dhe eventet në hapësira të hapura, si dhe duke mbyllur diskotekat deri më 31 janar.
“Diskot dhe klubet janë shkatërruar totalisht pa asnjë njoftim paraprak,” tha Confcommercio.
Virusi po rrënon disa sektorë të jetës publike, duke përfshirë teatrot. Teatri i operës La Scala në Milano u detyrua të anulojë një balet të planifikuar për këtë javë për shkak të infektimit të disa prej balerinëve të shfaqjes.
Italia ka vendosur gjithashtu kufizime për udhëtarët, duke përfshirë ata që vijnë nga vendet e Bashkimit Europian, të cilët duhet të bëjnë një test për koronavirus përpara nisjes së tyre. Ky vendim solli zemërimin e operatorëve turistikë dhe të pronarëve të hoteleve.
Ministri i Turizmit, Massimo Garavaglia, tha në një deklaratë se ai pajtohet me shqetësimet në lidhje me skemën për punonjësit e hequr nga puna dhe i kërkoi ministrisë së punës të veprojë shpejt.
“Përhapja e variantit të ri rrezikon të shkaktojë dëme sociale, së bashku me rënien e të ardhurave,” tha ai./ Reuters