Resuli: Bujqësia vuan mungesën e subvencioneve, 2020 vit i vështirë

15/08/2020 10:04 PM 0 komente

Ervin Resuli, një ekspert i bujqësisë, i cili zotëron “Resuli Farm”, pohon se bujqit këtë vit do të pësojnë humbje për shkak të presionit të pandemisë mbi çmimet dhe kërkesën.

Ai tha se qeveria nuk dha asnjë paketë mbështetëse për bujqësinë, teksa subvencionet thuajse nuk ekzistojnë.

 

 

Si i parashikoni fitimet e fermerëve këtë vit?

2019 dhe 2020 nuk ka nisur mirë për bujqësinë. Referuar shifrave të INSTAT, dhe duke marrë në konsideratë përvojën dhe investimet private që janë bërë kohët e fundit nga fermerët tanë pritej të kishte një rritje më të madhe. Por këto pritshmëri nuk po realizohen.

Së pari, TVSH është një handikap, i cili prodhon disa pengesa për grumbulluesit, që humbasin interesin në periudhat kur çmimi pëson ulje, pra kur frekuenca e çmimit fillon të bjerë. Konkurrenca e produkteve tona dobësohet edhe nga politikat e forta të rajonit që nxjerrin produktin kg/lek në kosto më të lirë për shkak të politikave subvencionuese që kanë shtetet përkatëse.

Kosova e mbështet bujqësinë me 53 milionë euro nga buxheti i shtetit, Mali Zi me 61 milionë euro, ndërsa Shqipëria me vetëm 6 milionë euro. Pra fermerët tanë nuk janë konkurrues me rajonin. Ajo që na favorizon është klima nga e cila produktet tona dalin disa javë përpara rajonit.

Për vitin 2020, pritet të këtë rënie të sektorit të bujqësisë pasi humbjet e 2019 dhe demet nga pandemia do të japin ndikimin e tyre këtë vit. Ç’është më e keqja, qeveria nuk i ka përfshirë fermerët në asnjë paketë. Një pjesë e konsiderueshme e fermerëve nuk do të mbjellim për 2020, ndaj shumë prej nesh po zgjedhin emigracionin si të vetmen mundësi për të jetuar pasi këtu u përballëm me humbje.

 

Cilat janë vështirësitë që po përballet sektori?

Sistemi bankar është në disfavor për fermerët tanë duke qenë se, pjesa dërrmuese është informale, pra tokat bujqësore nuk kanë certifikatë pronësie (kolateral). Bankat nuk japin kredi të buta apo specifikisht kredi për fermerët. Ata janë të detyruar t’u drejtohen fondeve, të cilat japin kredi pa kolateral, ku normat e interesit variojnë nga 25 -35%. Kjo është një luftë e humbur për ta.

 

Çfarë avantazhesh ka bujqësia shqiptare?

Përgjithësisht, sektori i bujqësisë nuk është konkurrues në raport me rajonin, për shkak të mungesës së subvencioneve, copëzimit të lartë të tokës, problemeve të pronësisë etj. Por të vetmin avantazh konkurrues, Shqipërisë ia ka dhënë Zoti, atë klimatik. Klima e ngrohtë na jep 3 deri në 4 javë avantazh me prodhime në treg në raport me zonat lindore të cilat dalin pas nesh në prodhimtari.

 

Hoxhaj: Industria ushqimore nuk ka leverdi, shkak kostot e larta

 

Altin Hoxhaj, i cili ka një njësi përpunimi për prodhimin e salcës në Qarkun e Fierit pohon se, industria e përpunimit e sjell bujqësinë dhe prodhimin në rangun e një biznesi të mirëfilltë. Por kostot e larta të paketimit dhe lëndës djegëse i nxjerrin prodhimet vendase me çmime më të larta se të importit.

 

Zoti Hoxhaj, a ia vlen të investosh në industrinë ushqimore?

Industria ushqimore është e domosdoshme sepse është një garanci për bujqësinë, dhe një shtysë për zhvillimin e saj, pasi e mëson fermerin të punojë me një kulturë bujqësore, me sipërfaqe të mëdha dhe të arsyetojë si biznesmen për rritjen e prodhimit.

Tani punohet me sipërfaqe të vogla p.sh. pak domate, pak spec, pak bostan dhe në këtë mënyrë, fermeri vetëm sa plotëson nevojat e tij pa mundur të ecë përpara. Vlera e investimit në industrinë ushqimore është e vështirë të shlyhet, për arsye se në Shqipëri, industria ushqimore është në disavantazh në të gjitha fushat, për shkak të politikave të shtetit që nuk e ndihmojnë.

 

Cilat janë problematikat që po përballeni?

Baza e industrisë ushqimore është lënda djegëse dhe ambalazhi. Lënda djegëse është më e shtrenjtë se në të gjithë rajonin, të mos themi edhe në rang botëror dhe nuk ka lehtësi. Për industrinë e përpunimit, e gjithë Europa e subvencionon dhe e nxit për lëndët djegëse dhe për të gjithë ambalazhin, pasi është hallka kryesore që rrit vlerën e prodhimeve bujqësore. Ambalazhi, po ashtu qelqi dhe plastika, për të cilat industria ushqimore ka më shumë nevojë, kanë akcizë shumë të lartë në import, pasi në Shqipëri nuk ka linja të prodhimi të qelqit.

 

A e keni të sigurt tregun?

Unë prodhoj pure domate natyrale pa konservantë dhe aditivë dhe dal me kosto për shishe me 75 lekë. Ndërkohë në markete, salca shitet me 65 lekë nga konkurrenca e pandershme, kryesisht prodhime kineze me shtesa aditivë dhe bojë. Unë nuk mundem të konkurroj në treg as me fitime minimale, për arsye se dhe kultura e të ushqyerit është të shkohet tek më e lira.

Për të mbajtur gjallë aktivitetin, po mundohem të punoj vetëm me piceritë dhe me ambalazh të rikthyeshëm. E veçanta e salcës sonë është pjekja e domates me avull dhe pa konservantë dhe shtesa të tjera. Prodhimi ynë nuk ka të krahasuar as me prodhimet më të mira italiane që hyjnë në Shqipëri, e megjithatë, unë nuk kam treg.

 

Çfarë politikash mbështesë propozoni për nxitjen e përpunimit?

Me shtetin që kemi ne nuk presim asnjë politikë mbështetëse. Flitet shumë për bujqësinë dhe zhvillimin e saj, por bëhet për të justifikuar vjedhjet e fondeve. Kurse për industrinë ushqimore, as që përmendet. Baza e aktivitetit tonë është lënda djegëse dhe ambalazhi. Gjithashtu, skema aktuale e TVSH-së në dëmton. Unë e blej domaten nga fermeri me 6% TVSH dhe e shes salcën me 20%. Kjo skemë e ka bërë aktivitetin në përpunim të papërballueshëm, pasi i ka rritur kostot me 14%.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of