Presidenti turk, Rexhep Erdogan, shkarkoi Guvernatorin e Bankës Qendrore, Murat Cetinkaya, duke thënë se ai nuk kishte zbatuar udhëzimet mbi normat e interesit dhe rrjedhimisht, Banka nuk e kishte përmbushur siç duhej rolin e saj.
Z. Erdogan e shkarkoi Guvernatorin Murat Cetinkaya, një vit përpara përfundimit të mandatit katërvjeçar dhe e zëvendësoi me Murat Uysal, duke ringritur shqetësimet rreth ndërhyrjes politike në politikën monetare. “Duke qenë se Guvernatori Cetinkaya nuk po zbatonte me përpikëri udhëzimet në lidhje me normat e interesit, ne vendosëm që ai duhet të zëvendësohej sa më parë të mundej”, tha z. Erdogan në një fjalim në Ankara.
Z. Cetinkaya i rriti normat e interesit në 625 pikë bazë në shtator të 2018, për të frenuar një krizë të monedhës dhe i mbajti ato në 24% në 2019, duke parandaluar humbjet e mëtejshme të lirës turke, por fatkeqësisht duke e shtyrë ekonominë drejt recesionit. “Shumë shpejt, ju do të shikoni se si do të ndryshojnë normat e interesit, duke shmangur inflacionin, sepse nuk duhet të harrojmë se ato janë një ndër shkaktarët kryesorë që mund ta çojnë ekonominë në recesion”, tha z. Erdogan, i cili shtoi edhe se Banka Qendrore duhet të ofrojë më shumë mbështetje për programin ekonomik të qeverisë.
Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, kritik i ashpër i normave të larta të interesit, shpesh ka bërë thirrje për norma më të ulëta për të nxitur ekonominë, e cila u tkurr me 2.6% në tremujorin e parë të këtij viti, pas një rënie prej 30% të lirës në vitin 2018.
Pas komenteve të fundit të z. Erdogan, një dollar amerikan u këmbye me 5.71 lira turke. Sipas një sondazhi të fundit të kryer nga Reuters, pritshmëritë e ekonomistëve janë që Banka Qendrore, nën drejtimin e Guvernatorit të ri, të ulë normat e interesit në 200 pikë bazë në takimin e ardhshëm të politikës monetare që do të zhvillohet më 25 korrik. Parashikimi ndryshonte shumë në krahasim me atë që po të njëjtët ekonomistë kishin dhënë përpara se z. Cetinkaya të shkarkohej nga posti i Guvernatorit të Bankës Qendrore të Turqisë.
Themele të sigurta
Në website informativ turk, Haberturk, u publikua më parë se se z. Erdogan ishte shprehur se Turqia do të ballafaqohej me probleme serioze nëse Banka Qendrore e Turqisë nuk do të “shërohej plotësisht”. Sipas po të njëjtit publikim, z. Erdogan kishte thënë edhe se z. Cetinkaya kishte marrë vendime me kosto të lartë të cilat, mbi të gjitha, nuk kishin ndikuar në rritjen e besimit të tregut.
“Banka Qendrore është një prej shtyllave më të rëndësishme financiare të ekonomisë. Nëse ne nuk tregojmë mbikëqyrjen e duhur ndaj saj dhe nëse nuk vendosim themele të forta, mund të përballemi me probleme serioze. Por më e rëndësishmja është se veprimet e z. Cetinkaya nuk krijuan besim në tregje. Komunikimi dhe marrëdhënia e tij me tregjet nuk ishte aspak e mirë”, shtoi z. Erdogan.
Presidenti i Turqisë tha se stabiliteti i Bankës Qendrore ishte shumë i rëndësishëm, ndërkohë që sa herë që Komiteti i Politikës Monetare mblidhej për të vendosur normat e interesit, krijohej pasiguri rreth asaj se çka do të ndodhte më pas.
Ai shtoi se z. Cetinkaya e kishte ulur numrin e mbledhjeve të Komitetit të Politikës Monetare në tetë takime në vit, nga 12 takime që mbaheshin përpara ndryshimit të politikave. “Z. Cetinkaya, së bashku me stafin e tij, nuk na kanë pyetur përpara se të merrnin vendimet e tyre, gjithçka e kanë bërë sipas mendjes së tyre”, tha z. Erdogan. Shkarkimi i z. Cetinkaya u bë përpara se të dërgoheshin në Turqi sistemet e mbrojtjes ajrore ruse, të cilat mund të provokojnë vendosjen e sanksioneve amerikane dhe të vendosin sërish në një trysni shumë të lartë lirën turke./ Business Day