Rezervat shtetërore “sekrete” të Kosovës

11/01/2020 10:02 PM 0 komente

Republika e Kosovës ka vite që ka filluar grumbullimin e rezervave shtetërore, sidomos artikuj të nevojshëm, të cilët duhet të shfrytëzohen për nevojat e furnizimit të qytetarëve në raste të luftës apo fatkeqësive të ndryshme. Mirëpo, vlera e këtyre rezervave po mbahet sekret nga institucionet e Kosovës. Ndryshe, produktet që konsiderohen si rezerva shtetërore, menaxhohen nga Departamenti i Rezervave Shtetërore, që është në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

 

Nga Prishtina, Fatos Shala

Në rast të krizave të mëdha, siç është lufta apo edhe fatkeqësi të mëdha natyrore (sikur tërmeti i tmerrshëm në Shqipëri), Kosova prej vitit 2012 ka filluar grumbullimin e rezervave shtetërore për qytetarët e saj.

Por shteti nuk tregon se cilët artikuj i ka në rezerva dhe për sa ditë mbulon nevojat e qytetarëve.

Rezervat shtetërore janë më se të domosdoshme, pasi në rast të ndonjë situate të jashtëzakonshme, brenda pak ditëve vendi mund të mbetet pa produktet elementare.

Për herë të fundit draft-plani strategjik i programit vjetor 2019-2021 për rezervat shtetërore të mallrave, është miratuar në dhjetor të vitit të kaluar.

Mirëpo, as në këtë draft e as në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) nuk kanë treguar për sa ditë ka rezerva shtetërore Kosova dhe nevojat e sa mijë banorëve mund t’i mbulojë.

“Me planin strategjik të rezervave shtetërore të mallrave përcaktohet: krijimi, furnizimi, ripërtëritja, freskimi, përdorimi, shpërndarja, shitja, këmbimi, dhurimi dhe shfrytëzimi, sasia e deponuar e produkteve të rezervës shtetërore, është e mjaftueshme nëse paraqitet ndonjë kërkesë për intervenim emergjent. Plani strategjik dhe programi vjetor i rezervave shtetërore të mallrave me ligjin e rezervave shtetërore është sekret shtetëror”.

Në këtë institucion tregojnë vetëm se rezervat shtetërore të Kosovës përbëhen nga disa produkte të ndryshme.

“Rezervat shtetërore të mallrave përbëhen nga disa produkte, të cilat kemi konsideruar se janë të rëndësishme për momentin fillestar, që të krijohen. Në bazë të planit strategjik dhe programit vjetor për rezervat shtetërore të mallrave, kriter për përcaktimin e sasisë merret numri i popullatës, e cila mund të preket nga ndonjë fatkeqësi dhe lloji i produktit, ku shteti i ndan sipas prioriteteve të tyre dhe fuqisë ekonomike”.

Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë thonë se sa i përket sasisë dhe llojit të produkteve, ato janë të siguruara në bazë të ligjit për Rezervat Shtetërore, ku ligji e përcakton si informatë të klasifikuar, prandaj bazuar në ligjin 03/L-244, për rezervat shtetërore lloji, sasia, shuma e mjeteve financiare dhe vlera e rezervave shtetërore të mallrave konsiderohet informatë e klasifikuar dhe nuk publikohen.

“Buxheti për vitin 2019 është ndarë bazuar në programin vjetor 2019 -2021, i cili është aprovuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës në bazë të mundësive buxhetore, i njëjti vazhdon edhe për vitet në vijim, por bazuar në nenin 8,9,10 të ligjit 03/L-244, lloji, sasia, shuma e mjeteve financiare dhe vlera e rezervave shtetërore të mallrave konsiderohet informatë e klasifikuar”.

 

Rezervat e Kosovës vetëm për dy ditë?

Selatin Kaçaniku, udhëheqës i Organizatës joqeveritare “Konsumatori” thotë se rezervat duhet të jenë në proporcion me numrin e banorëve të Kosovës, pasi rezervat aktuale nuk mjaftojnë as për dy orë.

“Ka katastrofa elementare që prekin një numër më të madh sesa 20 mijë banorë. Dhe, nëse ne këto rezerva i pjesëtojmë me një shifër prej dy milionësh, atëherë këto rezerva që thuhet se janë për 20 ditë, nuk do të mjaftojnë as për dy orë”.

E njohësi i ekonomisë, Musa Limani, tregon se në bazë të informatave që ka, Kosova ka rezerva shtetërore vetëm për tri ditë.

“Unë me sa kam informata, rezervat të cilat i disponon tani shteti i Kosovës, sipas disa informatave që kanë ekspertë të kësaj fushe disa herë më kanë thënë se Kosova ka rezerva shtetërore vetëm për tri ditë”, ka thënë ai.

Limani kujton se Kosova e ka të detyruar me Kushtetutë që të ketë rezerva shtetërore.

“Me kushtetutë Kosova është e detyruar të ketë rezerva shtetërore të cilat i duhen për të ndërhyrë në rastet e fatkeqësive natyrore si vërshimet, dridhjet e tokës e të tjera. Është e vërtetë se Kosova e ka ligjin mbi rezervat shtetërore dhe normalisht që është e detyrueshme që të ketë edhe depo të mjaftueshme për t’i deponuar rezervat, dhe aty duhet të jenë gjërat më elementare për ekzistencë sidomos ato ushqimore, pastaj barnat e ndryshme e të tjera”.

Madje ai shton se rezerva shtetërore duhet të ketë edhe në rast të mungesës së ndonjë artikulli.

Por, në Planin Strategjik Afatmesëm dhe Programin vjetor të Rezervave Shtetërore të Mallrave 2016–2018, shuma e vlerave vjetore e mallrave arrin mbi 363 mijë euro.

Sipas këtij plani, që ishte bërë publik gjatë vitit të kaluar, rezervat shtetërore janë kryesisht produkte ushqimore.

Bazuar në Ligjin për Rezervat Shtetërore, kriter për përcaktimin e sasisë merret numri i popullatës dhe lloji i produktit, ku shtetet sipas prioriteteve të tyre dhe fuqisë ekonomike, sigurojnë mallrat.

Duke i pasur parasysh këto praktika si dhe mundësitë që i ka Kosova, është planifikuar që për nevojat e Rezervës Shtetërore të Mallrave, në rast të gjendjes së jashtëzakonshme, sigurimi i grurit (nga i cili përfitohet mielli) të bëhet për 20 ditë për të gjithë popullatën, i sheqerit për 15 ditë për 20 mijë banorë, kurse nafta dhe derivatet e saj janë të rezervuara për tre ditë të importit të përgjithshëm vjetor.

Ndërkaq, artikujt e tjerë joushqimorë janë të planifikuar për nevojat e 20 mijë banorëve.

Rezervat konsiderohen si shumë të rëndësishme sidomos për një vend si Kosova, që është importues i 90 për qind të produkteve dhe në rast të ndonjë situate të jashtëzakonshme, brenda pak ditëve mund të mbetet pa produktet elementare.

Rezervat shtetërore të mallrave krijohen për të ndërhyrë në mënyrë operative për mbrojtjen e popullsisë, ekonomisë në rast të çrregullimit të tregut, mbrojtjes së vendit, në situata të gjendjes së jashtëzakonshme, gjendjes së emergjencës civile, veprimeve terroriste, veprimeve ushtarake në gjendje lufte, të cilat sjellin dëme të menjëhershme e të rënda për jetën dhe shëndetin e popullatës.

Produktet që konsiderohen si rezerva shtetërore, menaxhohen nga Departamenti i Rezervave Shtetërore, që është në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Ndërsa sipas legjislacionit, kontraktohen operatorët ekonomikë privat për ruajtje, të cilët po ashtu mbikëqyren vazhdimisht, kurse vendndodhja e tyre sipas ligjit në fuqi, mbetet sekret shtetëror.

Përveç rezervave shtetërore të mallrave, Qeveria e Kosovës për çdo vit ndan edhe rezerva shtetërore buxhetore.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of