Kuvendi i Shqipërisë i kërkon Departamentit të Administratës Publike që për vitin 2020 të angazhohet në 6 drejtime në shërbimin civil.
Pas shqyrtimit të raportit të DAP për veprimtarinë në 2019, Kuvendi ka miratuar rezolutën ku kërkon përfundimin e reformës për rishikimin e pagave dhe të metodologjisë së klasifikimit të pozicioneve të punës, si dhe rritjen e cilësisë të rekrutimeve në administratë, sidomos të atyre me nivel të lartë përgatitje.
Kuvendi konkretisht i ka kërkuar Departamentit të Administratës Publike që brenda 6-mujorit të 2021 të përmbyllë punën për konsultimin e dokumentit për reformën e pagave, evidentimin e efekteve financiare dhe planifikimin e hapave në vijim për implementimin e kësaj reforme.
Sipas kërkesës të Kuvendit, për pagat e administratës nevojitet që ato të përshtaten në varësi edhe të angazhimeve dhe detyrave që nëpunësit përmbushin si rrjedhojë e detyrimeve të ligjeve të veçanta, siç është dhe ligjinr.60/2016 “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”.
Për 2020, puna e Departamentit të administratës Publike duhet te fokusohet edhe për ngritjen e portalit administrata.al, me qëllim unifikimin e procedurave të menaxhimit të administratës shtetërore, si për institucionet qendrorë, vendore dhe ato të pavarura.
Kuvendi për vitin 2019 në rezolutën e miratuar, vlerëson punën e DAP për rekrutimet, sidomos për punësimin e përkohshëm të studentëve të ekselencës.
6 kërkesat e Kuvendit për DAP
1.Të krijojë kushtet për të rritur pjesëmarrjen në proceset e rekrutimit të kandidatëve me nivel të lartë përgatitje dhe të menaxhohet procesi në drejtim të zvogëlimit të numrit të konkurrimeve, duke realizuar një ndarje sa më efektive të grupeve, në të cilat të përfshihen pozicione me specifika të njëjta, si dhe të krijohen kushtet për të siguruar transparencën e nevojshme dhe vlerësimin objektiv të kandidatëve që marrin pjesë në konkurrim.
2.Të vijojë punën për rritjen e cilësisë së trupës së nëpunësve civilë të rekrutuar, nëpërmjet ndërveprimit me qytetarët, për të rritur numrin e konkurrentëve, duke publikuar në portalin “online” të aplikimit, informacione që shërbejnë për të kuptuar procedurat e rekrutimit dhe për t’i ndërgjegjësuar ata për rëndësinë e rritjes së nivelit të pjesëmarrjes në këto procedura, si dhe shembuj të praktikave të mira të konstatuara në këtë drejtim.
3.Të intensifikojë punën për rishikimin e përshkrimeve të punës dhe për rishikimin e metodologjisë së klasifikimit të pozicioneve të punës.
4.Të miratojë bazën ligjore për funksionimin e portalit administrata.al dhe vënien në funksion të tij, me qëllim zbatimin e unifikuar të procedurave të menaxhimit të burimeve njerëzore në të gjitha institucionet e administratës shtetërore, institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore, pjesë e fushës së veprimit të legjislacionit për nëpunësin civil.
5.Brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2021, të përmbyllë punën për konsultimin e dokumentit për reformën e pagave, evidentimin e efekteve financiare dhe planifikimin e hapave në vijim për implementimin e kësaj reforme. Të përshtatë pagat në varësi edhe të angazhimeve dhe detyrave që nëpunësit përmbushin si rrjedhojë e detyrimeve të ligjeve të veçanta, siç është dhe ligjinr.60/2016 “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”.
6.Të luajë një rol aktiv mbikëqyrës, në kushtet kur administron Regjistrin Qendror të Personelit, për rastet e përfundimit të marrëdhënies me shërbimin civil, për shkak të plotësimit të moshës për pension të plotë pleqërie, për të siguruar informacion të përditësuar të situatës në shërbimin civil në administratën shtetërore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.