Agresioni ndaj Ukrainës, që nisi më 24 shkurt 2022, ka tërhequr gjithë vëmendjen dhe po shoqërohet me analiza e opinione të shumëllojshme.
Në “Monitor” po sjellim në vijimësi disa nga analizat më interesante, apo thelbësore, edhe kur ato nuk janë të përqendruara strikt në trajtimin e konfliktit vetëm e thjesht në pasojat ekonomike.
Sepse trajtimi i konfliktit nga pikëpamja gjeopolitike, ideologjike dhe e sistemeve politike na paraqet se si do të jetë bota pas këtij konflikti. Një gjë është e qartë, bota nuk do të jetë më e njëjta, dhe që tani ka filluar rikonfigurimi i kufijve gjeopolitikë, të cilat do të ndikojnë dhe në ekonomi.
Në këtë këndvështrim, këtë herë, kemi zgjedhur të sjellim për lexuesin një analizë “kineze” të kryer sipas ligjit të politikës ndërkombëtare, që thotë se “nuk ka aleatë të përjetshëm dhe as armiq të përhershëm”, por “interesat tona janë të përjetshme dhe të përhershme”.
Një analizë që përforcon bindjen se sa e rrezikshme e sa poshtërsisht u sulmua Ukraina dhe se sa e brishtë mbetet siguria e demokracia. Por mbi të gjitha, analiza vë në qendër faktorin “opinionin e drejtë e përkrahës botëror”, të cilin me sa duket, as një shtet me madhësi të përmasave të Kinës nuk ka luksin ta humbasë.
Rezultatet e mundshme të luftës Rusi-Ukrainë dhe zgjedhja e Kinës
Lufta Rusi-Ukrainë është konflikti më i ashpër gjeopolitik që nga Lufta e Dytë Botërore dhe do të sjellë pasoja shumë më të mëdha globale sesa sulmet e 11 Shtatorit.
Në këtë moment kritik, Kina duhet të analizojë dhe të vlerësojë me saktësi situatën e luftës dhe ndikimin e mundshëm në arenën ndërkombëtare.
Në të njëjtën kohë, në mënyrë që të kontribuojë për një mjedis të jashtëm relativisht të favorshëm, Kina duhet të përgjigjet në mënyrë elastike dhe të bëjë zgjedhje strategjike që përputhen me interesat e saj afatgjata.
“Operacioni special ushtarak” i Rusisë kundër Ukrainës ka shkaktuar polemika të mëdha në Kinë, pasi përkrahësit dhe kundërshtarët e këtij akti janë ndarë në dy kampe kundërshtare, që nuk pajtohen në asnjë pikë.
Ky artikull nuk përfaqëson asnjërën nga këto palë dhe, për gjykimin dhe referencën e nivelit më të lartë vendimmarrës në Kinë, ky artikull ofron një analizë objektive të pasojave të mundshme të luftës, së bashku me opsionet përkatëse të masave që duhen ndërmarrë.
I. PARASHIKIMI I SË ARDHMES TË LUFTËS RUSI-UKRAINË
1.Vladimir Putin mund të mos jetë në gjendje të arrijë qëllimet që priste dhe kjo gjë e vë Rusinë në një pozitë të vështirë.
Qëllimi i sulmit të Putinit ishte zgjidhja e plotë ndaj problemit të Ukrainës dhe largimi i vëmendjes nga kriza e brendshme e Rusisë, duke mposhtur Ukrainën me një blitzkrieg (sulm të rrufeshëm), duke zëvendësuar udhëheqjen e saj dhe duke sjellë në pushtet një qeveri pro-ruse.
Megjithatë, blitzkrieg dështoi dhe Rusia nuk është në gjendje të përballojë një luftë të zgjatur dhe kostot e larta që sjell ajo. Nisja e një lufte bërthamore do ta vendoste Rusinë kundër së gjithë botës dhe, për këtë arsye, një luftë e tillë nuk do të mund të fitohej.
Situatat brenda dhe jashtë vendit po bëhen gjithashtu gjithnjë e më të pafavorshme. Edhe nëse ushtria ruse do të pushtonte kryeqytetin e Ukrainës, Kievin, dhe do të krijonte një qeveri kukull, pavarësisht kostove të larta, kjo nuk do të ishte një fitore përfundimtare.
Në këtë pikë, alternativa më e mirë për Putinin është që t’i japë fund luftës denjësisht, nëpërmjet bisedimeve për paqe, ku Ukraina do të duhej të bënte disa lëshime thelbësore. Megjithatë, ajo që nuk mund të arrihet në fushën e betejës, është e vështirë për t’u arritur në tryezën e bisedimeve. Në çdo rast, ky veprim ushtarak është një gabim i pakthyeshëm.
2.Konflikti mund të përshkallëzohet dhe përfshirja, në fund të fundit, e Perëndimit në luftë, nuk mund të përjashtohet si mundësi.
Megjithëse përshkallëzimi i luftës do të sillte kosto të larta, ka një probabilitet të lartë që Putini të mos dorëzohet lehtë, duke pasur parasysh karakterin dhe pushtetin e tij. Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës mund të përshkallëzohet përtej fushëveprimit dhe rajonit të Ukrainës, madje mund të përfshijë mundësinë e një sulmi bërthamor.
Nëse kjo ndodh, SHBA-ja dhe Europa nuk mund të qëndrojnë larg këtij konflikti, duke sjellë një luftë botërore apo edhe një luftë bërthamore.
Rezultati do të ishte një katastrofë për njerëzimin dhe një përballje midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Ky konfrontim final, duke pasur parasysh që fuqia ushtarake e Rusisë nuk krahasohet me atë të NATO-s, do të kishte pasoja edhe më të rënda për Putinin.
3.Edhe nëse Rusia arrin të pushtojë Ukrainën në një lëvizje të dëshpëruar, Ukraina do të mbetej një patate e nxehtë politike. Rusisë më pas do t’i duhej të mbante një barrë të rëndë, e cila do ta dërrmonte atë.
Në rrethana të tilla, pavarësisht nëse Volodymyr Zelensky do të ishte gjallë apo jo, Ukraina ka shumë gjasa të krijojë një qeveri në mërgim për t’u përballur me Rusinë në planin afatgjatë.
Rusia do t’i nënshtrohej edhe sanksioneve perëndimore, edhe rebelimit të brendshëm në Ukrainë. Betejat do të vazhdonin për një kohë shumë të gjatë. Ekonomia e brendshme do të ishte e paqëndrueshme dhe do të futej në vështirësi. Një situatë e tillë nuk do të zgjaste më shumë se disa vite.
4.Situata politike në Rusi mund të ndryshojë, ose të shpërbëhet për shkak të Perëndimit. Pas dështimit të blitzkrieg të Putinit, shpresat për fitoren e Rusisë janë zvogëluar dhe sanksionet e Perëndimit kanë arritur një nivel të paprecedentë. Teksa jetesa e njerëzve është prekur rëndë dhe forcat që kundërshtojnë luftën dhe Putinin po bashkohen, nuk mund të përjashtohet mundësia e një rebelimi politik në Rusi.
Me ekonominë e Rusisë në prag të kolapsit, do të ishte e vështirë për Putinin që të përballonte këtë situatë të rrezikshme, edhe pa e humbur luftën me Ukrainën.
Nëse Putini do të rrëzohej nga pushteti për shkak të përplasjeve civile, të një grushti shteti ose nga ndonjë rrethanë tjetër, Rusia do ta kishte edhe më të vështirë të përballej me Perëndimin. Ajo me siguri do t’i nënshtrohej Perëndimit, apo edhe do të copëtohej më tej, ndërsa statusit të Rusisë, si një fuqi e madhe, do t’i vinte fundi.
II. ANALIZA E NDIKIMIT TË LUFTËS RUSI-UKRAINË NË ARENËN NDËRKOMBËTARE
1.Shtetet e Bashkuara do të rifitonin lidershipin në botën perëndimore dhe Perëndimi do të bëhej edhe më i bashkuar.
Aktualisht, opinioni publik beson se lufta në Ukrainë tregon një kolaps të plotë të hegjemonisë së SHBA-së, por kjo luftë, në fakt, do ta kthente Francën dhe Gjermaninë brenda kuadrit të mbrojtjes së NATO-s, pavarësisht se të dyja këto vende donin të shkëputeshin nga SHBA. Kështu, do të shkatërrohej ëndrra e Europës për të pasur një diplomaci dhe mbrojtje të vetën të pavarur.
Gjermania do të rriste shumë buxhetin e saj për ushtrinë, ndërsa Zvicra, Suedia dhe vende të tjera do të braktisnin neutralitetin.
Pas pezullimit të Nord Stream 2 për një kohë të pacaktuar, varësia e Europës nga gazi natyror i SHBA-së do të rritet në mënyrë të pashmangshme. SHBA dhe Europa do të formonin një marrëdhënie më të afërt drejt së ardhmes së përbashkët dhe kështu do të rikthehej lidershipi i Amerikës në botën perëndimore.
2.“Perdja e Hekurt” do të binte sërish, jo vetëm nga Deti Baltik në Detin e Zi, por edhe në përballjen përfundimtare mes kampit të dominuar nga Perëndimi dhe kundërshtarëve. Perëndimi do të vendosë kufirin midis demokracive dhe shteteve autoritare, duke e përcaktuar ndarjen me Rusinë si një luftë midis demokracisë dhe diktaturës.
Perdja e re e hekurt nuk do të ndajë më dy kampet e socializmit dhe të kapitalizmit dhe as nuk do të kufizohet në përmasat e Luftës së Ftohtë. Ajo do të ishte një betejë për jetë a vdekje mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të demokracisë perëndimore.
Uniteti i botës perëndimore, nën Perden e Hekurt do të ketë efekt sifon mbi vendet e tjera: strategjia e SHBA-së për rajonin e Indo-Paqësorit do të konsolidohet, ndërsa vende të tjera si Japonia do të qëndrojnë edhe më pranë SHBA-së, e cila do të formojë një front të bashkuar demokratik me përmasa të paprecedenta.
3.Fuqia e Perëndimit do të rritet ndjeshëm, NATO do të vazhdojë të zgjerohet dhe ndikimi i SHBA-së në botën joperëndimore do të bëhet më i madh. Lufta Rusi-Ukrainë, pavarësisht mënyrës se si Rusia do të arrijë transformimin e saj politik, do të dobësojë shumë forcat antiperëndimore në të gjithë botën.
Skenat e vitit 1991 të trazirave në hapësirën e Bashkimit Sovjetik dhe të Europës Lindore mund të përsëriten: mund të rishfaqen teoritë e “fundit të ideologjisë”, rigjallërimi i valës së tretë të demokratizimit do të humbasë vrullin dhe një numër më i madh vendesh të botës së tretë do të përqafojnë Perëndimin.
Perëndimi do të ketë më shumë “hegjemoni”, si në aspektin e fuqisë ushtarake, ashtu edhe në aspektin e vlerave dhe të institucioneve. Fuqia e tij do të arrijë nivele të reja.
4.Në këto rrethana, Kina do të bëhet më e izoluar. Për arsyet e mësipërme, nëse Kina nuk merr masa proaktive për t’u përgjigjur, ajo do të izolohet brenda kufijve të saj nga SHBA-ja dhe Perëndimi. Sapo Putini të bjerë, SHBA-së nuk do t’i duhet të përballet më me dy konkurrentë strategjikë, por duhet vetëm të izolojë ndikimin e Kinës.
Europa do të vazhdojë të shkëputet gjithmonë e më shumë nga Kina; Japonia do të bëhet pararoja kundër Kinës; Koreja e Jugut do të bjerë nën influencën e SHBA-së; Tajvani do t’i bashkohet korit kundër Kinës dhe pjesa tjetër e botës do të duhet të zgjedhë anën e vet sipas mentalitetit të ndjekjes së shumicës. Kina jo vetëm që do të rrethohet ushtarakisht nga SHBA, NATO, QUAD dhe AUKUS, por gjithashtu do të sfidohet nga vlerat dhe sistemet e Perëndimit.
III. ZGJEDHJA STRATEGJIKE E KINËS
1.Kina nuk mund ta lidhë fatin e saj me Putinin dhe duhet të ndahet prej tij sa më shpejt të jetë e mundur. Nëse përshkallëzimi i konfliktit midis Rusisë dhe Perëndimit ndihmon në largimin e vëmendjes së SHBA-së nga Kina, atëherë Kina duhet ta mbështesë Putinin, por kjo vetëm nëse Rusia nuk bie.
Të qenët në të njëjtën varkë me Putinin do ta ndikojë negativisht Kinën nëse ai humbet pushtetin. Përveçse Putin nuk mund të sigurojë fitoren me mbështetjen e Kinës – një perspektivë që duket e zymtë për momentin – edhe Kina nuk ka fuqinë për ta mbështetur Rusinë.
Ligji i politikës ndërkombëtare thotë se “nuk ka aleatë të përjetshëm dhe as armiq të përhershëm”, por “interesat tona janë të përjetshme dhe të përhershme”. Në rrethanat aktuale ndërkombëtare,
Kina mund të vazhdojë vetëm duke mbrojtur interesat e veta më të mira, duke zgjedhur të keqen më të vogël nga dy mundësitë dhe duke larguar sa më parë nga vetja barrën e Rusisë. Aktualisht, vlerësohet se ka ende një ose dy javë kohë përpara se Kina të humbasë hapësirën e lëvizjes. Kina duhet të veprojë me vendosmëri.
2.Kina duhet të shmangë lojën me të dyja palët në të njëjtën varkë, të heqë dorë nga neutraliteti, por duhet të zgjedhë pozicionin e shumicës në botë. Aktualisht, Kina është përpjekur të mos ofendojë asnjërën palë dhe ka gjetur një rrugë të mesme në deklaratat dhe qëndrimet ndërkombëtare, duke përfshirë abstenimin nga votimet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Megjithatë, ky pozicion as nuk përmbush nevojat e Rusisë dhe madje ka zemëruar Ukrainën dhe mbështetësit e simpatizantët, duke e vendosur Kinën në anën e gabuar të pjesës më të madhe të botës. Në disa raste, të qenët në dukje neutral, është një zgjedhje e arsyeshme, por kjo nuk vlen për këtë luftë ku Kina nuk ka asgjë për të fituar.
Duke qenë se Kina gjithmonë ka mbrojtur respektin për sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial, ajo mund të shmangë izolimin e mëtejshëm, thjesht duke qëndruar në krah të shumicës së vendeve të botës. Ky pozicion është i favorshëm për zgjidhjen e çështjes së Tajvanit.
3.Kina duhet të arrijë përparimin më të madh të mundshëm strategjik dhe nuk duhet të izolohet më tej nga Perëndimi. Shkëputja nga Putini dhe heqja dorë nga neutraliteti do të ndihmojë në ndërtimin e imazhit ndërkombëtar të Kinës dhe në përmirësimin e marrëdhënieve të saj me SHBA-në dhe Perëndimin. Edhe pse kjo është e vështirë për t’u arritur dhe kërkon shumë mençuri, mbetet alternativa më e mirë për të ardhmen.
Pikëpamja se një përleshje gjeopolitike në Europë, e shkaktuar nga lufta në Ukrainë, do të vonojë zhvendosjen strategjike të SHBA-së nga Europa për në rajonin Indo-Paqësor, nuk mund të trajtohet me optimizëm të tepruar.
Tashmë në SHBA ka zëra që thonë se Europa është e rëndësishme, por Kina është edhe më e rëndësishme, kështu që qëllimi parësor i SHBA-së është të ndalë Kinën që të bëhet fuqia dominuese në rajonin Indo-Paqësor.
Në rrethana të tilla, prioriteti kryesor i Kinës është që të bëjë manovrat e duhura strategjike në përputhje me rrethanat për të ndryshuar qëndrimet armiqësore të SHBA-së ndaj saj dhe për të shpëtuar veten nga izolimi. Në fund të fundit, qëllimi është parandalimi i vendosjes së sanksioneve të përbashkëta ndaj Kinës nga SHBA dhe Perëndimi.
4.Kina duhet të parandalojë shpërthimin e luftërave botërore dhe të luftërave bërthamore, si dhe të japë kontribute të pazëvendësueshme për ruajtjen e paqes në botë. Përderisa Putini u ka kërkuar shprehimisht forcave të sigurisë strategjike të Rusisë që të jenë në gjendjen e gatishmërisë speciale, lufta Rusi-Ukrainë mund të dalë jashtë kontrollit.
Një kauzë e drejtë tërheq shumë mbështetje, ndryshe nga një kauzë e padrejtë. Nëse Rusia nxit një luftë botërore, apo edhe një luftë bërthamore, ajo me siguri do të rrezikojë sigurinë e të gjithë botës.
Për të demonstruar rolin e saj si një fuqi e madhe e përgjegjshme, Kina jo vetëm që nuk mund të qëndrojë krah Putinit, por duhet të ndërmarrë edhe veprime konkrete për të parandaluar aventurat e mundshme të tij. Kina është i vetmi vend në botë që ka mundësinë ta bëjë këtë dhe duhet ta përdorë plotësisht këtë avantazh unik.
Ndarja e Putinit nga mbështetja e Kinës ka shumë gjasa që t’i japë fund luftës, ose të paktën nuk do të guxojë ta përshkallëzojë atë.
Si rezultat i kësaj, Kina me siguri do të marrë vlerësime të shumta ndërkombëtare për ruajtjen e paqes në botë, gjë që mund ta ndihmojë atë për të parandaluar izolimin, por gjithashtu për të gjetur një mundësi për të përmirësuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe me Perëndimin./ Përktheu: Tomas Muça