Rezultatet përfundimtare: Vetëvendosje fiton zgjedhjet në Kosovë me 49.95% të votave

04/03/2021 12:00 PM 0 komente

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli sot rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 14 shkurtit. Lëvizja Vetëvendosje prin me 49.95 për qind, Partia Demokratike me 16.9 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me 12.64 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.07 për qind.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve  ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka ka njoftuar se fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit ka dal Lëvizja Vetëvendosje me 438 mijë e 334 vota.

Pas VV-së, partia e dytë më e votuar doli të jetë Partia Demokratike e Kosovës me 148 mijë e 296 vota dhe e treta ka përfunduar Lidhja Demokratike e Kosovës me 110 mijë 978 vota.

“Numri i votuesve 814 mijë e 122 votues. Numri i votuesve 89 mijë e 257 votues jashtë kutive të votimit. Pjesëmarrja në votime 48.77%. Lëvizja Vetëvendosje ka marr 438 mijë e 334 vota, PDK-ja 148 mijë e 296 vota dhe e treta ka përfunduar Lidhja Demokratike e Kosovës me 110 mijë 978 vota, AAK-ja 62 mijë e 111 vota. Lista Serbe 44 mijë e 404 vota”, ka thënë Daka.

KQZ-ja njoftoi se LVV-ja në zgjedhjet e 14 shkurtit ka fituar 438.334 vota, PDK-ja 148.296, LDK-ja 110.978 dhe AAK-ja 62.111 vota.

Pas shpalljes së rezultatit nga KQZ-ja, tani partitë dhe kandidatët për deputetë, brenda 24 orëve mund t’i drejtohen Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), nëse kanë ankesa. Të drejtë ankese ata më pas mund të bëjnë edhe në Gjykatën Supreme.

Ankesat eventuale mund të shtyjnë certifikimin e rezultatit zgjedhor, proces ky që i hap rrugë konstituimit të legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës.

Sfida e parë e Qeverisë së re të Kosovës pritet të jetë zgjedhja e presidentit të ri. Ushtrimi i këtij posti, mund të bëhet për gjashtë muaj, përkatësisht, presidenti i ri duhet të zgjidhet para muajit maj.

Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës, aty ku ndodhen edhe zyrat e presidentit.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, për zgjedhjen e presidentit nevojitet prania në sallë e të paktën 80 deputetëve. Kjo do të thotë se për këtë proces, nevojitet prania në sallë edhe e deputetëve të opozitës ose një marrëveshje me ndonjërën prej tyre. Albin Kurti ka thënë se kandidate e vetme për presidente është Vjosa Osmani.

Por, në rast se në raundin e tretë të votimit, kandidati/ja për president nuk merr votat e mjaftueshme, atëherë vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Përndryshe zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë mbajtur me 14 shkurt të këtij viti, pas rënies së Qeverisë “Hoti”, me një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of