Të dhënat e publikuara nga Banka e Shqipërisë, sipas standardeve lokale, treguan një rënie të ndjeshme të fitimit të sektorit bankar në tremujorin e parë të këtij viti.
Por, të dhënat paraprake sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS), të publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, japin një tablo krejt të kundërt. Mbështetur në këto të dhëna, për tremujorin i 2022, sektori bankar realizoi një fitim neto prej 9.2 miliardë Lekësh ose rreth 76 milionë Eurosh.
Rezultati i raportuar me standardet IFRS shpesh ka diferenca të konsiderueshme në raport me atë që llogaritet sipas standardeve lokale të Bankës së Shqipërisë. Sipas standardeve lokale, fitimi i sektorit për tremujorin I ishte më pak se 3.3 miliardë lekë. Diferencat lidhen kryesisht me metoda të ndryshme që ndiqen për llogaritjen e provigjioneve dhe në zbutjen e rrezikut të kredisë.
Fitimi i sektorit bankar sipas standardit IFRS rezulton dy herë më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe më i larti i shënuar ndonjëherë nga sektori bankar në tremujorin e parë të vitit. Megjithatë, vlen të thuhet se kontributin kryesor në këtë rritje e ka dhënë fitimi shumë i lartë i realizuar nga Banka Kombëtare Tregtare (BKT). BKT raportoi një fitim neto në vlerën e 5.2 miliardë lekëve, më shumë se të gjitha bankat e tjera të marra së bashku. Burime nga tregu bëjnë të ditur se fitimi shumë i madh i BKT ka ardhur nga faktorë të përkohshëm, të lidhur me zhvendosjen e disa investimeve në letra me vlerë.
Nga 12 banka të sektorit, 11 prej tyre rezultojnë me fitim. Pas BKT, e dyta me diferencë të madhe renditet Raiffeisen, që raporton një fitim neto prej 953 milionë Lekësh, e ndjekur nga OTP Albania me 756 milionë Lekë, Banka Amerikane e Investimeve (ABI Bank), me 710 milionë Lekë, Tirana Bank, me 448 milionë Lekë, Intesa Sanpaolo me 445 milionë Lekë, Credins Bank me 397 milionë Lekë, Banka e Parë e Investimeve (Fibank) me 194 Milionë Lekë, Union Bank me 150 milionë Lekë (raportimi Union Bank bazohet në standardet lokale, jo IFRS), ProCredit Bank, me 38 milionë Lekë dhe Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA), me 23 milionë Lekë. E vetmja bankë që e ka mbyllur tremujorin e parë me humbje është Alpha Bank Albania, që gjithsesi është në proces të shkrirjes me OTP Bank Albania, pas marrëveshjes së shitjes që u arrit në dhjetor të vitit të kaluar.
Nëse i krahasojmë rezultatet e bankave në terma të kthimit nga kapitali aksioner (RoE) banka më fitimprurëse rezulton sërish BKT, me një nivel kthimi në masën 42.11%. Megjithatë, vlen të theksohet se kthimet nga kapitali llogariten duke mesatarizuar me bazë vjetore fitimin e tremujorit të parë. Në praktikë, do të jetë shumë e vështirë që normat aktuale të kthimit, në rastin e BKT, të rezultojnë të njëjta edhe për pjesën e mbetur të vitit.
Pas BKT, banka me kthimin më të lartë rezultojnë ABI Bank me 27.54% dhe OTP Albania, me 27.35%. Bankat e tjera të sistemit raportojnë kthime poshtë nivelit të 20%. Vijon Fibank me 18.64%, Tirana Bank me 17.07%, Raiffeisen, me 13.06%, Union Bank, me 9.73%, Intesa Sanpaolo, me 8.24%, UBA, me 7.99%, Credins Bank, me 7.96% dhe ProCredit, me 4.42%.
Pjesa më e madhe e bankave kanë raportuar kthime të përmirësuara, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo dëshmon se deri tani inflacioni i lartë dhe rritja e normave të interesit kanë pasur një ndikim të kufizuar në performancën e sektorit bankar. Megjithatë, këta faktorë shtrojnë rreziqe në rritje në vijimësi, të lidhura sa me ritmin e huadhënies, aq edhe me cilësinë e portofolave./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.