Rheingans Digital Enabler, kompania gjermane ku punohet 5 orë në ditë

11/11/2019 5:23 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Në ditën klasike të punës, me tetë orë, sa orë punojmë me të vërtetë? Dhe sa humbin në aktivitete si përgjigjja e email-eve, pjesëmarrja në mbledhje apo thjesht një pushim i shkurtër duke kontrolluar faqet e lajmeve apo rrjetet sociale?

A ia vlen barra qiranë ta shpenzosh kohën në këtë mënyrë duke sakrifikuar pasionet, interesat personale dhe angazhimet familjare? Këto janë pyetjet që sipërmarrësi gjerman Lasse Rheingans i bëri vetes në momentin kur vendosi të blejë një kompani të vogël për këshillim teknologjik.
Dhe përgjigjet, siç shpjegon Wall Street Journal, e kanë bërë që të përshtasë një zgjidhje radikale – shkurtimi i orarit të punës të punonjësve të tij, nga tetë orë në pesë orë, duke lënë të paprekur pagën dhe ditët e pushimeve.

“Disa besonin se po bëja shaka apo se po i vija në provë. Në të vërtetë, e kisha seriozisht” – thotë Rheingans.

Eksperimenti, të paktën për tani, duket se po funksionon. 16 punonjësit e shoqërisë që quhet Rheingans Digital Enabler, hyjnë në zyrë në orën 8:00 dhe mund të largohen prej saj, përveç rasteve emergjente, pas pikërisht 5 orësh, në orën 13:00. Duke punuar 25 orë në javë, të përqendruar tërësisht, punonjësit arrijnë të njëjtin nivel produktiviteti krahasuar me ata që punojnë 40 orë në javë, duke përfshirë këtu shpërqendrimet dhe ndërprerjet.

“Të gjithëve u ka ndodhur të ulen në tryezën e punës, krejtësisht pa energji, e të lexojnë lajme online apo të shohin rrjetet sociale, në kërkim të një pushimi të shkurtër. Por në këtë mënyrë, ju nuk i rifitoni energjitë” – shpjegoi Rheingans. “Ideja ime është ajo e përqendrimit në punë për pesë orët e para dhe pastaj të bëjmë një pushim të vërtetë, duke ikur”.

Për të vënë në praktikë këtë ide ishte e nevojshme marrja e disa masave paraprake. Bisedat në vendin e punës, natyrisht, nuk inkurajohen. Rrjetet sociale janë të ndaluara dhe telefoni duhet të qëndrojë i mbyllur në çantë. Punonjësit duhet të përshtaten edhe me idenë që nuk mund të komunikojnë dot me familjarët dhe miqtë. Rregullat e ashpra disiplinojnë edhe dy prej aktiviteteve “time – consuming” në zyrë – ju mund ta kontrolloni email-in vetëm dy herë në ditë dhe pjesa më e madhe e mbledhjeve zgjat më pak se 15 minuta.

Falë këtyre masave, shoqëria që zhvillon faqe web, aplikacione dhe platforma ecommerce, po ecën shumë mirë – në 2018, viti i parë pas blerjes nga ana e Lasse Rheingans, gjeneroi të ardhura. Për drejtuesin e kompanisë, punonjësit e lumtur arrijnë rezultate më të mira dhe orari i shkurtuar është një faktor për të tërhequr njerëz të aftë, në një treg pune konkurrues si ai gjerman.

Organizimi klasik i punës është joefikas dhe kjo është dëshmuar në kërkime të ndryshme, si për shembull ai i Harvard Business Review në “The case for the 6-hour workday”. Sipas një tjetër studimi të kryer nga Adobe, një punonjës shpenzon mesatarisht rreth 6 orë në ditë duke shkruar dhe duke lexuar email-e.
Ndërkohë një studim tjetër tregon se një punonjës e kontrollon postën elektronike 74 herë në ditë dhe e prek smartphone-n 2617 herë.
Duke mos llogaritur pasojat e dëmshme në organizimin e familjes. Vetë Rheingans ka treguar se kur ishte punonjës në një kompani tjetër kishte kërkuar reduktimin e pagës në mënyrë që të kalonte dy pasdite me fëmijët e tij; disa muaj më vonë kërkoi për të rimarrë pagën e plotë, pasi kishte konstatuar që produktiviteti i tij nuk kishte rënë. Kjo kërkesë u pranua, edhe pse me disa diskutime.

“Kërkime të ndryshme kanë treguar që pjesa më e madhe e njerëzve është produktivë vetëm për pesë orë dhe për këtë, shkurtimi i orarit të punës nuk do të thotë domosdoshmërisht rënie e produktivitetit” – shpjegoi Brian Kropp, kërkues i burimeve njerëzore te Gartner.
Sidoqoftë, tranzicioni duhet të menaxhohet, si nga ana e punonjësve, por mbi të gjitha nga ajo e drejtuesit.

“Aspekti më i rëndësishëm, dhe më i vështirë, është ndryshimi i mendësisë. Ju nuk mund të bëni pjesë të kulturës fleksibilitetin dhe pastaj të reagoni të zhgënjyer, nëse punonjësit u përgjigjen email-eve mëngjesin e ditës tjetër.

Burimi: Business Insider

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of