Rifillojnë protestat për TVSh-në; Pritet zgjidhje e përkohshme për përpunuesit e qumështit

02/04/2019 10:00 PM 0 komente

Fermerët, grumbullues dhe agropërpunues po protestojnë sot kundër ndryshimit të normës së kompensimit të TVSH-së për fermerët.

Albanian Food Industry (AFI) ka njoftuar se sot të gjitha hallkat e zinxhirit të prodhimit të produkteve bujqësore vendase, fermerë, grumbullues dhe përpunues do të vijnë së bashku për një manifestim paqësor në Lushnjë. Ky manifestim paqësor do të zhvillohet nga Rotondo e Savres deri tek Rotondo e Plastmasit.

Alban Zusi, kryetar i AFI, tha për Monitor se do të vijojë përshkallëzimi i protestave në rast se nuk i jepet zgjidhje kësaj situate. Ata presin që me mbledhjen e nesërme të jepet një zgjidhje për agropërpunuesit e qumështit, duke rimbursuar me 10 lekë për litër, por janë ende të paqartë për mënyrës se si do të zbatohet ky vendim në rast se miratohet gjatë mbledhjes së nesërme të qeverisë.

Por edhe nëse miratohet ky vendim, sipas Zusit, kjo nuk  do të kënaqte të gjitha palët e prekura. Vendimi për të ulur TVSH-në e rimbursueshme për fermerin nga 20% në 6% pritet ak prekur fermerë, grumbullues dhe përpunues. “Ky problem nuk është vetëm i sektorit të përpunimit të qumështit, është edhe përpunimi i mishit, kultivuesit e frutave dhe perimeve, bletarët, etj”- shtoi Alban Zusi.

Në rast se nuk i jepet një zgjidhje këtij problemi, ata shprehen se do të përshkallëzojnë protestat. Barra për këtë ndryshim do të transferohet te fermeri, pasi agropërpunuesit dhe grumbulluesit do të ushtrojnë presion për të ulur çmimet. Ulja e çmimeve pritet që të dekurajojë individët për t’u marrë në bujqësi dhe do të nxisë akoma më të tej emigracionin.

 

Industria e përpunimit të qumështit më e prekura

Agropërpunuesit e qumështit ishin të parët që ngritën alarmin mbi ndryshimin e normës së rimbursimit të TVSH-së për fermerët. Aktorët kryesorë të këtij sektori parashikojnë që të dalin me humbje këtë vit në rast se qeveria nuk merr masa për korrigjimin e këtij vendimi.  Aktualisht, çmimi për një litër qumësht, që kompanitë i marrin fermerit është 45 lekë me TVSh. Që kompanitë të mos dalin me humbje, ata përllogarisin se duhet ta ulin çmimin e qumështit 7-8 lekë për litër.

Alternativa për të rritur çmimet ndaj konsumatorit final është e pamundur, pasi sipërmarrjet agropërpunuese shqiptare konkurrohen nga kompanitë e importit, të cilat ndihmohen me subvencione në vendet e tyre të origjinës.

Me Paketën e re Fiskale, rimbursimi i TVSh-së për fermerët e vegjël në shitje u bë 6% nga 20%, që u vendos në vitin 2014. Çmimi me TVSh 20% për çdo 100 lekë shitje të fermerit të vogël ishte 120 lekë, ndërsa që prej 2019-s, çmimi me TVSH për çdo 100 lekë shitje ishte 106 lekë, rreth 14 lekë më pak. Në mënyrë demonstrative, fermerët të pakënaqur derdhën qumështin në rrugë në javët e kaluara. Në këtë pikë, ulja e çmimeve të fermerit nga ana e grumbulluesve është thuajse e pamundur, por edhe nëse arrihet, do të sjellë dekurajimin në masë të individëve për t’u marrë me bujqësi.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of