Plotësimi i kuadrit ligjor sa i takon gazin ka vazhduar së fundmi edhe me një metodologji që lidhet me llogaritjen e tarifës për shërbimin e rigazifikimit nga impiantet e gazit natyror të lëngshëm.
Enti Rregullator i Energjisë (ERE) sqaroi se kjo metodologji është në harmoni me ligjin për sektorin e gazit. Operatorit të shërbimit GNL do t’i duhet që të zbatojë të gjithë rregullat e kësaj metodologjie për përcaktimin e tarifave nga ERE.
“Operatorit të rrjetit do t’i lejohet të mbulojë kostot e justifikuara për rrjetin si dhe një kthim mbi investimin. ERE do të miratojë tarifat e rrjetit kur të plotësohen kushtet dhe parimet e kësaj metodologjie. Tarifat e përdorimit të rrjetit të aprovuara nga ERE do të jenë të vlefshme për një periudhë ushtrimore (1 vjeçare) për periudhën e parë rregullatore, si dhe do të jenë në përputhje me periudhën rregullatore të zbatuar për operatorët e rrjetit të transmetimit dhe të shpërndarjes” thuhet në vendimin e ERE.
Ky i fundit sqaroi se shmangia nga çdo parashikim i kësaj metodologjie do të çojë në refuzimin nga ERE të aplikimit për tarifë të operatorit të GNL.
Nga ana tjetër tarifat e rrjetit do të llogariten dhe miratohen nga ERE në bazë të kostove të arsyeshme që operatori i GNL përdor për realizimin e aktivitetit dhe që janë në përputhje me këtë metodologji.
“Gjithashtu, dispozitat e Metodologjisë për llogaritjen e tarifës për shërbimin e rigazifikimit nga impiantet e GNL-së do zbatohen për qëllimet e përcaktimit të të ardhurave referuese dhe tarifave për shërbimin e rigazifikimit të GNL të siguruar nga depozitat e GNL të konsideruara strategjike të impianteve funksionale për procesin e rigazifikimit” thuhet në vendim.
Draftmetodologjia sqaron se termi “rigazifikim” që gjendet brenda saj është procesi i ngrohjes së GNL-së deri në kthimin e tij në gjendje të gaztë ndërsa “impiant GNL-je” është terminali që përdoret për lëngëzimin e gazit natyror ose importin, eksportin, shkarkimin apo rigazifikimin e GNL-së, përfshirë shërbimet ndihmëse dhe depozitat e përkohshme, të nevojshme për procesin e rigazifikimit dhe lëvrimin e mëtejshëm në sistemin e transmetimit, pa përfshirë pjesët e terminaleve të GNL-së, që përdoren për depozitim.
Metodologjia e llogaritjes së tarifës për shërbimin e rigazfikimit nga impiantet e GNL-së në Shqipëri vjen në të njëjtën kohë me akte të tjera të nxjerra për konsultim apo të miratuara nga ERE siç janë draft-kushtet për të licencuarin e ngarkuar me detyrimin e shërbimit publik për sektorin e gazit natyror në Shqipëri apo draft-rregullat e të përdorimit të terminalit të gazit natyror të lëngshëm (GNL) për Shqipërinë./ N.Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.