Pas pandemisë, Shqipëria u kthye në një destinacion të preferuar turistik, duke shfrytëzuar avantazhet e bukurive natyrore dhe çmimeve më të lira në krahasim me vende të tjera europiane.
Hyrje-daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga deti, ajri, toka u rritën me 33% në vitin 2022, duke arritur në 7.5 milionë.
Edhe në krahasim me parapandeminë në 2019-n, që deri tani ishte viti më i mirë turistik, rritja është rreth 18%. Tendenca ka kulmuar edhe më tej në 2023, ku hyrjet e shtetasve të huaj për 6-mujorin ishin po 33% më të larta.

“Tirana International Airport” (TIA), që menaxhon me koncesion Aeroportin e Rinasit, historikisht një prej bizneseve më fitimprurëse në vend, raportoi rritje me 48% të të ardhurave në vitin 2022, duke arritur në një rekord prej 8.3 miliardë lekësh.
Aktiviteti i udhëtimeve është rritur me shpejtësi në vitin 2022, duke shkuar drejt një niveli të ri rekord, pas atij të 2019-s.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se për vitin 2022, rreth 5 milionë shtetas kanë lëvizur përmes ajrit, me rritje 75% me një vit më parë, duke shënuar rekord historik.

Konkurrencë e fortë mes kompanive ajrore
“Albawings”, operatori me kapital shqiptar në tregun e fluturimeve, rriti të ardhurat me 85% në gati 4.6 miliardë lekë, duke arritur në nivelet e 2019-s.
Sipas raportit të aktivitetit, “Shoqëria Albawings ka shënuar rritje të treguesve të saj operacionalë, duke regjistruar 63% shtim në numrin e fluturimeve të operuara dhe 84% në numrin e pasagjerëve të transportuar, krahasuar me vitin 2021”.
Por, shoqëria po përballet me një mjedis të vështirë dhe konkurrencë të lartë.
“Shoqëria është përballur me sfidat e lidhura ngushtësisht në tregun global që ka prekur industrinë.
Situata e vitit 2022 është ndikuar ndjeshëm nga disa faktorë të jashtëm kryesorë, si rritja në rang global e çmimit të karburantit për avion, që prej fillimit të vitit 2022; Luhatshmëria e këmbimit të monedhës Euro, në të cilën shoqëria arkëton 100% të të ardhurave, përkundrejt Lekut;
Zhvlerësimi i monedhës Euro përkundrejt USD, monedhë në të cilën shoqëria regjistron 80% të faturimeve për shërbimet e karburantit, mirëmbajtjes dhe qirasë së avionëve, si dhe dominimit të tregut të aeroportit ndërkombëtar të Tiranës nga kompania “Wizz Air”, e cila ka shtrirë mbulimin e saj mbi 55% të të gjithë tregut”.
“Albawings” thekson se “nën trysninë e faktorëve të sipërpërmendur, shoqëria ka menaxhuar të gjithë burimet e saj për të mbajtur nën kontroll të gjitha kostot fikse.
Gjatë vitit 2022, shoqëria ka përqendruar 97% të të gjithë aktivitetit te fluturimet e skeduluara në destinacionet e shtetit italian.
‘Albawings’ ka regjistruar në flotën e saj 3 avionë Boeing 737-400 me kapacitet 168Y.
Gjatë vitit 2022 nuk është ndërmarrë ndonjë hap për ndryshimin e flotës ekzistuese”.
Kompania pohon se po përballet me mungesë të politikave rregulluese për një konkurrencë të drejtë dhe për një treg të lirë, në kuadër të të drejtave operuese në kushte jo të barabarta mes operatorëve.
“Air Albania”, operatori ajror që është pjesërisht në pronësi të shtetit (10%) nuk ka dorëzuar asnjëherë bilanc.
Sipas të dhënave nga Tatimet, qarkullimi vjetor i kompanisë ishte rreth 3.8 miliardë lekë në vitin 2021, për të arritur në rreth 5 miliardë lekë në vitin 2022.
Të ardhurat e “Wizz Air” nuk shfaqen në listën e “Monitor 200”, pasi kompania është e huaj, me kapital hungarez dhe nuk deklaron bilanc në Shqipëri.
“Wizz” e ka rritur me shpejtësi peshën në treg, duke arritur në 58%, nga 34% në vitin 2021, duke qenë përfituesi më i madh nga shtimi i numrit të udhëtarëve përmes ajrit.
Pesha e “Air Albania” është ulur në 10%, nga 18% në vitin 2021. “Albawings” zotëronte 7% të tregut në 2022, nga 9% në vitin 2021.

“Albcontrol”, operatori në pronësi publike, që kryen shërbime të transportit ajror, deklaroi të ardhura 3.9 miliardë lekë, me rritje 42% sipas të dhënave nga Tatimet.
Kompania nuk ka deklaruar bilanc në 2022, por në vitin 2021, në raportin vjetor, theksonte se u vu në vështirësi likuiditeti, për shkak se të ardhurat e saj janë bllokuar në llogarinë në Bruksel nga Eurocontrol (organizatë paneuropiane e dedikuar në mbështetjen e aviacionit europian).
Bllokimi lidhet me konfliktin mes qeverisë shqiptare dhe investitorit italian, Francesco Becchetti. Përballja e Shqipërisë me investitorin italian, Francesco Becchetti, në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve, përfundoi me një vendim në favor të tij, duke i dhënë një kompensim prej 110 milionë eurosh.
Vendimi është i formës së prerë dhe sipas mediave ndërkombëtare, investitori ka synuar mbledhjen e parave në llogaritë që shteti shqiptar ka jashtë kufijve, ku një prej tyre është llogaria e Albcontrol në Eurocontrol në Bruksel, ndërkohë që qeveria thekson se beteja ende nuk ka mbaruar.
Rritja e agjencive turistike
Vitet e fundit, në listën e më të mëdhave, hynë dhe agjencitë turistike, për shkak të një ndryshimi në mënyrën e mbajtjes së kontabilitetit, që i detyronte të raportonin si të ardhura edhe vlerën e biletave, jo vetëm marzhin që mbanin.
Në 2020-n, agjencitë më të mëdha raportuan rënie të fortë, duke dalë nga lista e “Monitor 200”. Ato hynë sërish në 2021-2022, duke u rritur me shpejtësi, sidomos në vitin 2022.
“Albtours‘D’-VAS tour operatore” është agjencia më e madhe e udhëtimeve në vend. Të ardhurat e operatorit u rritën me 77%, në gati 2.8 miliardë lekë.
“Globus-Travel” rriti me 88% të ardhurat, në 2.5 miliardë lekë.
“Air BP Albania”, që ka të drejtën e furnizimit me karburant të avionëve që fluturojnë në Aeroportin e Rinasit, ka rihyrë në listën e “Monitor 200”, pasi doli në 2020-2021.
Të ardhurat ishin 3 miliardë lekë, me rritje 146%, sipas të dhënave paraprake nga tatimet (bilanci i 2022 nuk është dorëzuar ende).
Zgjerimi i hotelerisë
Rritja e turizmit po i jep hov dhe zhvillimit të hotelerisë, sidomos në zonat bregdetare. Grupi FAFA është më i madhi në vend, si për kapacitetet hoteliere, edhe për të ardhurat.
Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2022, të ardhurat e “Grand Blue FAFA” dhe “FAFA RESORT TIRANË” arritën në 1.1 miliardë lekë, me rritje 11% me bazë vjetore.
“Turizmi i organizuar ka një rritje konstante të kërkesës. Nga viti 2014, që kemi regjistruar grupin e parë të atyre që erdhën me formën ‘të gjitha të përfshira’ e deri më sot, vendet nga të cilat turistët vijnë janë në rritje.
Më besnikët janë polakët dhe çekët, por shohim edhe interes të gjermanëve, numri i të cilëve është gjithashtu në rritje.
Thuajse 75% e kapacitetit që ne kemi në strukturat tona prej gati 1 mijë dhomash shiten me kontrata garancie.
Kjo na jep një lloj sigurie për sezonin e ardhshëm. Mendoj se turizmi është në një moment shumë të mirë dhe pararendës i kësaj është sipërmarrja, që ka bërë investime të jashtëzakonshme.
Tashmë po ndërmerren edhe një sërë investimesh nga qeveria, por mendoj se kjo e fundit dhe pushteti lokal duhet të bashkërendohen më mirë për t’ju përgjigjur këtij zhvillimi që kemi, duke bërë ndërhyrjet e nevojshme në infrastrukturë, menaxhim mbetjesh apo elemente të tjera që kanë nevojë për përmirësim”, – shprehet Fatos Çerenishti, administrator i “FAFA Group”.
LEXONI EDHE:
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.