Të hënën, më 6 korrik, Muzeu i Luvrit u rihap për vizitorët pas katër muajsh mbylljeje, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Brenda muzeut duhen respektuar masat e distancimit dhe po ashtu, është i detyrueshëm përdorimi i maskës. Javën e kaluar, drejtuesi i Muzeut të Luvrit, Jean-Luc Martinez, tha se emergjenca e koronavirusit ka shkaktuar “humbje më shumë se 40 milionë euro” për muzeun.
Muzeu është i hapur për turistët në 70 për qind të sallave, në një total 45 mijë metra katrorë. Për momentin, mbeten të mbyllura disa salla, në të cilat menaxhimi i hapësirave dhe distancimi është i ndërlikuar. Para emergjencës së koronavirusit, Luvri ishte muzeu më i vizituar në botë, me 10 milionë vizitorë në vit. Martinez parashikon se këtë vit, “nëse gjithçka shkon mirë, do të kemi 20 – 30% të vizitorëve të verës së vitit 2019, nga 4 mijë deri në 10 mijë vizitorë në ditë”.
Drejtuesi i Muzeut, Jean-Luc Martinez, shpreson që më shumë turistë francezë ta vizitojnë këtë verë muzeun, për shkak të kufizimeve në udhëtime.