Rihapet Teatri Napoleoni III. I braktisur prej 140 vjetësh, sot rijeton falë një sheiku

19/06/2019 6:05 PM 0 komente
Foto: AFP

Teatri i vogël që ndodhet në Kështjellën Fontainebleau, 60 kilometra në jug të Parisit, rilind pas 12 vitesh punime. Hapja është parashikuar më 23 qershor…

 

Pas 12 vitesh do të ngrihet sipari i një xhevahiri të çmuar: Teatri Napoleoni III në Fontainebleau. Më 23 qershor, nëse nuk do të ketë njoftime të tjera nga ana e kuratorëve të Kështjellës së famshme Fontainebleau, teatri i lënë në harresë, të cilit sot i është rikthyer shkëlqimi i dikurshëm, do të hapet për vizitorët. Fillimisht janë parashikuar ture njëorëshe për të admiruar strukturën e restauruar, kurse në të ardhmen janë programuar disa shfaqje për një elitë spektatorësh.

Ky teatër – thonë francezët në një emision nën kujdesin e AFP, është një xhevahir i çmuar, simbol i elegancës së Perandorisë së Dytë. Për 140 vjet, pavarësisht se ishte ruajtur në kushte të mira, ka mbetur tërësisht i braktisur. Por në vitin 2007, sheiku arab Khalifa bin Zayed Al Nahyan u dashurua me këtë vend të cilin Napoleoni III e përuroi në vitin 1857 dhe vendosi të financojë një projekt restaurimi për t’i rikthyer shkëlqimin – për ristrukturimin e kësaj ndërtese u derdhën në arkat e francezëve 10 milionë euro. Sot, pas tri fazash të gjata punimesh që zgjatën 12 vjet, teatri duket i mrekullueshëm – jastëkë prej mëndafshi, qilima me lule, zbukurime në ar, llambadarë dhe llamba të shndritshme. Gjithçka është restauruar duke i kushtuar vëmendje shijeve të shekullit nëntëmbëdhjetë.

Ky teatër, sipas historianëve dhe restauruesve, ishte një “kapriçio perandorake”. Jean-François Hébert, drejtuesi i Kështjellës Fontainbleau, kujton se kur teatri ra në harresë, ishte i ruajtur mirë, ndoshta edhe sepse u përdor pak “dhjetëra herë gjatë viteve 1857 – 1868 për shfaqje përpara rreth 400 njerëzve të oborrit”.

Luksi shfaqet në të gjithë detajet e vogla. Vepër e arkitektit Hector Leufuel për Perandoreshën Eugenia, ai u ndërtua në pak kohë. Pasi mbeti në harresë për shumë vite, Hébert rrëfen nevojën “për të treguar këtë vend të mrekullueshëm kaq të çmuar nga pikëpamja e arteve dekorative”, duke shpjeguar se duhet parë “me sytë e Napoleonit III dhe Eugenias”.

Megjithatë sot është e vështirë të hamendësohet një përdorim i kësaj strukture, për shkak të brishtësisë së saj. 80% e materialeve origjinale janë ruajtur.

Një dhomë pritjeje brenda Teatrit të restauruar në kështjellën Fontainebleau palace – foto AFP

 

Një skulpturë në teatrin e restauruar tani ka marrë emrin e sheikut Sheikh Khalifa bin Zayed Al Nahyan Theatre – foto AFP

 

Pamje nga lart e teatrit të reastauruar në Kështjellën e Fontainebleau – foto AFP

 

Restauruesit u japin dorën e fundit detajeve para hapjes së Teatrit – foto AFP

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of