Ndërtimi është në ditët e tij më të mira, duke iu rikthyer rritjes, pas rënies ciklike të pas vitit 2008.
Sipas shifrave të INSTAT, rritja vjetore e këtij sektori i kaloi 10% në 2017-n, niveli më i lartë në një dekadë, teksa vala e re e likuiditeteve në ekonomi po orientohet pikërisht në ndërtesa rezidenciale, kulla shumëkatëshe e resorte turistike.
Këtyre u shtohen dhe projektet e pritshme të punëve publike, në kuadër të planit “One Billion”, ndërsa dhe punimet për ndërtimin e gazsjellësit TAP i kanë dhënë hov sektorit. Kompanitë e ndërtimit raportojnë një panoramë të kënaqshme financiare dhe norma fitimi dyshifrore.
Alb Building, në fushën e ndërtimeve inxhinerike dhe rezidenciale, është kompania me fitime më të larta në vlerë absolute, në 1 miliard lekë, duke u trefishuar në krahasim me një vit më parë dhe me një normë prej rreth 30%.
Grupi është diversifikuar dhe në prodhimin e energjisë, përmes ndërtimit të hidrocentraleve. Alb-Energy renditet në listën e sipërmarrjeve me normë më të lartë fitimi në vend.
Në vend të dytë është Gjoka Konstruksion, me 857 milionë lekë dhe normë fitimi prej 19%.
Për ndërtesat rezidenciale, normat e fitimit janë shumë të luhatshme. Në varësi të ciklit të shitjes së apartamenteve mund të arrijnë edhe në mbi 70%. Kompanitë me aktivitet në ndërtimin e rrugëve dhe punëve publike raportojnë normë maksimale prej 25%, por ka dhe nga ato që kënaqen me norma minimale prej 3%.
Në vitin 2017, ManeTCI, pjesë e grupit Balfin, ka vijuar të ketë nivelin më të lartë të përfitueshmërisë, me 40%, ndonëse në rënie në krahasim me një vit më parë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.