Burimet e hyrjes së valutës në vend po ngushtohen. Të ardhurat që vijnë nga turizmi i të huajve janë gati njësoj sa ato që shqiptarët shpenzojnë jashtë,
remitancat nuk po rriten më, hyrja e kapitalit të huaj është frenuar. Ku do t’i gjejmë paratë për të financuar importet?
Kanë zgjatur vetëm dy vjet, kohët e lumtura për bilancin tregtar të vendit, që kishin sjellë një përmirësim të deficitit të llogarive korente (hyrje-daljet e mallrave e shërbimeve),
duke nxjerrë sërish në pah dobësitë strukturore të ekonomisë shqiptare.
Një model zhvillimi i paqëndrueshëm po reflektohet në thellimin e deficitit tregtar; një bilanc minimal të ardhurash; dalje e valutës në formën e transferimit të fitimeve,
ndonëse me ritme më të ulëta; të ardhura relativisht të ulëta nga emigrantët (shiko tabelën: Ecuria e bilancit të llogarisë korente sipas zërave).
Në kushtet kur burimet e hyrjes së valutës mbeten të kufizuara, kjo situatë nuk e ka ndihmuar aspak monedhën vendase, që ka vijuar zhvlerësimin për të tretin vit radhazi (shiko grafikun Nuk ndalet zhvlerësimi; Kursi mesatar i këmbimit lek/euro).
Deficit në rritje
Të dhënat e publikuara nga Banka e Shqipërisë për vitin 2011, tregojnë se deficiti i llogarisë korente është zgjeruar me rreth 8% në vlerë absolute, ndërkohë që është rritur me gati 0.5 pikë përqindjeje të Prodhimit të Brendshëm Bruto,
duke arritur në 12.2% të PBB-së. Tendenca rritëse është kthyer sërish pas dy vitesh përmirësimi, kur kriza ekonomike globale, që nisi në fund të 2008-s e “ftohu” ekonominë, që deri në atë vit kishte dhënë sinjalet e një “mbinxehjeje”.
Frenimi i eksporteve
Përkeqësimi i deficitit tregtar ka luajtur rolin më të madh në shifrat më negative të llogarisë korente. Ndonëse eksportet janë rritur me ritme më të larta se importet (përkatësisht 20 dhe 12%),
pesha e lartë që zënë produktet e blera jashtë vendit, në raport me ato që shqiptarët shesin jashtë, ka bërë që deficiti t’i rikthehet tendencës rritëse.
Importet ishin në 2011-n rreth 3 herë më të larta nga eksportet, nga 2.7 që ishte ky tregues në 2010-n.
Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, ky tregues është rritur në 23.8%, ndonëse është dukshëm më i ulët nga rekordi i vitit 2008 prej rreth 28%.
Struktura e eksporteve mbetet e paqëndrueshme, çka shpjegon luhatjet e mëdha nga një vit në tjetrin.
Produktet kryesore që eksportojmë jashtë, mbeten ato me material porositësi, të cilat nuk sjellin një vlerë të lartë të shtuar, për sa kohë që numri i cikleve që realizohen në vend është i kufizuar.
Grupmalli tjetër i rëndësishëm, ai i metaleve e mineraleve, është tepër i varur nga koniunktura ndërkombëtare. Ndërsa moti me reshje favorizoi dukshëm eksportet e energjisë në 2010 dhe muajt e parë të 2011-s,
në gjysmën e dytë të vitit, mungesa e tyre uli ndjeshëm ritmet e rritjes së eksporteve. Edhe kursi ishte më i favorshëm për eksportuesit, të cilët iu gëzuan të ardhurave më të larta në lekë për të njëjtën sasi të shitur,
si rrjedhojë e zhvlerësimit të monedhës vendase.
Gjithsesi, me një nivel prej 15% të PBB-së (më i ulëti në rajon) eksportet mbeten të pafuqishme për të ndikuar ndjeshëm në performancën e ekonomisë shqiptare.
Rritja e të ardhurave nga eksporti, sidomos me ato produkte që kanë vlerë të shtuar të lartë, si dhe kalimi i kompanive me material porositësi në një stad më të lartë,
drejt ciklit të plotë, shihen si alternativat afatgjata më të mira për një zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë. Nga ana tjetër, nxitja e prodhimit në vend të produkteve, që kanë avantazhe konkurruese,
konsiderohet një tjetër element i rëndësishëm për zvogëlimin e deficitit tregtar (deficiti tregtar i produkteve bujqësore është thelluar vitet e fundit me hyrjen e supermarketeve të organizuara,
që nxitën importet e produkteve të përpunuara bujqësore kryesisht nga rajoni).
Kompanitë e huaja fitojnë më pak
Duke filluar nga viti 2008, niveli i fitimeve, që kompanitë e huaja transferonin jashtë, nisi të rritej me ritme të shpejta, duke arritur rekordin në rreth 370 milionë euro në 2010-n.
Në të njëjtën kohë, të ardhurat hyrëse nga investimet u zvogëluan (investimet e shqiptarëve jashtë duket se dhanë më pak fryte për shkak të krizës globale).
Zëri i të ardhurave nga investimet kaloi për herë të parë në bilanc negativ në 2008-n, duke u thelluar ndjeshëm në vitin 2009. Kjo tendencë vijoi dhe në vitin 2010.
Por 2011-a e frenoi këtë tendencë. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë bëjnë të ditur se kompanitë e huaja transferuan vetëm 197 milionë euro gjatë 2011-s, me një rënie me bazë vjetore prej rreth 46%.
Megjithatë, bilanci neto ka vijuar të mbetet negativ.
Dy kompanitë celulare, AMC dhe “Vodafone” janë ato që japin efektin më të madh në zërin e fitimeve që transferohen jashtë vendit.
Pas fitimeve të larta që ato realizuan deri në vitin 2009 (ku norma e fitimit arrinte deri në 50%), maturimi i tregut, shtimi i konkurrencës, në tregun ku tashmë ka katër operatorë,
por dhe efekti i krizës, kanë bërë që këta operatorë të kënaqen me më pak në dy vitet e fundit. Në rënie ka qenë dhe fitimi i bankave, të cilat po vuajnë efektet e krizës,
teksa të ardhurat neto të tyre po zvogëlohen nga shpenzimet e larta për provigjionimin e kredive me probleme, niveli i të cilave ka arritur në gati 19% aktualisht.
Remitancat, ndalet tendenca rënëse ciklike
Viti 2011 ka ndalur prirjen rënëse të prurjeve të emigrantëve, që kishte nisur që në 2007-n, duke reflektuar si tendencën ciklike (pas një periudhe mbi 15-vjeçare lidhjet e emigrantëve me shtetin mëmë dobësohen dhe ata fillojnë e dërgojnë më pak para në vendet e origjinës), ashtu dhe pasojat e krizës në Greqi e Itali, ku ndodhen pjesa më e madhe e emigrantëve shqiptarë.
Ndërsa përkeqësimi i situatës në Greqi, pas shpërthimit të krizës së borxhit në vitin 2009 dhe goditja që mori ekonomia e vendit atje, ka dhënë efekt negativ në dërgesat nga emigrantët shqiptarë në shtetin helen,
ato janë kompensuar nga rritja e transfertave nga shtetet e tjera. Këtë tendencë e konfirmon dhe z. Elton Çollaku, drejtor i Unionit Financiar Tiranë, që është agjent ekskluziv për Shqipërinë i “Western Union”,
kompanisë ndërkombëtare të transferimit të parave. Sipas tij, ndërsa kanë rënë transfertat nga Greqia, janë rritur nga pothuajse të gjitha shtetet e tjera.
Ai nënvizon dhe një tendencë tjetër nga Greqia, atë të transferimit të kapitalit apo kursimeve, por kjo shumë ka kaluar në pjesën më të madhe përmes bankave.
Janë rreth 15, korridoret kryesore nga vijnë paratë në Shqipëri, që janë kryesisht vendet nga Europa Perëndimore dhe Amerika e Kanadaja. Italia mbetet dërguesi kryesor dhe deri në tetor, sipas z. Çollaku, transfertat nga ky shtet kanë qenë në rritje.
Në dy muajt e fundit të vitit është vënë re rënie e lehtë, por që lidhej më shumë me vendimin e qeverisë italiane për vendosjen e kufizimeve për daljen e parave jashtë vendit. Situata duket se është stabilizuar sërish në mars-prill të këtij viti.
Anglia, Gjermania dhe Zvicra janë shtetet e tjera, nga të cilat emigrantët shqiptarë u dërgojnë një pjesë të kursimeve të tyre të afërmve që kanë në Shqipëri.
Në vitin 2011, dërgesat që emigrantët nisën te të afërmit e tyre arritën në vlerë absolute në rreth 700 milionë euro, pothuajse në të njëjtin nivel me një vit më parë.
Në raport me PBB-në, të ardhurat e emigrantëve shënuan rënie, duke zbritur në 7.4% të PBB-së, nga 7.8% një vit më parë, duke arritur në nivelin e tyre më të ulët që prej vitit 2000, në rreth 8% të PBB-së, nga 14.2% e PBB-së në vitin më të mbarë, 2003.
Turizmi, heqja e vizave nxjerr valutën jashtë
Turizmi, një ndër sektorët që konsiderohet si me më shumë potencial në zhvillimin e vendit, ka qenë burim i rëndësishëm i hyrjes së valutës në vend, por fluksi neto i të ardhurave ka qenë shumë i vogël,
për shkak të shpenzimeve të mëdha që shqiptarët kryenin jashtë. Këto shpenzime kanë shënuar një rritje me gati 9% me bazë vjetore në vitin 2011, teksa shqiptarët kanë nxituar të takojnë të afërmit e tyre apo të kalojnë pushimet në BE,
pas liberalizimit të vizave.
E kundërt ka qenë ecuria e të hyrave të valutës nga turistët që vijnë në Shqipëri. Ndonëse u deklarua se numri i vizitorëve arriti një nivel rekord vitin e kaluar, shpenzimet e tyre kanë qenë rreth 5% më të ulëta në raport me një vit më parë,
duke zbritur në nivelin e 2008-s. Turizmi shqiptar mbështetet kryesisht te fqinjët kosovarë, të cilët njihen si dorështrënguar, ndërsa europianët preferojnë kryesisht udhëtimet ditore në Shqipëri, në kuadër të tureve ballkanike,
duke shpenzuar pak para dhe ata.
Në rezultante, valuta që mbeti në Shqipëri nga turizmi vitin e kaluar ishte minimale, vetëm 47 milionë euro, apo rreth 0.5% e PBB-së.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.